Takimi i jashtëzakonshëm/ Kisha Katolike ‘nxjerr zbuluar’ qeverinë: Situata e rëndë nuk luftohet me portale e bamirësi, po me programe!

0
120

Sot është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme e Konferencës ipeshkvore të Kishës Katolike në Shqipëri.

Gjate diskutimeve është ngritur shqetësimi për situatën e rënduar ekonomike dhe psiko-sociale që ka sjellë tek njerëzit, izolimi i gjatë.

Kisha vlerëson, se sipas të dhënave që ajo ka, pandemia, në shumë raste ka thelluar varfërinë ekzistuese, e në shumë të tjera, ka krijuar varfëri të re. Konferenca,  përmes një deklarate kërkon që varfëria të trajtohet në mënyrë eficente nga qeveria me programet e saj buxhetore, pasi portalet dhe bamirësitë nuk mjaftojnë.

Deklarata e plotë:

Të hënën 27 prill, Ipeshkvijtë e Kishës katolike në Shqipëri, me rastin e festës së Zojës së Këshillit të Mirë kanë kremtuar meshën në Shenjtëroren e saj në Shkodër. Më pas u mblodhën në një takim të jashtëzakonshme në Fshatin e Paqes (Shkodër) për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga Koronavirusi dhe ecurinë e kësaj situatë.

Gjatë mbledhjes u fol rreth disa argumenteve që kanë të bëjnë me çështjet baritore dhe jetën e Kishës katolike, si edhe për disa tema që kanë të bëjnë me gjithë shoqërinë shqiptare, në këtë kohë pandemie. U pa e arsyeshme të bëhen publike disa mendime të kësaj Konference në lidhje me disa nga këto tema, sikurse janë rëndësia e jetës dhe e shëndetit, situata ekonomiko-sociale e familjeve shqiptare dhe ushtrimi i kultit, në këtë kohë pandemie.

Së pari rëndësia e jetës dhe e shëndetit.

Kisha katolike, qysh në fillim të periudhës së izolimit, për shkak të pandemisë, e pa të arsyeshme që e mira e jetës dhe e shëndetit të tutelohet e prandaj u bashkëpunua pa ngurrim me organet përkatëse duke i pezulluar veprimtaritë tona liturgjike dhe baritore.

Në këtë situatë kemi sakrifikuar shumë gjëra për ta mbrojtur jetën njerëzore: shumë vende pune, turizmin, si edhe kremtime fetare.  Por duam gjithashtu të theksojmë se jeta e shëndeti duhet të ruhen në të gjitha stadet e jetës së njeriut, nga ngjizja deri në vdekje e fatkeqësisht ka edhe “pandemi” që vrasin çdo ditë shumë jetë njerëzish me anë të abortit.

Duke vlerësuar shumë punën e të gjithë atyre që janë të angazhuar në fushën shëndetësore, duhet të konstatojmë se strukturat spitalore në vendin tonë kanë ende nevojë të përmirësohen. Ndaj është detyrë e organeve kompetente të shtojnë kujdesin ndaj këtyre strukturave, sikurse janë spitalet dhe klinikat e ndryshme në vendin tonë. Jeta dhe shëndeti kanë rëndësinë e tyre jo vetëm në momente të veçanta, sikurse është një pandemi, por gjithmonë dhe për të gjithë njerëzit e të sëmurët. Gjithashtu kujdesi ndaj stafit mjekësor që janë në përballje direkte me sëmundjen dhe tamponet në gjurmimin e sëmundjes do të ishin një vlerë e shtuar në këtë sfidë që po kalon vendi ynë.

Jemi të shqetësuar gjithashtu për shëndetin psiko-shpirtëror të njerëzve, të situatës së këtij shëndeti nëpër familje dhe tek individë të të gjitha moshave dhe që është rënduar akoma më shumë për shkak të situatës së krijuar nga izolimi dhe varfëria ekonomike në këtë kohë. Duhet menduar urgjentisht nga ana e të gjithëve për ofrimin e asistencës për këto raste të cilat ka gjasa të shtohen gjithnjë e më shumë, duke prishur kështu ekuilibrat brenda familjeve dhe në shoqëri.

Së dyti situata ekonomiko-sociale e shumë familjeve.

Kemi konstatuar gjatë këtyre ditëve, qoftë personalisht e qoftë nëpërmjet operatorëve tanë në terren, se situata ekonomike e shumë familjeve është shumë e rënduar. Sa kemi pasur mundësi, në zonat që mbulojmë, kemi qenë pranë këtyre familjeve, sidomos atyre me situata më ekstreme, por e shohim se asistenca nëpërmjet ndihmave nuk është zgjidhje. Pandemia ka thelluar më shumë varfërinë e familjeve tashmë të varfra e ka krijuar varfëri të reja në pragun e mbijetesës. Kjo punë nuk bëhet nëpërmjet portaleve e as me bamirësi, por me një program të qartë subsidarieteti për familjet më në nevojë. E kjo është punë e qeverisë e cila duhet të kujdeset për qytetarët e saj që jetojnë në kushte më të rënduara ekonomiko-shoqërore.

Shohim se shumë familje e fëmijë kanë vështirësi në ndjekjen e kurseve të shkollës online, sidomos në fshatrat e thella. Çdo fëmijë duhet të ketë të drejtën e arsimimit e garantuar nga Kushtetuta dhe t’i krijohen mundësi reale për ushtrimin e kësaj të drejte.

Së treti rifillimi i veprimtarive fetare.

Për sa i përket rifillimit të veprimtarive fetare në Kishën Katolike u morën në shqyrtim mundësitë e krijuara nga hapat e ndërmarra nga organet kompetente dhe u vendos për një veprim gradual duke respektuar të gjithë hapat e nevojshëm. Do të punohet, në dialog me famullitarët dhe operatorët e tjerë kishtarë, si dhe në respektim të rregullave të vendosura për distancimin fizik, se cilat aktivitete mund të fillojnë e cilat jo.

Ne shprehim nga ana jonë gatishmërinë të bashkëpunojmë brenda mundësive tona që kjo kohë të kthehet në një kohë përkujdesjeje dhe shërbimi, një kohë e artë solidariteti dhe subsidariteti, sidomos me shtresat më në nevojë. Një logjikë solidariteti duhet të jetë revolucioni i vërtetë që ndodh në këtë situatë, në mënyrë që shoqëria jonë të konfigurohet si e tillë e të ketë në themel të vetin këto vlera kaq të rëndësishme.

Ne vazhdojmë të lartësojmë lutjet tona drejtuar Hyjit dhe Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Shqipërisë, që të mund të përballojmë me durim, këmbëngulje dhe dashuri këtë situate të vështirë të krijuar nga Covid-19.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here