“Kryeministër, fundi i botës nuk duhet të vrasë fundin e muajit”

0
111

Nga Besart Kadia

 

Sot 20 ditë pas fillimit të mbylljes totale të qytetarëve dhe ekonomisë, ne akoma kemi të panjohur sesa do zgjasë kjo ngrirje dhe po ashtu kemi të panjohur impaktin afatshkurtër dhe afatgjatë në ekonomi.

Por një gjë dihet mirë. Qeveria duhet të bëjë c’është e mundur për të ndihmuar financiarisht bizneset vendase, të mëdha apo të vogla qofshin ato, të paktën duke paguar pagat për ruajten e vendeve të punës. Kjo është sot imediate dhe e vetmja politikë që pritet prej shtetit shqiptar.

Së pari, GDP e shqipërisë është shumë e varur nga konsumi vendas. Ne kemi thuajse të njëjtat karakteristika si ekonomia e Sh.B.A ku 70% e prodhimit vendas varet direkte nga sjellja e konsumatorëve. Pas 20 ditësh mbylljeje konsummi në vend, përvecëse produkteve ushqimore është thuajse zero. Kjo garanton rënie të prodhimit në fund të vitit që ndikon në të gjitha parametrat makroeonomik të vendit. Impakti i rënies së konsumit do ta ndjejnë të gjithë: pensionistët, të papunët, bizneset e vogla, edukimi, shëndetësia e bizneset e mëdha prodhuese në vend. Nuk do të ketë hallkë të shoqërisë që nuk do të ndjejë këtë rënie të konsumit. Përvec pasigurisë së pagës po aq e pasigurt janë dhe të ardhurat nga remitancat që zbusin varfërinë dhe ndihmojnë vendin në bilancin e pagesave.
Për momentin politika shtetërore ka injoruar njëkohësisht fatin e ekonomisë dhe për rrjedhojë fatin e saj në të ardhmen. Nëse ky izolim vazhdon dhe nëse bizneset nuk prodhojnë shumë prej punonjësve do të hiqen nga puna. Ata do jenë të pasigurt për të ardhmen. Edhe nëse kanë kursime nuk do ti shpenzojnë. Rreziku është tepër i lartë për ta për të shpenzuar. Nëse nuk shpenzojnë do të bien të ardhurat nga TVSH, si burimi kryesor i financimit të buxhetit të shtetit, jo për një muaj por për muaj e ndoshta vite që vijnë. Pesimizmi që ka kapur konsumatorin shqiptar pas tërmetit dhe pas Koronavirusit do të ndihen gjatë në sjelljen e tyre. Dhe qeveria, sic e pa dhe vitin e shkuar, preket direkte nga gjendja e kosnumatorit shqiptar.
Së dyti, politika monetare në vitet e fundit ka qënë gjithnjë në krahun lehtësues. Normat e interesit janë ulur nga Banka Qëndrore në mënyrë konstante për të nxitur konsumin dhe investimet në vend. Kjo masë ka rritur raportin e kredive në lek krahsuar me monedhë të huaj por nuk ka mundur dot të nxisë rritje të inestimeve në vend që është dhe shkaktari kryesor dhe i nevojshëm i rritjes ekonomike. Ekonomia shqiptare ka që nga viti 2012 që nuk është optimiste mjaftueshëm sa për të nxitur kredimarrje të re duke sjellë më pas dhe atë rritje ekonomike endemike që kemi përjetuar ndër vite. Për vite me rrallë buxheti i shtetit ka qënë stimuluesi kryesor i investimeve dhe rritjes ekonomike në vend. Duke bërë atë që njihet në ekonomi “crowding out”. Ku qeveria duke rritur taksat ndër vite për të kryer investimet e saj ka ngadalsuar krejtësisht investimet private, përvec bizneseve të lidhura direkte me buxhetin e shtetit. Qeveria ka qënë përfituesi kryesor i politikave monetare pasi ka mundur të financojë borxhin e saj me normat më të ulta historike të shtetit shqiptar.

