Interpol vë alarmin se koronavirusi mund të jetë një mundësi e “artë” përfitimi për grupet mafioze, për trafikantët e drogës, për terroristët e racistët.
Pandemia Covid 19 ka modifikuar dhe aktivitetin e grupeve kriminale e të organizatave mafioze në Itali e në botë.
Interpol po përgatitet për një qasje të re të skenarëve të mundshëm kriminal në frontin e sigurisë publike e të aktivitetit kriminal.
Kreu i Policisë Italiane, Franco Gabrieli, i ka shpërndarë krerëve të policisë së 194 vendeve anëtare të Interpol një dokument të rezervuar ku analizon zhvillimet e reja të botës së krimit gjatë emergjencës së pandemisë e post saj.
Sipas autoriteteve policore italiane analistë të paguar nga organizatat mafioze po punojnë për të identifikuar mundësi të mëdha fitimi që vijnë nga emergjenca e Covid 19.
Rreziku është aktual, pasi organizatat mafioze prej kohësh investojnë në aktivitetin e nevojave më jetike që aktualisht janë të vetmet që vazhdojnë të jenë të hapura në territorin italian e në vende të tjera të botës.
Mafia ka investuar në transport agroushqimor, në furnizimin me ilaçe e në materiale mjeko-sanitare, në transportin rrugor, në shërbimin funeral, në pastrim, kanalizim, në depozitimin e mbeturinave, që janë sektorë që nuk kërkojnë nivel specializimi të lartë e që grupet kriminale ofrojnë shërbime me çmime konkurruese mjaft të leverdishme pasi kompanitë që ata kontrollojnë nuk respektojnë rregulloret e sigurisë mjedisore, ushqimore e të punës.
Sipas kreut të Policisë Italiane në fazën e pas emergjencës së Covid 19 aktiviteti kriminial mund të ketë një shpërthim me një forcë të paparë e që forcat policore të vendeve të Interpolit duhet të përgatiten për t’u mbrojtur nga kjo fuqi ndotëse, për të ruajtur ligjshëmrinë dhe botën e biznesit.
Autoritetet italiane vënë alarmin se paratë e pista mund të financojnë krizën e likuiditeti të kompanive të mëdha , të mesme e të vogla, që për shkak të lockdown mund të jenë në vështirësi financiare.
Krimi i organizuar mund të shfrytëzojë momentin e vështirësisë ekonomike për t’u bërë pjesë e strukturave të koorporatave duke ofruar paratë e nevojshme apo kredi uzurpuese.
Pre e këtij aktiviteti zhvatës mund të jenë dhe familjet e thejshta e në vështirësi, sidomos në jug të Italisë.
Sipas kreut të Policisë Italiane, Ndrangheta, organizata më e fuqishme kriminale në botë, është e gatshme të financojë pasuritë e paligjshme në botën e prodhimit e të financës në fazën e postemergjencës Covid 19.
Trafiku i drogës e Covid 19
Në Itali emergjenca e Covid 19 ka çuar në uljen – 46% të krimeve të lidhura me trafikun e drogës. Por sipas sinjalizimeve të autoriteteve italiane, trafikantët e drogës po riorganizohen për shpëndarjen e saj derë më derë e me pagesat online. Madje ngarkesat me materiale mjeko-sanitare rrezikojnë të përdoren për trafikun e drogës siç e dëshmoi kapja më 25 mars në Brazil e 1 ton kokainë e fshehur në kontenierin që transportonte doreza kirurgjikale.
Terrorizmi e Covid 19
Në dokumentin e rezervuar të autoriteteve italiane policive të vendeve të ndryshme u tërhiqet vëmendja ndaj rrezikut të terrorizmit islamik në këtë moment.
Sipas tyre, radikalistët mund të shfrytëzojnë qëndrimin e njerëzve në shtëpi për të promovuar propagandën e tyre përmes internetit.
Gjithashtu dhe grupet anarkiste mund të përdorin këtë moment vështirësie sociale për të nxitur rebelimin e revoltat duke përdorur rrjetet sociale.
Racizmi e Covid 19
Interpol sinjalizon se pandemia e koronavirusit mund të përdoret si një mjet për akitivitetin e grupeve raciste. E ka dëshmuar këtë fakt raporti i Agjensisë Federale Amerikane që kanë zbardhur se grupe supermacistësh të bardhë amerikanë të cilët mbrojnë tezën e epërsisë e mbizotërimit të racës së bardhë, po planifikojnë të përdorin koronavirusin si një armë biologjike kundër personave të etnive të pakicës duke i infektuar përmes shisheve me pështymë të njerëzve të infektuar, objekteve të ndotura, spray etj.
Qëllimi final është provokimi i një lufte raciale që çon në destabilizimin e shoqërisë multukulturore amerikane. Në Itali janë regjistuar 30 raste të sulmeve raciste fizike e verbale ndaj personave me kombësi kineze, japonezë, filipinë, domenikanë. E raste të ngjashme janë regjistruar dhe në Europë./Oranews.tv