Tirana drejt “tokës së premtuar” serbe të drogës dhe armëve

0
113

Nga Shaban Murati 

 

Kjo është “toka e premtuar” serbe, për të cilën Tirana zyrtare po u bie daulleve se drejt saj do ta shpjerë dhe do ta bëjë popullin shqiptar të lumtur. Është kënga e sirenave të tredhura shqiptare…
Featured image of article: Tirana drejt “tokës së premtuar” serbe të drogës dhe armëve30 Janar, 2020 7:12
Duke qenë se ditirambet e Tiranës zyrtare për bllokun e ri ekonomiko-politik të udhëhequr nga Serbia po tejkalojnë patetizmin e udhëheqjes së dikurshme komuniste të Shqipërisë për Jugosllavinë në vitet 1944-1948, dhe po e paraqesin sot Serbinë si “toka e premtuar” për kombin shqiptar në vend të Brukselit apo Jeruzalemit, është rritur kureshtja për të mësuar më shumë për këtë “tokë të premtuar”, që befas e ka zbuluar së fundmi qeveria e Shqipërisë.

Në këtë drejtim vjen në ndihmë portali i njohur rus “eadaily.ru”, i cili në datën 26 janar sjell deklaratat e bashkëpunëtorit të Institutit të Kërkimeve Europiane në Beograd dhe profesor i jashtëm në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Ministrisë së Jashtme Ruse, Stevan Gajiç.

Ja deklarata e tij: “Udhëheqja serbe hyri në vitin e ri e ngarkuar me dy afera të bujshme, të cilat hedhin hije mbi veprimtarinë e saj. Një nga këto afera është “Jovanica”, sipas emrit të plantacionit, ku u zbuluan sipërfaqet më të mëdha në Europë të mbjella me marihuanë.

Plantacioni ka marrë subvencione nga shteti dhe ky fakt ka ngritur shumë pikëpyetje. Afera e dytë është e lidhur me shitjen e armëve të fabrikës serbe “Krushik” palëve të treta, të cilët ua rishitën terroristëve në Libi dhe në Jemen”.

Dy aferat e mësipërme të drogës dhe të trafikut të armëve janë interesante për faktin se në të dyja dalin të implikuar emra të lartë të qeverisë dhe të shtetit serb. Në mediat serbe të këtyre ditëve janë bërë akuza direkte për implikimin e ministrit të brendshëm Nebojsha Stefanoviç dhe babait të tij, si dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe vëllait të tij Andrej,etj.

Të dy skandalet shpërthyen në dy muajt e fundit të vitit 2019 dhe me vështirësi arritën të dalin në dritë në ato pak media, që nuk kontrollohen ende nga qeverisja autokratike e presidentit Vuçiç.

Portali “balcanicaucaso.org” bënte të ditur në 28 tetor 2019 se falë një artikulli të botuar në revistën serbe “NIN” opinioni publik serb mësoi se ishte arrestuar një ekspert serb, A. Obradoviç, për nxjerrjen e disa dokumenteve, që tregonin se babai i ministrit të brendshëm Nebojsha Stefanoviç ishte i implikuar në aferat e trafikimit të armëve, duke i shkaktuar dëme kompanisë shtetërore të armëve “Krushik”.

Në 15 shtator portali “Arms Watch” kishte botuar dokumente, që tregonin se kompania “GIM” e babait të ministrit të brendshëm kishte blerë armë me çmime favorizuese në kompaninë shtetërore “Krushik”.

Media e mirënjohur investigative ballkanike “BIRN” në 2 dhjetor 2019 shkruante se dokumente të brendshme tregojnë që “Krushik” i ka shitur kompanisë“GIM” miliona dollarë armatime me çmime çuditërisht të ulta. Reporteri i “BIRN”, Aleksander Gjorgjeviç e quajti aferën “Krushik” si “prova më e qartë edhe më e fuqishme e korrupsionit në krye të qeverisë”.

Portali “thealtworld.com” shkruante në 21 nëntor 2019 se skandali me armët serbe të trafikuara në zonat e luftës shpërtheu pasi “Arms Watch” publikoi investigimin për armët e terroristëve të ISIS-it në Jemen.