Kredia ne total e perpunuar ne sistemin bankar.
Frenimi i entuziasmit ekonomik vihet re qe ne 2012

Pra kur bizneset për shtatë vitet e fundit nuk kanë marrë kredi për tu zgjeruar se janë pesimist për të ardhmen vështirë të marrin kredi për paga kur pikëpyetjet janë shumë më të mëdha për jetëgjatësinë e tyre. Përkëtë arsye paketa 100 milion dollarë si garanci për paga nuk ka për tu prekur nga asnjë biznes pasi shteti sërish barrën dhe rrezikun ia lë biznesit. Kjo do të thotë që bizneset mundet dhe do të heqin njerëz nga puna dhe po ashtu do të rishohin dhe invetimet e tyre për të ardhmen por dhe ndoshta do të mbyllen fare. Dhe këtu nuk ka më rëndësi nëse shteti ka vendosur kolateral për kredinë për një biznes që shuhet. Që do të thotë se qeveria pas koronavirusit do të ketë më shumë njerëz të papunë, më shumë biznese të mbyllura dhe për rrjedhojë më pak aktivitet ekonomik të cilën mundet ta taksojë e më pak para në buxhetin e shtetit. Cfarë po na mëson koronavirusi në mënyrën më të egër të mundshme është që binzesi është gjeneruesi kryesor i mirëqënies ekonomike dhe për rrjedhojë dhe partneri kryesor i qeverisë në të ardhmen.
Së treti, besimi i qeverisë se njerëzit kanë para mënjanë dhe do të konsumojnë nga kursimet e tyre duket po ashtu i pavend. Të dhënat tregojnë që pesimizmi i madh që ka kapur për vite tashmë ekonominë shqiptare nuk është kompensuar me rritje të kursimeve. Ato kanë rënë nga 21% e GDP-së në 2013 në vetëm 16% në 2019. Qytetarët kanë patur pagat e ngrira për një kohë të gjatë, si në sektorin publik ashtu dhe në sektorin privat, por nga ana tjetër kosto e jetesës është bërë më e shtrentë. Pagat e ngrira për kaq gjatë ka bërë që të ardhurat e tyre reale të bien e për rrjedhojë kanë më pak para për të kursyer. Kombinuar kjo dhe me uljen e normës së interesit nga Banka Qendrore askush nuk ka patur mundësi dhe për më tepër interes financiar për të kursyer. I vetmi institucion që ka përfituar nga rënia e normës së interesit në praktikë ka qënë prape shteti shqiptar. I cili ka mundur të marrë hua me kosto shumë të ulët për të financuar projektet dhe borxhin e saj. Pra teksa qytetarët ndër vite kanë të ardhura reale më të ulta qeveria nëpërmjet rritjes së taksave dhe kostos së ulët të marrjes hua ka patur një periudhë të artë për veten.
Sot gjërat janë në një krizë të paprecedent. Vendimi i njëanshëm i qeverisë për të garantuar shëndetin publik, pasi në shëndetësi nuk është inevstuar sa duhet për këtë ditë, ka sjellë kosto për gjithë shoqërinë dhe bizneset shqiptare. Këto të fundit pavarisht vështirësive në vitet e fundit sërish kanë qënë partnerë të heshtur të qeverisë. Por sot qeveria duhet të jetë dhe garantuesi kryesor i mirëqënies të të gjithë bizneseve, e për rrjedhojë të mirëqënies së gjithë qytetarëve, duke marrë ajo përsipër për të paguar të paktën tre muaj pagat e punonjësve të regjistruar.
