Mashtrimi ndërkombëtar/ Zgjerohet skandali financiar! Partneri i Olsi Ramës, djali i zyrtares së lartë të PS-së…

0
136

Qendra për Gazetarinë Investigative, OCCRP, e zgjeron hetimin e saj për kompaninë Milton Group, duke u fokusuar këtë herë në Shqipëri dhe në Gjeorgji.

OCCRP është pjesë e një ekipi ndërkombëtarësh gazetarësh nga 23 vende, që kanë publikuar skandalin e Milton Group, një kompani me qendër në Kiev të Ukrainës dhe me një xhiro prej 70 milionë dollarësh. Ajo operon përmes një rrjeti me callcenter në disa vende, mes tyre edhe në Shqipëri.

Këto callcenter premtojnë investime përrallore në kriptovaluta, por që rezultojnë një mashtrim i madh.

Në investigimin e radhës, OCCRP thotë se, callcenter në Shqipëri është në pronësi të CTA Group dhe APA Liasion. CTA është në pronësi të APA, e cila është plotësisht në pronësi të Amant Josifit, këshilltar i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka që prej dhjetorit 2017.

Gazetarët investigative zbulojnë edhe lidhjen e Josifit me Olsi Ramën, por edhe që nëna e tij është një zyrtare e lartë.

“Josifi ka lidhje të fuqishme në Shqipëri. Ai ka qenë këshilltar zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes prej dhjetorit 2017, kur u caktua nga Olta Xhaçka, një anëtare e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.

Josifi është gjithashtu një ish-partner në biznes i vëllait të kryeministrit Ols (Olsi) Rama, me të cilin kishte në bashkëpronësi një firmë telekomunikacioni dhe telemarketingu, Pegasus Communications, derisa Josifi shiti aksionet e tij në dhjetor 2017.

Nëna e tij, Pranvera Strakosha, është një ish-gjyqtare, e cila tani është Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, një ombudsman i ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të zyrtarëve publikë”, thuhet në shkrim.

Njerëzit që lidhin Olsi Ramën me mashtrim financiar ndërkombëtar

Telefonata vjen në celular nga një numër italian ose anglez. Në anën tjetër, një zë me theks evropianolindor të ofron mundësinë e investimit në kriptovaluta me mirazhin e fitimeve përrallore. Në të vërtetë është një skemë mashtruese gjigante, e cila i sjell kompanisë një xhiro prej 70 milionë dollarësh, sipas numrave të raportuar për punonjësit e Milton Group. Viktimave iu kushton të gjithë investimin. Dhe midis viktimave ka edhe shumë italianë. Tryezat që merreshin me klientët italianë kishin objektiva grumbullimi deri në 250 mijë euro në muaj.

Një mashtrim që nis në Kiev, më saktë nga një zyrë në Mandarin Plaza, zemra e shopping-ut luksoz në qendër të kryeqytetit ukrainas, ku e ka bazën Milton Group. Katet e para gëlojnë nga njerëz që shkojnë nga një butik te tjetri: Armani, Dolce&Gabbana dhe gjithë të rëndësishmit e tjerë. Disa kate më lart, mbrojtur nga një kordon rojesh të armatosur dhe kamera sigurie, operatorë telefonikë “propozojnë” investime përmes një serie faqesh komerciale online.

Fabrika e Mashtrimit në këtë mënyrë mashtron kursimtarët duke iu premtuar investime në kriptovaluta.

Një ekip ndërkombëtar gazetarësh nga 23 vende ka qenë në gjendje të zbulojë mekanizmin e këtij biznesi shumëmilionësh që policia nuk ka qenë në gjendje ta ndalojë deri tani. Fabrika e Mashtrimit është një investigim i bazuar në qindra dokumente e video të ofruara nga një denoncues për gazetën suedeze Dagens Nyheter. Dokumentet, të ofruara edhe për qendrën e gazetarisë investigative OCCRP (Organized Crime and Corruption Reporting Projects), u analizuan në Itali nga IRPI (Investigative Reporting Project Italy) dhe gazeta La Stampa.

Milton Group në Kiev operon përmes një rrjeti call center: një në kryeqytetin ukrainas, një në Shqipëri, një në Gjeorgji e një në Maqedoninë e Veriut. Janë me qindra operatorë dhe në çdo vend Milton Group ka miq të rëndësishëm, politikanë e zyrtarë. Call Center në Tiranë drejtohet nga Amant Josifi, këshilltar zyrtar i ministres së Mbrojtjes dhe ortak biznesi me vëllanë e kryeministrit Edi Rama. Josifi konfirmon se ka administruar disa call centers para se të merrte detyrën në ministri, por thotë se nuk ka pasur kurrë ortakëri apo marrëdhënie komerciale me Milton Group.

