Si e merr pushtetin një diktator? Ja çfarë na “mësojnë” 8 prej atyre të shekullit XX

0
150

Në librin e tij të ri “Si të bëhesh një diktator”, historiani i Universitetit të Hong Kongut Frenk Dikoter, eksploron karrierën e 8 sundimtarëve të shekullit të kaluar, përfshirë Hitlerin, Stalinin, Maon dhe Musolinin.

Libri juaj fokusohet mbi 8 figura shumë të njohura. A mund të na flisni pak për “kultin e personalitetit”, dhe si lidhen me këtë kult të 8 liderët?

Unë besoj se ekzistojnë 2 instrumente kryesore që përdorin diktatorët:terrori dhe imazhi. Tani terrorin e dimë së çfarë përmban kampe përqendrimi; polici sekrete; trokitje në derë në mes të natës; dhe krimet më mizore kundër njerëzimit.

Por unë mendoj se imazhi, sidomos “kultin e personalitetit”, ne priremi që të anashkalojmë disi.

Po pse është kaq i rëndësishëm ky kult? Është sepse mendoj se në thelbin e diktaturës moderne ka një paradoks:njerëzit në një epokë demokratike supozohet të jenë sovranë, pra janë ata që i zgjedhin liderët që duhet t’i përfaqësojnë.

Por diktatorët e marrin pushtetin përmes dhunës, dhe e kuptojnë se duhet ta ruajnë atë përmes dhunës. Sigurisht që ata kanë nevojë për policinë; forcat e armatosura (torturuesit, spiunët, informatorët)… por kulti i personalitetit i ndihmon shumë. Ata duhet të ngjallin frikë tek popullata në përgjithësi. Por nëse i detyrojnë njerëzit e zakonshëm që t’i brohorasin në publik, do të qëndrojnë në pushtet shumë më gjatë.

 

Cilët diktatorë përfshihen në studimin tuaj?

Unë e nis librin me Musolinin. Ai është i pari (pa e llogaritur Leninin, me revolucionin bolshevik të 1917-ës), që ndërtoi kultin e tij të personalitetit. Lenini adhurohej që kur ishte gjallë, por në veçanti pas vdekjes së tij. Pastaj vjen Adolf Hitleri, Stalini, Mao Ce Duni, Kim Il-Sungu, Papa Dok (Fransua Duvalje) në Haiti, Çaushesku në Rumani, dhe diktatori i Etopisë, Mengistu.

 

Si e krijuan këta diktatorë vetë-imazhin e tyre, krahas brutalitetit që shoqëroi gjithnjë regjimet e tyre?

Ata punuan pa u lodhur që nga fillimi. Adolf Hitleri punoi shumë mbi imazhin e tij, dhe natyrisht edhe të partisë së tij. Ai punësoi fotografin Hajnrih Hofman, që i bëri foto të tilla që projektonin forcën e tij të karakterit. Tek “Mein Kampf”, Hitleri parashtron një program shumë të qartë:dalje nga Traktati i Versajës; zhdukje e hebrenjve, rikthimin e Gjermanisë së Madhe, pushtimin e Bashkimin Sovjetik.

Por ka edhe shumë elementë të mitit të Hitlerit:ato të një lexuesi të pangopur, oratori të lindur, artisti të panjohur, që ishte nxitur nga fati të “shpëtonte” popullin e tij. Edhe Musolini, e harxhonte gati gjysmën e kohës duke projektuar imazhin e tij të një udhëheqësi të gjithëpranishëm, të gjithëfuqishëm dhe të domosdoshëm të Italisë. Ai drejtonte de fakto gati

10 ministri.

 

Çfarë përfundimesh keni nxjerrë në lidhje me këta diktatorë?

Që ishin aktorë të shkëlqyer. Dhe diktatorët janë aktorë të shkëlqyer. Në një moment, Adolf Hitleri është shprehur vetë se ishte “interpretuesi më i madh i Evropës”. Edhe Musolini e mendonte veten një aktor të shkëlqyer. Por ne harrojmë ndërkaq, se edhe njerëzit e zakonshëm duhet të bëhen vetë aktorë të shkëlqyer.

