Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e Koço Kotës me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili pasi u shkollua në Universitetin e Athinës për Shkencat Politike, në vitin 1912-të u kthye në Shqipëri duke iu përgjigjur thirrjes së Ismail Qemalit, që e emëroi atë si kryesekretar i Ministrisë së Arsimit.
Pas përkrahjes së madhe që ai i dha Ahmet Zogut për rikthimin në pushtet, në vitin 1925 e emëroi në postin e Ministrit të Punëve të Brendëshme dhe më pas si kryeministër i Shqipërisë, funksione të cilat ai i kreu me besnikëri të lartë ndaj Mbretit Zog, të cilin e shoqëroi gjatë largimit të tij nga Shqipëria në prillin e vitit 1939, pas agresionit fashist të Benito Musolinit.
Dëshmia e mbesës së tij, Kristina Kote, për vendosjen e Koço Kotës në Selanik, ku në vitin 1945 tre oficerë të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, të cilët me ndihmën e komunistëve grekë që asokohe kontrollonin një pjesë të madhe të Greqisë, e rrëmbyen atë me forcë duke e futur në një makinë të mbyllur dhe e sollën në Tiranë për t’u dënuar më pas në Gjyqin Special me 30 vite heqje lirie.
Vdekja e tij tragjike në burgun e Burrelit dhe persekutimi më pa si familjes së vëllait të tij, Ilia Kote, i cili jo vetëm që nuk ishte marrë kurrë me politikë, por ai kishte qenë mbështetës i flaktë i Fan Nolit….
“Xhaxhai im Kostaqi, apo Koço, siç e thërrisnim ne në familjen tonë, u largua shpejt nga Korça dhe u vendos në Tiranë që para vitit 1920, për arsye se ai u muar me politikë. Ndryshe nga Koço, babai im Ilia, që u diplomua në Stamboll për Drejtësi, jo vetëm që nuk u mor me politikë, por ai i thoshte Koços që të hiqte dorë nga politika.
Por Koço nuk e dëgjoi kurrë babanë tonë dhe ai u angazhua në politikë që i ri në qeverinë e Ismail Qemalit, ku u emërua si Kryesekretar në Ministrinë e Arsimit. Ndonëse Koço punoi dhe luftoi një jetë të tërë për të mirën e Shqipërisë, që nga Kongresi i Lushnjes ku u zgjodh Sekretar i tij dhe më pas si Ministër i Punëve Botore, si dhe dy herë si Kryeministër i Shqipërisë, ai pati një fat tragjik.
Pas mbarimit të Luftës, ai u largua nga Athina ku ishte vendosur pas largimit të Zogut dhe u vendos në Selanik së bashku me dy shokëtë të tij, ish-funksionar të lartë të Monarkisë. Nga fillimi i vitit 1945, në shtëpinë ku banonte shkuan dhe e takuan tre oficerë të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria, të cilët arritën deri aty të ndihmuar nga komunistët grekë që në atë kohë kontrollonin një pjesë të madhe të territorit të Greqisë, ku përfshihej dhe Selaniku.
Ata iu hoqën si nacionalistë dhe e gënjyen duke i thënë se duhet të kthehej me ta në Shqipëri, pasi do formohej një Qeveri koalicioni me komunistët e Enver Hoxhës. Ndonëse Koço nuk i besoi thëniet e tyre dhe nuk pranoi të kthehej, ata e morën me forcë në një makinë të mbyllur dhe e sollën në Tiranë ku e nxorrën para Gjyqit Special në marsin e vitit 1945. Fatkeqësisht Koços i doli fjala e vëllait dhe babait tim Ilias, i cili i kishte thënë që të mos përzihej në politikë.