Në botën e brokerave (persona që shesin e blejnë mallra e asete për të tjerë), Milton Group merr formën e një platforme komerciale online ndryshe. Muajt e fundit, markat më aktive kanë qenë Cryptobase, CryptoMB dhe Vetoro Banc, veçanërisht në Evropë. Disa janë bllokuar nga autoritetet mbikëqyrëse në vende të ndryshme. Megjithatë, deri tani Milton Group ia ka dalë të kthehet online me një maskim të ri dhe e nis atje ku e la në mes. Viktimat i dërgojnë investimet përmes transferimeve bankare, ‘money transfer’, kartave rimbushëse apo bitcoin. Në vend që të përfundojnë në një paketë reale aksionesh kriptovalute, paratë zhduken në llogari rrjedhëse të pagjurmueshme, të fshehura në anonimatin e llogarive offshore, ku përfituesit finalë janë pronarët e Milton Group. “Ose përfundojnë në llogari në emër të llogarimbajtësve fiktivë që menjëherë pas pagesës i marrin dhe riqarkullojnë paratë duke i devijuar në llogari të tjera rrjedhëse”, shpjegon Nunzia Ciardi, drejtore që nga 2017 e Policisë Postare dhe Shërbimit Bazik të Komunikacionit në Romë.

Call center punon si një makinë e vajisur mirë. Shumë viktima thonë se kanë ndeshur reklama në Facebook që garantonin fitime marramendëse. Të tjerë kanë marrë vazhdimisht telefonata komerciale nga numra me prefiks të huaj. Në të dy rastet, qindra operatorë që bëjnë punën e pistë në zyrën e Kievit janë të ndarë sipas gjuhëve të folura. Secili prej tyre fshihet pas identiteteve false, zakonisht me emra brokerësh perëndimorë. Si për shembull William Bradley, një nga pseudonimet më aktivë. Ata thonë përmendësh frazat që bëjnë efekt të përgatitura nga kompania: një hile për të mbjellë besimin te viktimat e për t’i bindur që të fusin duart në kuletë. Zakonisht fillojmë me disa qindra euro. Përfituese e pagesës nuk është direkt kompania, por llogarimbajtësit e supozuar apo “kutitë bosh” me bazë në parajsat fiskale të tilla si Dominica apo Ishujt Marshall. Kompani si Columbia Capital Group Ltd, e cila operonte markën CryptoMB para se të raportohej te autoritetet financiare të gjysmës së Evropës. Deri tani, megjithatë, askush, as policia, as autoritetet mbikëqyrëse, nuk e kanë kuptuar se ishte vetëm një kompani që tërhiqte fijet: Milton Group.

Përdoruesve iu jepet akses në një llogari online ku, brenda pak javëve, ata shohin se si shuma e investuar rritet deri në përfitimin e premtuar. Por asgjë nuk është e vërtetë: paratë në të vërtetë janë në xhepat e Milton Group tashmë dhe nuk lëvizin prej aty. Disa klientë binden të instalojnë software për të ndjekur progresin e investimeve të tyre në kohë reale. Është një virus (teknikisht malware) përmes së cilit punonjësit e Milton Group marrin akses në kompjuterin e viktimës. Ata mund të manipulojnë lehtësisht trendin e shikueshëm nga software me qëllim nxitjen e klientit për të rritur investimin. Sa më vulnerabël të jetë viktima, aq më i sofistikuar bëhet mashtrimit: që nga kërkesat për një kuotë për të zhbllokuar investimin, deri në dërgimin e letrave false për të detyruar klientët të paguajnë kuotat e avokatëve apo institucioneve bankare fantazmë. Paratë, përsëri, përfundojnë në xhepat e Milton Group.

Disa qindra viktima janë zbuluar nga gazetarët, nga rrethi arktik në pyjet e Ekuadorit, përmes Italisë. Numri mund të jetë shumë më i madh. “Gjithçka që bën kjo kompani është fals”, thotë Aleksei, denoncuesi. “Qëllimi është vetëm të vjedhë paratë e njerëzve”.

Shumë viktima thonë se kanë humbur disa qindra euro. Por për disa investimet e propozuara kanë qenë rrënim ekonomik, me borxhe deri në 200 mijë euro. Si rasti i një refugjateje afgane në Norvegji, e cila u bind të shiste gjithë pasuritë e të hynte në borxhe nga një broker i Milton që fliste në gjuhën farsi.

Bisedat e brendshme – të zbuluar nga denoncuesi – tregojnë se si brokerët janë të vetëdijshëm për situatën e pakëndshme kur gjenden disa klientë. Dhe për këtë arsye ata bëhen shënjestër e lehtë për kërkesa edhe më të mëdha. “Ai është shumë plak, e nxita të na paguante komisionet, shpresoj të bëjë gjithçka sot”, thotë një mesazh që i referohet një suedezi 75-vjeçar, i cili ka humbur mbi 40 mijë euro. “Ai rri në shtëpinë e një miku sepse nuk ka para të blejë ushqime”.

Manaxherët dhe pronarët e call center pasurohen mbi kurrizin e tyre. Është një rrjet kriminal që përfshin izraelitë, gjeorgjianë, ukrainas, shpesh shtetësi të dyfishtë izraelite dhe gjeorgjiane. Si Jakub Keselman, drejtori administrativ i Milton Group. Ai e ka shpallur veten “Ujku i Kievit”, një referencë e qartë për spekulatorin e Wall Street në filmin me Leonardo di Caprio. Në profilin në Instagram shfaqen me mburrje makina luksoze dhe pushime të shtrenjta në vende ekzotike.

Në fillim të janarit, menaxherët dhe operatorët e Milton Group festuan me bujë rezultatet e vitit të kaluar, një festë e tipit “Great Gatsby”. Luks, shampanjë dhe shpërblime për brokerët më të mirë. Brokerit për Italianë iu dhurua një makinë. Fatura është paguar nga mijëra të gënjyer nga premtimi për fitim të lehtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here