Në fillimet e qeverisjes së tij, Kryeministri (Komandanti siç parapëlqen ta quajnë) premtoi një arsim profesional dhe formim profesional tepër modern me objektiva ambicioze. Madje premtimet e tij, i jetësoi në programin qeverisës së qeverisë së tij, 2013-2017.
Çfarë premtoi Rama?
“Riorientim tërësor i arsimit profesional drejt nevojave reale të tregut dhe kthim i shtetit në financuesin e mbështetësin kryesor të aftësimit profesional. Sistemi mbi të cilin kjo reformë do të bazohet është sistemi dual gjerman që karakterizohet nga një ndërthurje e mësimit teorik me punë praktike. Gjithashtu, kurset dhe arsimi profesional do të zgjerohen edhe në zonat rurale për t’i dhënë nxitjen e nevojshme industrisë agropërpunuese. Do të trajnohen me përparësi të gjithë punëkërkuesit e regjistruar nën moshën 25-vjeçare. Po ashtu edhe të gjitha grave dhe vajzave të regjistruara si punëkërkuese do t’u ofrohet trajnim brenda një viti dhe brenda dy-vjeçarit të parë të të gjithë punëkërkuesve të regjistruar.”
Çfarë ndodhi në realitet?
Rama shkonte konferencë më konferencë, panair më panair, njësi prodhuese apo përpunuese dhe përsëriste të njëjtin refren: “Punë ka por nuk ka profesionistë”, Pastaj gabimet i shikonte tek politika për arsimin profesional që njëherë e fajësonte për 25 vite të shkuara e njëherë për 20 vjet. Kur fjalët mbaruan shkatërrimi i arsimit profesional me bekimin e Komandantit, si në çdo sektor të jetës së vendit, filloi të shfaqi të gjithë përmasat e tij.
Si fillim e hoqi arsimin profesional nga përgjegjësia e Ministrisë së Arsimit dhe ja dërgoi si peshqesh të majmë Ministrisë së Mirëqenies (Lumturisë Popullore), duke qenë i vetmi precedent në të gjithë Bashkimin Evropian dhe në të gjitha vendet e rajonit që na rrethojnë. Ministria e Mirëqenies do ta “kishte prioritet arsimin profesional”, ndërkohë që do të përgjigjej për punësimin, rininë, të persekutuarit, pensionistët, njerëzit me aftësi ndryshe, për shërbimin social dhe sigurisht për të varfrit. Një drejtori në ministri pa shumë burime njerëzore dhe materiale dhe një Agjenci Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional, e sakatuar dhe pa ndonjë buxhet të nevojshëm për objektivat e qeverisë brenda një 4-vjeçari, nuk jepnin asnjë garanci për realizmin e synimeve në këtë sektor kaq të rëndësishëm. Kjo u duk qartë nga mënyra sesi u operua në këtë drejtim.
Gjashtë muaj e më tepër si dhe para pa hesap, u harxhuan për amendimin e ligjit të arsimit profesional, për ta kaluar atë nga Ministria e Arsimit në Ministrinë e Lumturisë Popullore. Pastaj nja një vit e kusur morën udhëzimet, ndarja në dukje e përgjegjësive etj. Kur këto formalitete legale dhe administrative mbaruan, asgjë nuk ndodhi. Arsimi profesional mbeti jetim.
Askush nuk dinte se kush e monitoronte, e mbështeste apo e vlerësonte atë në nivel vendor. Mësuesit nuk dinin nga të shkonin dhe ata po ashtu mbetën në mëshirë të fatit. Numri në rritje që na u premtuar sipas të dhënave të INSTAT u ul dukshëm. Shkollat dhe kurset që do të hapeshin në zonat rurale, për rritjen e aftësive agropërpunuese, nuk u dukën gjëkundi. Zonat rurale u shpopulluan me shpejtësi dhe njësitë e agropërpunimit numërohen me gishtat e njërës dorë.
Gratë, vajzat e po ashtu të rinjtë nën moshën 25-vjeç u lanë të lirë të emigronin dhe askush nuk u kujtua për ta. Vajzat më me fat që u punësuan, ishin ato të zyrave të punës, që buzëqeshnin gjatë gjithë kohës dhe luanin me FB, pasi e vetmja kërkesë e madhe për punësim ishte sektori i Call Center.
Po në qeverinë Rama 2, në vitin 2017 e deri më tani, çfarë ndodhi me arsimin profesional?
Komandanti në vitin 2017 në programin qeveritar, na jepte vetëm një sihariq të madh dhe asnjë gjë më shumë për arsimin profesional: “Gjatë mandatit 2013-2017 iu dyfishua numri i nxënësve në arsimin dhe formimin profesional.” Nëse marrim të mirëqenë këtë fakt, atëherë përse nuk ka profesionistë në treg? Ku shkuan gjithë ky numër që dyfishua dhe përsëri ka mungesë?
Në Shqipëri ka tkurrje të biznesit, mungesë të investimeve të huaja dhe shumë pak interes për njësi prodhuese dhe përpunuese. Kështu që të rinjtë që u dyfishuan në arsimin profesional, mjaftonin e tepronin për të përmbushur kërkesat e tregut. Por në 28 mars 2018, Vetë kryeministri zbulon se pavarësisht “përpjekjeve gjigante” të tij, përsëri “punë ka por nuk ka profesionistë”.