Ata duhet të brohorasin sipas komandës që u jepet; duhet të propagandojnë vijën e partisë; duhet të përsërisin parullat; duhet të qajnë, brohorasin, të bërtasin… me komandë. Dhe këtu ka një element thelbësor; nëse është diktaturë, ju nuk e dini atë që mendojnë njerëzit.

Gjithsesi ka shumë prova – në rastin e Hitlerit, Stalinit, Maos, Kim Il Sungut dhe të gjithë të tjerëve – se ka gjithmonë njerëz që nuk pranojnë t’i binden këtij kulti të personalitetit. Për këtë ata arrestohen, merren në pyetje, burgosen apo pushkatohen herë pas here.

 

Pjesë e ndërtimit të imazhit, ishte kontrolli i shtypit…

Po. Musolini ishte kaq i fiksuar me kontrollin e tij, saqë disa vjet pas ngjitjes në pushtet mori kontrollin e rreth gjysmës së ministrive. Ishte një diktaturë në çdo nivel. Ai madje do të gjente kohë për të ndryshuar edhe ngjyrën e një reviste për gratë në vitet 1930. Po kështu ndodhi edhe Duvaljenë në Haiti.

Ai hartonte listat se kush mund të diplomohej në universitet; si duhej të shkruhej; çfarë mund

të lexonin njerëzit; në cilën anë të rrugës duhet të drejtoheshin makinat etj. Një diktaturë e jashtëzakonshme, që merret me detajet më të vogla. Sot të gjithë e kuptojnë se kontrolli i shtypit është i rëndësishëm, se asnjë diktator i aftë, nuk do të lejojë që liria e shtypit të vazhdojë për shumë kohë.

Në fakt, akti i parë do të jetë mbyllja e shtëpive botuese, dhe eliminimi hap pas hapi i çdo lloj lirie. Kjo ndodhi në Gjermani 2-3 vite pasi nazistët u ngjitën në pushtet. Por edhe nën Musolinin, pas 5-6 vitesh në pushtet. Mediat e lira zëvendësohen me ministritë e propagandës.

Fjalët e diktatorit janë kudo dhe në çdo gazetë, madje edhe nëpër postera nëpër rrugë. Zëri i diktatorit, do t’ju ndjekë shpesh kudo që të shkoni. Në rastin e Gjermanisë, me mijëra altoparlantët të vendosura nëpër shtyllat e rrugëve. Kjo nuk vlente për Stalinin, që kultivoi imazhin e një diktatori të distancuar.

Atë e shihje rrallë gazetave, dhe shumë më rrallë dëgjohej në radio duke mbajtur ndonjë fjalim. Gjithsesi ai kontrollonte gjithçka që thuhet për të në shtyp. Çdo foto apo fjalë e tij, merrte aprovimin e tij para se të publikohej në media. Pra, të jesh diktator nuk është diçka e lehtë, kërkon shumë punë, thuajse obsesive, por edhe talent dhe aftësi organizative.

 

Diktatorët e portretizojnë veten e tyre si “njerëz të përulur”, “të arritshëm për masat”…

Shumë prej tyre, e kultivojnë me vetëdije imazhin e modestisë. Hitleri nuk ishte njëri nga ata. Stalini është pak më ndryshe. Në Bashkimin Sovjetik kishte një paradoks:supozohej të ishte diktatura e proletariatit, dhe jo e një individi të veçantë. Atëherë Stalini krijonte iluzionin se nuk ishte ai vetë, por përkundrazi njerëzit që e donin atë në krye, dhe ata që e adhuronin.

Është popullsia, masa, ajo që e nderon pasi ai është mishërimi i revolucionit. Rivali i tij kryesor, Trocki, e cilësonte Stalinin si një njeri me karakter deviant, të pangopur dhe mediokër. Në kundërpërgjigje, Stalini ftoi në zyrën e tij në Kremlin një grup të madh shkrimtarësh dhe gazetarësh të njohur, dhe aty ai e paraqiti veten si një njeri shumë të thjeshtë dhe të zakonshëm. Pra, mënyra se si paraqiten në publik këta diktatorë, është shumë e përllogaritur. Ata janë sërish duke aktruar.

 

Ju në libër thoni që edhe kur gjërat fillojnë të mos shkojnë mirë brenda një regjimi, një pjesë e madhe e popullsisë, është ende e prirur të fajësojë vartësit apo partinë, dhe jo udhëheqësin. Si shpjegohet kjo?

