Shqipëria është shumë e papërgatitur për t’u përballur me furtunën ekonomike të COVID-19

0
125
Kryeministri Edi Rama and Ministri i Energjitikes, Damian Gjiknuri, gjate nje seance parlamentare, ku pritet diskutimi dhe miratimi i rishikimit te buxhetit per vitin 2015./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama and Damian Gjiknuri, Minister of Energy and Industry, during a parliamentary session.

Prej shumë vitesh me radhë, Fondi Monetar Ndërkombëtar këshilloi Shqipërinë të “krijojë amortizatorë fiskalë” një term që tregon aftësinë e vendit për të marrë hua për të paguar kostot e një krize të madhe. Dhe prej shumë vitesh, qeveritë shqiptare i kanë bërë bisht këtij detyrimi duke mbajtur borxh të lartë në atë pikë sa, tani që kriza mbërriti, ka shumë pak hapësirë në dispozicion për të vepruar.

Gjergj Erebara -BIRN

Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi të Premten se ka kryer konsultime shtesë me qeverinë shqiptare në përfundim të së cilave, argumenton se vendi ka nevojë të “krijojë amortizatorë më të fuqishëm fiskalë” pasi të kapërcejë krizat aktuale të shkaktuara  nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe koronavirusi i ri.

Sipas FMN-së, “kjo do të lejojë për stimuj fiskalë më të  lartë për të përballuar goditje të mundshme në të ardhmen.” [Link deklarata]

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka këshilluar pak a shumë të njëjtën gjë që nga viti 2008 ndërsa qeveritë shqiptare, ajo Berisha-Meta e viteve 2009-2013, Rama-Meta, 2013-2017 dhe kjo aktualja, kanë bërë gjithçka çfarë kanë mundur për të mos e ndjekur këtë këshillë, gjë që dukshëm e ka lënë vendin pa ato që FMN i quan “amortizatorë fiskalë”. Me pak fjalë, qeveritë e kanë lënë Shqipërinë në pamundësi ose në mundësi shumë të kufizuara për t’u përballur me pasojat ekonomike të krizave të tilla si COVID-19.

Amortizatorët fiskalë përbëhen nga hapësira që një qeveri i krijon vetes për të marrë hua në kohë krize dhe ka vetëm një mënyrë se si kjo mund të realizohet. Borxhi publik i vendit duhet të mbahet në nivele të arsyeshme, rreth 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me qëllim që, nëse godet një krizë, qeveria të ketë mundësi ta rrisë pa shumë dhimbje dhe pa rrezikuar stabilitetin makroekonomik të vendit borxhin në, fjala vjen, 50 apo 60% të PBB-së për të përballuar kostot e krizës. Borxhi duhet të reduktohet në periudhën menjëherë pas përfundimit të krizës, duke e ulur sërish në 40%, me synimin që vendi të jetë gati kur e papritura ndodh.

Për fat të keq, kjo nuk është çfarë ka ndodhur me të tri maxhorancat qeverisëse të fundit. Në programin qeverisës të viteve 2009-2013, synimi ishte që borxhi publik të reduktohej në 50% të PBB-së [Link] deri në fund të mandatit. Por në fund të mandatit, qeveria Berisha-Meta e la borxhin publik në masën 62% të PBB-së bashkë me një faturë prej disa qindra milionë eurosh shpenzimesh buxhetore të papaguara. Qeveria pasardhëse premtoi se do të fillonte ta ulte borxhin publik ndërsa plani i dakordësuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar në fillim të vitit 2014 parashikonte një rritje të përkohshme të borxhit nga 62 në 72% të PBB-së (për të paguar edhe faturat e prapambetura) dhe ulje të borxhit publik më pas. Në letrën e vet të premtimeve për FMN-në, qeveria “Rama” deklaroi se borxhi publik do të ishte “poshtë nivelit 60%” në vitin 2019.

Në të vërtetë, në vitin 2019, borxhi publik ishte 67% ose afërsisht 600 milionë euro më shumë nga sa ishte premtuar. Dhe kjo është pa marrë parasysh lukuninë e të ashtuquajturave “partneritet publik privat” të cilat janë borxh në të gjitha kuptimet me përjashtim të titullit dhe që pritet të rëndojnë në xhepat e shqiptarëve pak a shumë në të njëjtën formë me faturat e papaguara të qeverisë “Berisha-Meta” në vitin 2013.

Borxhi tejet i lartë publik i shoqëruar me faturën e kripur të koncesioneve të qeverisë “Rama”  pritet të krijojnë një problem të dyfishtë për shqiptarët sot. E para, ekonomia kombëtare pritet të bjerë në recesion si pasojë e bllokimit pothuajse total të aktivitetit ekonomik nga kriza e pandemisë COVID-19. E dyta, aftësia e vendit për të marrë borxh për të mbuluar një pjesë të kostove të krizës COVID-19 është e paktë dhe pritet të pakësohet edhe më shumë si pasojë e recesionit të pritshëm. Me një paralizim pothuajse total të ekonomisë që mund të zgjasë disa javë dhe me probleme që pritet të vijojnë me muaj, rënia në recesion, (reduktimi i prodhimit në krahasim me një vit më parë) është skenari me gjasa i padiskutueshëm dhe e vetmja gjë që mund të hamendësohet është shkalla e rënies. Dhe për çdo përqindje rënieje të ekonomisë, borxhi publik sakaq i lartë do të rëndohet më shumë si përqindje e PBB-së. Dhe përveç kësaj, qeverisë do t’i duhet të bëjë llogaritë me rënien e pritshme të të ardhurave shtetërore si pasojë e rënies së aktivitetit ekonomik.

Po kështu, hapësira e qeverisë për të reduktuar shpenzimet buxhetore pa shkaktuar rënie të mëtejshme të konsumit është shumë e paktë.

Përgjatë më shumë se një dekade, tre qeveri kanë zgjedhur të kryejnë shpenzime jo tërësisht të arsyeshme për rrugë që nuk të çojnë asgjëkundi apo për koncesione që nuk mbartin ndonjë vlerë të arsyeshme përkundrejt kostove, duke e mbajtur borxhin publik të vendit në nivele të paarsyshme. Ata që do të vuajnë këtë papërgjegjshmëri janë shqiptarët e zakonshëm.

/Reporter.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here