Rreth 50 emigrantë shqiptarë vijojnë të presin prej më shumë se 20 orësh në tokën neutrale mes Shqipërisë dhe Greqisë për të hyrë në vendin tonë. Mësohet se mes emigrantëve të mbetur në doganën e Kapshticës ka gra, të moshuar dhe të sëmurë, të cilët po qëndrojnë jashtë në temperatura të ulëta.
Të gjithë pretendojnë se nuk janë rezidentë në Greqi dhe se kanë shkuar atje për arsye nga më të ndryshme, dhe duan që të rikthehen në banesat e tyre.
Ndërkohë deri më tani kryeministri Edi Rama është shprehur i prerë se asnjë shqiptar i mbetur jashtë kufirit nuk do të riatdhesohet pasi është një mbartës potencial i koronavirusit.
Grupi i emigrantëve shqiptarë, prej ditësh në pritje në kufi të vendit. Një tjetër shqetësim i tyri është edhe gjoba që mund të pësojnë pasi kanë kaluar afatin 90 ditor të qëndrimit, dhe mund të gjobiten. Dhe pse Rama u shpreh se asnjë emigrant në Greqi nuk do penalizohet me gjobë, disa prej qytetarëve që kanë kaluar kufirin janë detyruar që të paguajnë 1200 euro.