Dokumentet e publikuara zbuluan që armët e prodhuara nga “Krushik” dhe të shitura në Arabinë Saudite përfunduan në duart e terroristëve të Shtetit Islamik në Jemen. Eksperti serb Obradoviç deklaroi në media se presidenti Vuçiç dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë kanë qenë të informuar paraprakisht për biznesin e dyshimtë të kompanisë “Krushik”.

Nuk është rastësi që qeveria serbe, në vend të niste hetimin për trafikun e paligjshëm të armëve serbe, që përfundojnë te terroristët në zonat e luftërave, urdhëroi arrestimin e personit, që u akuzua për nxjerrjen në shtyp të dokumenteve komprometuese të kompanisë shtetërore të armëve “Krushik”.

Trafiku i armëve serbe drejt zonave të luftërave lokale, ku është e ndaluar tregtia e armëve dhe të cilat ndodhen nën embargon e OKB, është një nga bizneset tradicionale të qeverive dhe të shërbimeve sekrete serbe.

Është një trafik i organizuar mbi baza nepotike të udhëheqësve serbë dhe i drejtuar nga shërbimi sekret serb,trafik nga i cili drejtuesit e shtetit dhe të qeverisë nxjerrin fitime kolosale.

Jo rastësisht trafikun e drejtonte babai i ministrit të brendshëm, ministër i cili është një nga njerëzit më të besuar e më të afërt të presidentit Vuçiç.

Kaq flagrante ishte linja e drejtimit nepotik, sa që babai i ministrit të brendshëm, që ka kompani private të tregtisë së armëve, ishte në vitin 2019 pjesëmarrës zyrtar në delegacionet zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, që shkonin në shtetet e tjera për të blerë armë.

I njëjtë është implikimi i qeverisë dhe i shtetit serb në fermën e plantacioneve të drogës në kompaninë e madhe bujqësore “Jovanica”, e cila merrte subvencione kolosale nga qeveria serbe. Policia, që sekuestroi mbi katër tonelata mariuhanë, zbuloi se 12hektarë ishin mbjellë me marihuanë, një sipërfaqe që u vlerësua si më e madhja në Europë.

Zëvendëspresidenti i Partisë Popullore Serbe, Miroslav Aleksiç, deklaroi në 28 nëntor 2019 lidhur me skandalin e “Jovanicës” se “ky është një biznes i madh i shtetit”, dhe bëri të ditur nga burimet policore se njeriu i parë, që mori në telefon menexheri i arrestuar i fermës së mariuhanës, ishte vëllai i presidentit serb Vuçiç.

Parlamentari Aleksiç deklaroi në media se Nebojsha Stefanoviç, ministri i brendshëm, ishte një vizitor i shpeshtë në fermën “Jovanica”.

Dy aferat skandaloze të drogës dhe të kontrabandës së armëve, ku janë përfshirë emrat më të lartë të qeverisë dhe të shtetit serb, paraqesin interes për publikun shqiptar, i cili ka të drejtë të dijë se çfarë përfaqëson qeveria e Serbisë, për të cilën qeveria e Shqipërisë po i thotë se do ta çojë kombin shqiptar në “tokën e premtuar” serbe të paqes e të bollëkut.

Publiku shqiptar është i etur të dijë, sepse është interesant që mediat e Shqipërisë, të cilat nuk lenë vrimë pa u futur për të publikuar lajmet demaskuese serbe për Kosovën si “shtet i drogës”, kanë mbajtur një heshtje të sponsorizuar masive për aferat skandaloze të drogës dhe të trafiqeve, ku është përfshirë qeveria serbe.

Ndoshta kjo vjen edhe nga fakti që këto skandale serbe plasën në kohën kur presidenti i Serbisë nisi organizimin e samiteve hot-dog të tre shteteve të Ballkanit Perëndimor për formimin e bllokut të ri ekonomiko-politik të drejtuar nga Serbia.

