9 familje hidhen në rrugë te Medreseja, banori i revoltuar: Jemi të terrorizuar…

0
6

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, IKMT, e mbështetur dhe nga forca të shumta policore, po tenton prishjen e një godine trekatëshe në zonën e Medresesë, e cila ka shërbyer më parë si kopsht, mirëpo është përshtatur për banimin e të paktën 9 familjeve.

Njëri prej kryefamiljarëve tregon për Fax News se ata janë pronar me dokumentacion të rregullt të truallit të tokës, por që iu është marrë në kohën e komunizmit, dhe më pas aty është ndërtuar një kopsht.

Pas rënies së regjimit, kjo godinë është përshtatur për banim, ndërkohë që këtyre banorëve iu është njohur e drejta e pronës për truallin, por jo për ndërtesë. Mirëpo edhe pse çështja është ende në proces gjyqësor, Bashkia e Tiranës kërkon prishjen e kësaj godine, pa të drejtë shpronësimi për këta banorë.

E vetmja zgjidhje që atyre iu është ofruar është strehimi në banesat sociale, zgjidhje të cilën ata nuk e kanë pranuar, pasi kërkojnë minimalisht një dëmshpërblim. Banorët thonë se nuk ka shkuar askush për t’i takuar, dhe se njoftimi për prishjen nuk u është komunikuar zyrtarisht, ndërsa u kanë mbetur brenda banesës dhe orenditë shtëpiake.

“Toka është e jona, e shtërgjyshërve tanë, ne kemi një letër që kjo tokë nuk është e shfrytëzuar për kopsht. Ne jemi pronarë të tokës, ndërsa godina i takonte Ministrisë së Arsimit, dhe më pas i është kaluar Bashkisë.

Unë nuk kam çfarë humbas më, nuk e di se ku shkoj, nuk na ka takuar askush që të na lajmëronte. Nuk e dimë se ku jetojmë, ne jemi në process gjyqësor, avokatin as nuk e kanë lejuar që të hyjë aty brenda. Jemi të terrorizuar, seanca gjyqësore është në 6 Shkurt, banesat janë drejt shembjes.

Në momentin kur ka hyrë policia kanë qenë dy fëmijë, të terrorizuar, fëmijën tim e nxora nga dera tjetër, e kisha dhe me temperaturë, jam i shokuar”, u shpreh banori, për gazetaren e Fax News Fjona Çela.

Situata në këtë zonë mëngjesin e sotëm  u paraqit mjaft e tensionuar, ndërkohë që nuk ka asnjë projekt konkret se çfarë do të ndërtohet në zonë nga ana e Bashkisë. Avokati i këtyre familjeve nuk u lejua që të kalonte kordonin policor, edhe pse është parashikuar që rreth një javë më pas të jetë seanca e radhës për çështjen e pronës, që me siguri mund të shembet në orët në vijim të pasdites së sotme.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here