Kështu pas dënimit me burg të përjetshëm në Gjyqin Special, ai vdiq në mënyrë tragjike në qelitë e errta të Burgut të Burrelit”. Kështu e kujton Kristina Kota, historinë e xhaxhait të saj, ish- Kryeministrit të Shqipërisë Koço Kota, i cili mori pjesë aktive në politikën shqiptare në moshë fare të re, në Qeverinë e Ismail Qemalit dhe më pas në Kongresin e Lushnjes ku u zgjodh Senator, për ta vazhduar karrierën e tij të gjatë si deputet, Ministër i Brendshëm, i Punëve Botore si dhe dy herë Kryeministr i Shqipërisë. Kush ishte Koço Kota, nga ç’familje rridhte ai dhe cila ishte e kaluara e tij?
Ku u shkollua ai dhe si u angazhua për herë të parë në politikën shqiptare? Cilat ishin funksionet që mbajti Koço Kota nga viti 1912 e deri në vitin 1939 kur agresioni fashist italian i 7 Prillit, e gjeti në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Ku u vendos ai pas largimit nga Shqipëria dhe përse nuk e ndoqi nga pas Mbretin Zog, të cilit i kishte shërbyer me besnikëri për 20 vite në konsolidimin e Shtetit Shqiptar?
Si e gjetën atë në Selanik oficerët e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe si e rrëmbyen ata duke e sjellë me forcë në Shqipëri me ndihmën e komunistëve grekë? Cili ishte qëndrimi i Koço Kotës në Gjyqin Special në marsin e vitit 1945 dhe si e mbrojti avokati i tij, Spiro Stringa? Përse e dërguan Koçon në Burgun e Burrelit dhe si vdiq ai në vitin 1949 nga torturat që i bënë atij dhe dy shokëve të tjerë të qelisë tij?
Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje e fakte nga jeta e ish-Kryeministrit të Shqipërisë, hedhin dritë dëshmitë e mbesës së tij, Kristina Kota, si dhe dokumenti origjinal i mbrojtjes së avokatit të tij, Spiro Stringa (të cilin e ka ruajtur i biri Pandeliu), si dhe rrëfimi rrënqethës i Avni Bejkovës, i cili ka qenë prezent në vdekjen tragjike të Koço Kotës në Burgun e Burrelit, ku ai vuante dënimin bashkë me të.
Kush ishte Koço Kota?
Kristina Kota, së bashku me të motrën e saj Gallatën, janë të vetmet trashëgimtare nga familja Kota që jetojnë në Shqipëri, të cilat na rrëfejnë diçka më shumë për xhaxhanë e tyre, ish-Kryeministrin e Shqipërisë, që pati një fat tragjik.
Lidhur me origjinën dhe të kaluarën e familjes Kota, Kristina dëshmon: “Koço apo Kostaqi, siç është emri i tij i vërtetë i xhaxhait tim, u lind në qytetin e Korçës në vitin 1888, prej nga është dhe origjina e familjes sonë. Gjyshi im dhe babai i Koços, quhej Nuçi Kota, dhe në atë kohë ai merrej me tregti lëkurësh e importe të ndryshme nga Italia dhe Greqia.
Koço ishte fëmija i dytë nga tre djem dhe një vajzë që kishte Nuçi Kota, i cili ndonëse nuk e kishte mbaruar shkollën e lartë, ishte njeri shumë praktik. Nga mosha, i pari prej xhaxhallarëve ishte Kristaqi, pas tij vinte Koço dhe më i vogli i tyre ishte babai im, Ilia. Në atë kohë shtëpia e gjyshit, Nuçit, ku u lindën dhe babai im me dy vëllezërit e tjerë dhe motrën Leonorën, ndodhej diku në afërsi të Kishës së sotme Orthodokse të qytetit të Korçës.
Nga të katër fëmijët e Nuçit, vetëm babai im, Ilia, dhe Koço, mundën të mbaronin shkollat e larta, kurse i madhi Kristaqi, dhe vajza Leonora, mbaruan vetëm shkollat e mesme. Siç më ka treguar babai im Ilia, mësimet e para Koço i kreu në qytetin e lindjes në Korçë dhe më pas ai shkoi në Greqi dhe vazhdoi Universitetin në Athinë, ku u diplomua në Shkencat Politike. Ndërsa babai im, Ilia, u diplomua po për Drejtësi, në Universitetin e Stambollit.