Opinioni publik shqiptar ka të drejtë të dijë se çfarë lloj qeverie është kjo e Beogradit, që ka marrë për dore disa shtete të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërinë në një bashkësi të re, të udhëhequr nga Serbia.

Qeveria shqiptare dhe mediat shqiptare nuk kanë folur kurrë për trafiqet e drogës dhe të armëve, që bën shteti serb dhe mafia serbe. Dikush në Beograd dhe në Tiranë ka qenë i interesuar që të paraqitej Serbia si shtet i virgjër, që krijon kontrast me imazhin negativ dhe kriminal të Kosovës, imazh që e ka ngritur Serbia gjatë 20 viteve, me aparatin e saj kolosal ndërkombëtar propagandistik dhe diplomatik.

Ndaj skandalet e drogës dhe të trafikut të armëve, ku është përzierë qeveria dhe shteti serb, paraqesin interes sidomos tani që Serbia ka dalë me projektin e bllokut ballkaniko-perëndimor, dhe opinioni shqiptar duhet ta dijë se kush dhe përse do të na çojë në “tokën e premtuar” serbe.

Madje, që idiotizmi zyrtar i Shqipërisë të thyejë një rekord, Tirana zyrtare ka shpikur gjetjen e re se tani Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në projektin e Serbisë, dhe jo më në BE, siç ka qenë reklamuar deri tani.

Trafiqet e drogës dhe të kontrabandës së armëve përbëjnë një nga profilet kryesore të portretit të sotëm të Serbisë. Serbia e drogës dhe e trafiqeve shpiku projektin e bllokut të ri apo të aleancës së re ballkaniko-perëndimore, të cilën vetë presidenti Vuçiç me të drejtën e autorit e ka përkufizuar si “Jugosllavia e re, plus Shqipërinë”.

Mjerimi i tellallëve të vegjël shqiptarë të projektit serb është se bëjnë sikur nuk e shohin që mbreti serb është lakuriq në ambiciet e tij hegjemoniste ballkanike. Është vërtet e dhimbshme kur dëgjon se si Tirana zyrtare i bën reklamë projektit serb më shumë se Beogradi zyrtar. Nuk është hera e parë që drejtuesit e Shqipërisë bëjnë rolin e rajait, që përulet para kësulës së agait.

Skandalet e drogës dhe të kontrabandës së armëve, ku është përfshirë qeveria serbe, janë këmbanë e re për të zgjuar shqetësimet në BE dhe në NATO lidhur me rolin negativ dhe destabilizues të Serbisë në rajon dhe efektet negative të projekteve antieuropiane të të ashtuquajturës “zonë e përbashkët ekonomike e Ballkanit Perëndimor”.

Serbia me plantacionet më të mëdha të drogës në Europë, të financuara nga qeveria, dhe me kontrabandën shtetërore të armëve për organizatat terroriste, duhet të bëhet çështje dite për diplomacinë europiane dhe atlantike.

BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia pat furnizuar me raketa dhe me këshilltarë ushtarakë regjimin e Sadam Hyseinit në Irak. BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia pat dërguar armë dhe qindra mercenarë për të mbrojtur regjimin e kolonel Ghadafit në Libi. BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia ka dërguar armë dhe qindra mercenarë në mbrojtje të regjimit të Asadit në Siri. BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia ka dërguar armë dhe dhjetëra mercenarë, që luftojnë në mbështetje të forcave separatiste proruse në Ukrainën Lindore.

BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se armët serbe po shkojnë në duart e ISIS-it, Al-Kaedës dhe organizatave të tjera terroriste në Libi, Jemen, Siri, Irak, etj. BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia është shteti, që mori pjesë në përpjekjet për grusht shteti në Mal të Zi në tetor 2016 dhe në Maqedoninë e Veriut në prill 2017.

Kjo është “toka e premtuar” serbe, për të cilën Tirana zyrtare po u bie daulleve se drejt saj do ta shpjerë dhe do ta bëjë popullin shqiptar të lumtur. Është kënga e sirenave të tredhura shqiptare…

Marrë nga Gazeta Dita

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here