Më besoni që sado të komentohet me 1001 mënyra të ndryshme, ajo shprehja e popullarizuar që “punë ka, por s’ka profesionistë”, është dramatike e vërteta e shumë ndërmarrjeve, sot, që kanë punë, por nuk arrijnë dot të gjejnë njerëzit e duhur për atë punë, njerëzit që i kanë aftësitë ta bëjnë atë punë. Këtu ka disa përfaqësues të sipërmarrjes, të cilët, jam i bindur, mund të dëshmojnë këtë të vërtetë.
Nisur nga eksperiencat e tyre, mund të dëshmojnë se në ndërmarrjet e tyre, në kompanitë e tyre ka ende vende që presin njerëzit e duhur, me aftësitë përkatëse për të mbuluar atë nevojë të kompanisë.”
Për t’i dhënë një dorë përfundimit të veprës së tij për shkatërrimin e arsimit profesional, Komandanti mendoi se më mirë se mësuesi i anglishtes, ministër finance Beni, nuk mund ta bënte askush. Shkriu Ministrinë e Lumturisë Popullore, çoi Blendin të rehatohet në pikat turistike bregdetare e malore dhe ia la Benit arsimin dhe formimin profesional, për ta çuar drejt fundit të sigurt.
Në asnjë vend, në asnjë kohë, në Shqipëri dhe jashtë saj, nuk gjendet ndonjë model i tillë, ku arsimi profesional të jetë përgjegjësi e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Pra kjo ministri do të kishte dhe ka prioritet parësor, buxhetin, hartimin e tij, monitorimin e ekonomisë, politika makro dhe mikro, borxhin publik dhe njëkohësisht arsimin, formimin profesional, hartimin e kurrikulave të arsimit profesional, trajnimin e mësuesve të arsimit profesional etj.
A është njeri në gjendje që ta besojë këtë dhe e aq më pak ta mendojë një situatë të tillë?
Për Komandantin, arsimi profesional as ka qenë as është dhe as nuk do të jetë ndonjëherë prioritet edhe për pak muaj që i kanë mbetur në krye të qeverisë. Kjo për faktin se vetë ai ka njohur shumë të kufizuar për këtë fushë të arsimit dhe ata që ka rreth vetes i ka më pykë se vetja. Pa aq Komandanti nuk ka ndonjë interes që të ofrojë mundësi për të rinjtë të jenë të suksesshëm brenda vendit jo vetëm kur mbarojnë shkollën e lartë, por edhe kur përfundojnë arsimin profesional, pasi vende pune prodhon vetëm administrata shtetërore, ndërsa biznesi privat është thuajse në shuarje të plotë.
Mungesa e investimeve të huaja, bën që të nevojitet më pak krah pune i kualifikuar në tregun e punës. Interesi më i madh i Komandantit dhe platforma dhe prioriteti parësor i pashpallur por tepër i dukshëm, është shpopullimi i vendit veçanërisht prej të rinjve.
Ai nuk i do nëpër këmbë që të prushin planet e tij për sundim, sa më shumë që të jetë e mundur, ai nuk i do kritikat e tyre, nuk do energjitë e tyre pozitive për zhvillimin e vendit, ai është armiku numër një i punës së ndershme dhe sukseset përmes aftësive profesionale të individit dhe jo dallavereve me vulën dhe firmën që të jep privilegji i të qenit qeveritar.
Ai, Komandanti i trembet deri në vdekje, guximit të rinjve, vrullit të tyre, dëshirës për më shumë liri, demokraci, mundësi për një jetë më të mirë. Kështu që ai nuk ka as arsye, as dëshirë dhe as mision zhvillimin e arsimit profesional. Prandaj nuk flet më për arsimin në tërësi dhe për atë profesional në veçanti. Për të shtyrë kohën shpik çdo ditë luftë imagjinare me krimin, ndërsa po vet, vijon krimet ndaj shqiptarëve me çdo rrugë e çdo mënyrë, duke mbytur ëndrrën për një arsim më cilësor, për një jetë më të mirë të të rinjve për rritje e mirëqenies dhe ekonomisë, rritjes së cilësisë së shërbimeve, të cilat do të ishin pasojë e një arsimimi cilësor profesional të popullatës.
Dikush mund të pyes po organizata që monitorojnë dhe kanë punë punuar për arsimin profesional ndër vite në Shqipëri, si e pranojnë këtë realitet?
Për një fakt të thjeshtë: Monitorimin e punës së qeverisë në këtë drejtim, shifrat, analizën në këtë sektor e bën gruaja e Komandantit. Pra gruaja eksperte në arsimin profesional, kontrollon burrin kryeministër dhe i raporton organizmave të huaja sukseset e supozuara në këtë fushë. Por edhe sikur të ishte ndryshe, pra dikush tjetër ta bënte këtë punë, nuk është se do të ndryshonte ndonjë gjë të madhe ë këtë drejtim.
Ai, zoti në tokë, Komandanti, e shkatërroi me bindje të plotë arsimin dhe formimin profesional dhe më një plan djallëzor që vetëm mendja e tij, mund ta përpunonte dhe më pas të na i shiste si një ndryshim strukturor, realitetin e mjerë dhe dramatik në këtë sektor kaq jetësor për ekonominë, jetën dhe të ardhmen e një vendi.