Koço u martua fare i ri pas kthimit nga Greqia dhe me gruan e parë që i vdiq në moshë të re, ai kishte tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Vajzat quheshin Tefta dhe Beatriçe, kurse djali kishte emrin e gjyshit, Nuçi. Koço u largua që herët nga shtëpia dhe pasi mbaroi Universitetin e Athinës, ai nuk u kthye më në qytetin e Korçës, pasi iu kushtua politikës. Në vitin 1912 ai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe mori pjesë në administratën e tij, duke punuar si Kryesekretar i Ministrisë së Arsimit, në Qeverinë që kryesohej nga vetë Ismail Qemali.
Sekretar në Kongresin e Lushnjes
“Në vitin 1920-të, Koço Kota mori pjesë në Kongresin e Lushnjes si deputet i Korçës, ku u zgjodh dhe Sekretar i Kongresit. Dy vjet më vonë ai u emërua Prefekt i Beratit dhe pas ngjarjeve të Qershorit 1924, ai u largua nga Shqipëria sepse ishte përkrahës i Zogut”, kujton mbesa e tij, Kristina Kota. Pas riardhjes së Zogut në fuqi në dhjetorin e vitit 1924, Koço Kota u emërua prej tij si kolonel i Xhandarmërisë dhe u dërgua në rrethet e Jugut për të ristabilizuar situatën që ishte krijuar pas grushtit të shtetit të forcave fanoliste.
Në zgjedhjet parlamentare që organizoi Ahmet Zogu pas rikthimit në pushtet, Koço u zgjodh deputet i Korçës dhe u emërua në postin e Ministrit të Punëve Botore. Pas kësaj në vitin 1925, ai u emërua në postin e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, duke i shërbyer me besnikëri Ahmet Zogut, i cili e vlersonte atë si një nga politikanët më të aftë që kishte në krah të tij.
Nga viti 1925 e deri në vitin 1939, Koço Kota arriti në funksionet më të larta të shtetit shqiptar, si deputet, Kryetar i Parlamentit dhe Kryeministër i Shqipërisë. Ai ishte një politikan shumë liberal dhe në vitin 1938, Ahmet Zogu e dërgoi në Paris ku ishte vendosur një pjesë e madhe e mërgatës politike antizogiste, për të biseduar me ta që të ktheheshin në Shqipëri. Koço Kota u largua nga Shqipëria së bashku me Mbretin Zog, në 7 prill të vitit 1939 e u vendos në Selanik, duke mos u përzier me politikë.
Rrëmbimi në Greqi dhe Gjyqi Special
Gjatë gjithë periudhës së Luftës, (1939-1944), Koço Kota qëndroi në Greqi së bashku me familjen e tij, gruan Vasilikën, (nga Korça, por kishte lindur në Stamboll), djalin Nuçin (ishte diplomuar në Francë) dhe dy vajzat, Teftën dhe Betariçen.
Lidhur me mardhëniet e Koços me vëllanë e tij Ilian, si dhe rrëmbimin e tij në Greqi, mbesa e tij Kristina tregon:
“Babai im Ilia dhe familja jonë kishin mardhënie shumë të mira me Koçon dhe familjen e tij, edhe pse Koço ishte zogist, kurse babai im fanolist.
Ne erdhëm në Tiranë në vitin 1937 dhe babai punoi si avokat në Pazarin e Vjetër me kolegun e tij, Avokat Maçin.