Kushdo që mendon se kjo është vetëm në interes të biznesit se ata kanë lekë dhe e kanë për detyrë të paguajnë punonjësit pavarsisht situatës janë gabim dhe për më tepër janë vrasës të së ardhmes ekonomike të vendit. Ata nuk janë në vështirësi se janë të paaftë e ndaj meritojnë cdo lloj kostoje dhe pasoje për veprimet e tyre. Ata janë viktima potenciale të një vendimarrje politike. Të një vendimarrje që i lë mbrapa me konkurrentët e tyre në rajon. Pasi të gjitha qeveritë kanë marrë përsipër pagat e punoënjësve për të paktën dy muaj. Dhe politika duhet t’i dalë për zot qytetarëve dhe bizneseve të saj pasi shprehja e famshme se nuk është fundi i botës por fundi i muajit që shqetëson është tashmë më e vërtetë se kurrë. Shqipëria po kalon në krizë ekonomike, shëndetësore dhe me vendimet e hezituese dhe hakërryese të qeverisë për mos kompensim të punonjësve po i bën njëkohësisht dhe varrin vetes.
Ndaj Edi Rama ashtu si dhe gjithë homologët e tjerë të rajonit apo më gjerë duhet të kompensojë në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të gjithë punonjësit në vend pavarisht biznesit në të cilën punojnë. Duhet të paguajë minimalisht 80% të pagës së tyre për sa kohë ekonomia është e mbyllur dhe duhet ta bëjë atë sa më shpejt. Këtë gjë kanë bërë në shtetet më të zhvilluara e me biznese shumë herë më të fuqishme e pasura se tonat. Shteti ka marr përsipër pagat në Kanada, Austri e Angli. Dhe po ashtu në shtete më pranë nesh si Kosovë e Greqi. Sic u mbyllën të gjithë në karantinë se këtë zgjidhje dha bota po ashtu dhe masat që do të ndërerren të jenë të ngjashme me ato të botës. Kaq.
Duhet të zhdukë prezencën shtetëore në investime publike pasi ato mundet të realizoheshin në kohë krejtësisht të tjera por jo sot dhe as deri në fund të 2021. Sot duhet një paketë ekonomike e cila ka prioritet vetëm shpëtimin e bizneseve vendase pasi ato do të gjenerojnë dhe të ardhura mjaftueshëm për të financuar cdo projekt në të ardhmen. Sot prioritetet duhet të ndryshojnë rrënjësisht. Në amerikë brenda javës 3.3 milionë qytetarë dolën të papunë. Në Shqipëri akoma nuk dihet sa do të jetë numri deri në fund të prillit dhe nëse nuk merren masa sot do të jetë shumë vonë. Rritja e papunësisë është e sigurt e cila do të sjellë efekt zinxhir në mos pagim qerash, kredish, uji e dritash e gjithcka tjetër. Qeveria do të ketë një armatë njerëzish të papunë e gjithnjë e më pak para për ti ndihmuar. Pagesa e pagave për këto muaj është kosto shumë herë më e ulët për shtetin sesa kosto afatgjatë e papunësisë e bizneseve të mbyllura.
Dhe nëse rrugët apo shkollat bëhen qytetarët nuk do kenë lekë për të udhëtuar e libra për të blerë. Rishikimi i projekteve të investimeve publike të cilat nuk gjenerojnë asnjë të ardhur shtesë në periudhën afatshkurtër është e domosdoshme. Kompensimi i plotë për të gjithë punonjësit dhe në këtë mënyrë shpëtimi i biznesit dhe i mirëqënies së gjithë shoqërisë është e vetmja politikë. Pas koronavirusit duhetë të ringrihemi shpejt e duhet ta shohim shtetin si partner që i doli për zot në ditë të vështira. Në të kundërt shteti do të jetë vrasësi me duart e veta i të ardhmes ekonomike të Shqipërisë. Paketa sociale që është prezantuar duhet zëvendësuar me një paketë të plotë ekonomike. Borxhi për rrugë të reja e për qendra qytetesh u mor. Le të merret dhe për të ardhmen tonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here