22 Marsi, simboli që nuk zhbëhet!

0
130

Nga Albert AVDULI

22 marsin, pavarësisht moteve dhe rrethanave, shqiptarët do ta kujtojnë si datën e triumfit të demokracisë mbi diktaturën.

22 Mars 1992.

Ditë e bekuar në kalendarin e këtij populli.

E shenjtë në kalendarin fetar, për bektashinjtë.
Në terminologjinë e dogmës bektashiane, kjo datë përkon me ditëlindjen e Imam Aliut. Festa e Sullan Novruzit, mëshiron ripërtëritjen e jetës.

“Novruz” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite.
Rasti deshi, që e njëjta datë të përputhej me rilindjen e lirisë dhe shpresës për gjithë shqiptarët, përtej religjioneve të tyre.
Kujtime, emocione, ngazëllime, por edhe zhgënjime mund të sjellin në media e në libra, shumë bashkëkohës.

Për një pjesë tjetër, ajo datë mbart mllefin, për humbjen e titullit sundues, hetues, prokuror e grada të tjera të zeza siç komunizmi akordon.

Kanë kaluar 28 vite nga ai mars.

Mbase nuk i përmbushi gjithë pritshmëritë, por ky komb ju rikthye familjes së tij biologjike, Evropës.

Në historinë kombëtare, do të jetë data, kur u thye perdja e hekurt e izolimit.

Për 500 vite, ishim vërtitur në hapësira, kulturë e fermane, të cilat na çoroditnin. Habitati aziatik, nuk ishte krijuar për shpirtin dhe karakterin tonë shkrepor.
Ne s’kishim harruar.

Në fillim të viteve 1900, ju rikthyem qënies tonë.
Disa dekada i kaluam duke kërkuar të gjenim gjurmët evropiane. Monarkia e ndezi pishtarin e ndjenjave të rracës, por 11 vite janë pak, për të mëkuar lirinë.

Fati i popujve të vegjël i brishtë krijohet dhe mbi ura të dobëta ecën.

Mbas luftës së dytë botërore, për 47 vite, vrapuam përsëri nëpër azi. Nga stepat Siberiane, rendëm drejt një azie më të largët, deri sa u vëllazëruam shpirtërisht me Kinën.

Në gjithë odisenë tonë 500 e ca vjeçare, Itaka jonë mbeti ballkani jonë, alpet tona, deti jonë.

Patëm lajthitjet tona si popull, por geni, gjaku dhe gjuha nuk u tjetërsuan.

Në kalvare të tilla, popuj më të mëdhenj, do ishin zhbërë.

Zoti na kish krijuar vital, përderisa mbijetuam.

Në këto 28 vite, demokracia ende e papjekur ka mbetur, por ndërgjegja kombëtare është sinkronizuar me vokacionin e familjes evropiane. Krijimi i shtetit të Kosovës, është realisht një mrekulli, të cilën vetëm liria mundet që ta konceptojë.

Antarësimi në aleancën euro- atlantike është një tjetër arritje e madhe kombëtare.

Fushat e tjera të zhvillimit, kanë pësuar ulje ngritjet e politikës.
Në këto rreshta nuk do ndal në këtë analizë, por do mbetem te 22 marsi i sotëm.

Sot. . .
Gjëndemi në një betejë absurde. Rrethuar e sulmuar nga një armik i përbotshëm, i padukshëm, por tmerrues deri sa na ka detyruar të ngujohemi në banesat tona.
Sot. . .

Mungesa e lirisë ndjehet më shumë, vlerësohet sa e shtrenjtë është.
Kjo kohë është një apel në fakt se liria nuk ka çmim.

Sot. . .
Besimtarët bektashinj, nuk do ju drejtohen tempujve të tyre. Ata do të falen, brenda mureve antivirusale duke ju lutur Perëndisë për familjet e tyre, për shqiptarët, por edhe për popujt e tjerë.
Një popull mund të ngujohet, por shpresa, besimi, revolta nuk pakësohet.

Në ditë të vështira akumulohen energji të mëdha, qartësohen ide çliruese.

Ato e gjejnë shtegun e daljes në rastin më të parë.
Shpërthime të tilla pjellin lirinë.

Marsi është i shënjtë edhe kur na vë në provë.
Pikat kulmore të ekzistencës tonë lidhen me këtë muaj. Marsi i vitit 1444, si rrezja e parë e ndërgjegjes se jemi një tërësi gjaku e hapësire.
Marsi 1887 si shpresë se gjuha është brenda nesh e trashëguar dhe lëvrimi i saj bënë kombin.

Marsi 1992, si dëshmi se një popull, mund ta mbyllësh, ta shtypësh, ta drobitësh, por kurrë nuk mund t’i shuash ndjenjën e lirisë.
Shënjt marsit tonë nuk ja hijezon dot misionin asnjë virus, asnjë qeveri.

22 marsi mbart ëndërrën e disa brezave.
Zhbërja e ëndërrave nuk mund të ndodhë, sepse popujt pa ëndërra vdesin.

Por Zoti vetë e tha me gojë.
Shqipëria do të rrojë përmbi dhe.
Hymnin kombëtar e dimë të gjithë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here