Pas largimit të Koços, më 7 prill 1939, ne qëndruam në Shqipëri dhe babai punoi përsëri si avokat, pa u përzierë me politikë. Edhe kur erdhën komunistët në pushtet në fundin e vitit 1944, ne nuk na ngacmuan dhe babai punoi përsëri si avokat. Qëndrimi i komunistëve ndaj familjes sonë, ndryshoi pas rrëmbimit të Koços në Greqi dhe dënimit të tij në Gjyqin Special. Siç më ka treguar babai im Ilia, nga fillimi i vitit 1945, dy-tre oficerë të Sigurimit shqiptar, me ndihmën e komunistëve grekë, shkuan dhe e takuan Koçon në Selanik, ku ai ishte vendosur pas largimit të Zogut nga Greqia.
Ata iu hoqën atij si nacionalistë duke e gënjyer dhe i kërkuan që të kthehej me ta në Shqipëri, pasi do të formonin një Qeveri koalicioni së bashku me komunistët e Enver Hoxhës. Ndonëse ai nuk i besoi thëniet e tyre dhe nuk pranoi të kthehej me ta, e morën me forcë dhe me një makinë të mbyllur e sollën deri në Tiranë, ku ai doli para Gjyqit Special. Gjatë senacave gjyqësore, Koço mbajti një qëndrim dinjitoz dhe nuk i pranoi akuzat që gjoja ai kishte favorizuar pushtimin e Shqipërisë dhe se kishte qenë agjent i grekëve e italianëve.
Ndonëse avokati i tij Dr. Spiro Stringa, (me të cilin familja jonë kishte miqësi të ngushtë) e mbrojti me mjaft profesionalizëm, ai u dënua me 30-vite burg. Po të ishin të vërteta akuzat që u bënë ndaj tij, patjetër që atë do ta pushkatonin si shumë të tjerë që u gjykuan në Gjyqin Special. Por Koço ishte krejt i pastër dhe kishte punuar e luftuar gjithë jetën, vetëm për interesat e Shqipërisë”, shprehet Kristina Kota për xhaxhanë e saj.
Persekutimi i familjes së Ilia Kotes
Pas dënimit të Koço Kotës dhe vdekjes së tij tragjike në Burgun e Burrelit, regjimi komunist u hakmorr ndaj familjes së vëllait të tij Ilias, pasi djali i Koços (Nuçi) dhe dy vajzat e tija, Tefta dhe Beatriçja ishin larguar nga Shqipëria. Vëllai i Koços, Ilia, nuk ishte përzier asnjëherë me politikë dhe ndryshe nga ai kishte qenë simpatizant i Fan Nolit dhe përkrahësve të tij. Lidhur me persekutimin e familjes së Ilia Kotës, e bija e tij Kristina, rrëfen:
“Pas vdekjes së Koços në burgun e Burrelit, ne na hoqën nga shtëpia dhe na lanë disa kohë rrugëve, na çuan në Peqin ku babai punoi përsëri si avokat. Pas dhjetë vitesh që na lanë në Peqin, ne vitin 1963, ne na kthyen përsëri në Tiranë, ku jetuam si mos më keq në një barakë në lagjen Brrakë. Në atë kohë ne detyroheshim të shisnim plaçkat e shtëpisë për të siguruar bukën e gojës.
Edhe pas rikthimit në Tiranë, ne disa herë tentuan që të na hiqnin dhe të na internonin në rrethe të tjera. Babai, Ilia, vdiq në vitin 1968, në moshën 86 vjeçare i abandonuar nga të gjithë miqtë dhe njerzit e afërt për shkak të biografisë sonë. Pas një viti vdiq dhe mamaja jonë Krisianthi.
Më shumë nga të gjithë ne, vuajti motra ime Gallata, e cila punoi në bujqësi gjithë jetën”, e përfundon rrëfimin e saj Kristina Kota, për vuajtjet që kaloi ajo familje, për të vetmin shkak se xhaxhai i saj kishte shërbyer si Kryeministër i Shqipërisë në kohën e Mbretit Zog, të cilin komunistët e kishin shpallur armik të përjetshëm”./Memorie.al