Një nga avantazhet e mëdha të kultit të personalitetit, është që diktatori triumfon mbi aleatët dhe rivalët. Mos harroni se në rastin e Musolini, por dhe Stalinit, ata kishin rivalë përreth. Kur Musolini mori pushtetin me marshimin e tij në Romë në vitin 1922, ai është vetëm një nga disa liderët e fashizmit. Pra, kulti i personalitetit është një mënyrë për të abuzuar me të gjithë, për të shfrytëzuar rivalitetet e tyre, dhe për t’i bashkuar rreth vetes ose nënshtruar ata. Ky është thelbi.

 

Duket se midis diktatorëve ka një lloj zilie, dhe ata mësojnë nga gabimet e njëri-tjetrit…

Ata e vëzhgojnë njëri-tjetrin; janë shumë të interesuar mbi mënyrën sesi menaxhojnë të tjerët, dhe pse të tjerët dështojnë. Në rastin e Mao Ce Dunit, ai merr shumë nga Stalini, përfshirë stalinizmin dhe kultin e personalitetit, por besonte se Stalini kishte dështuar në zbulimin e armikut të tij Nikita Hrushovit, që nisi procesin e de-stalinizimit në vitin 1956, 3 vjet pas vdekjes së Stalinit.

Mao donte të mos kishte të njëjtin fat. Dhe cili ishte reagimi i tij? Revolucioni kulturor. Meqë Stalini nuk arriti ta pikaste Hrushovin si armik, Mao mendonte se njerëzit e zakonshëm në çfarëdo niveli brenda partisë, mund të kishin rezerva mbi sundimin e tij. Prandaj Revolucioni Kulturor, i vendosi njerëzit kundër njëri-tjetrit.

Njerëzit e thjeshtë, mund të denonconin anëtarët e partisë deri në kupolën drejtuese. Në fund, ka një cikël të pafundëm dhune, në të cilën njerëzit janë të dëshpëruar t’i dëshmojnë besnikërinë e tyre udhëheqësit. Dhe duke mbretëruar i pakontestuar; ai ndjehet i sigurtë në fund të jetës së tij, që të shpërfaqte kultin e tij të personalitetit.

 

Ju shkruani që diktatorët sot – me përjashtim të Kim Jong-Un – janë larg nxitjes së frikës që përdornin paraardhësit e tyre. E megjithatë, ne shohim sot një ringjallje të disa prej këtyre teknikave në skenën botërore. Ku po e shohim sot kultin e personalitetit?

Putini është ai që vjen menjëherë në mendje. Sot, shpifja ndaj tij në Rusi është e paligjshme. Por ai nuk është një diktator i përkryer, pasi një diktator i mirë do ta kishte bërë këtë shumë vite më parë! Një mik i imi mire, më thotë sot që mund të shkosh në Moskë, dhe do të gjesh njerëz që nuk bien dakord me të. Shihni demonstratat që ndodhin në Moskë…

Ndërsa në rastin e Kim III, kemi të bëjmë me një diktaturë direkte të stilit së vjetër të shekullit XX-të. Përtej kufirit, Xi Jinping në Kinë, është shumë pranë të qenit një nga diktator i modës së vjetër. Ka një provë shumë të thjeshtë:shkoni në një vend, dhe përpiquni të gjeni dikë që flet kundër udhëheqësit në pushtet.

Kjo gjë është sot shumë e vështirë në Republikën Popullore të Kinës. Njerëzit po protestojnë në Hong Kong. Por përtej kufirit është e vështirë të gjesh ndonjë person që ofron mbështetje për Hong Kongun. Nuk është një përplasje civilizimesh, por një tregues i shkallës në të cilën opinioni publik kontrollohet rreptësisht.

Por këta lloj liderësh nuk janë në ngjitje, ata po luajnë një lojë humbëse. Mund të mos na duket kështu; mund të duket se demokracia është e sulmuar. Është gjithmonë mirë të jemi vigjilentë, por parë nga një këndvështrim shumë më i gjerë historik, këta diktatorë janë në pozita të dobëta. Në fund, ata do të humbasin.

Marrë me shkurtime nga HistoryExtra – Bota.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here