Nga Ilir Kalemaj
Ka mbi tetë mijë kombe në botë, ku pjesa më e madhe kërkojnë krijimin e shtetit të tyre sipas kufijve etnikë ose autonomi të gjerë kulturore në shtetet aktualë ku bëjnë pjesë. Megjithëse koncepti i shtet-kombit vetë i ka fillesat në periudhën e Rilindjes Evropiane, duke ndjekur Revolucionin Francës, luftërat napoleonike dhe vençarisht ndryshimet me të cilat u shoqërua revolucioni industrial, ky nocion është bërë kaq i pranishëm dhe i rezistueshëm ndaj sfidave epokale, të tilla si Lufta e Ftohtë, ku ideologjia dukej se zëvendësoi përkohësisht ndjenjat kombëtare, apo dy luftërat botërore ku aleancat mes shteteve ishin rreshtuar sipas botëkuptimeve ideo-politike.
Pas rënies së Perdes së Hekurt, në vend që shtet-kombet të zhdukeshin sikundër kishin profetizuar studjues të njohur, ato u kthyen në shenjuesit kryesorë identitarë dhe aktorët kryesorë globalë dhe rajonalë. Kufijtë nacionale në vend që të pushonin së ekzistuari, u kthyen më domethënës se kurrë si demarkatori kryesor i gjeopolitikës dhe marrëdhënieve mes shteteve. Lufta rrallë e ndezur dhe më së shumti latente për të zgjeruar këta kufijë qoftë nëpërmjet ekspansionit ekonomik, kulturor apo politik, ka shërbyer si raison d`état vençarisht për shtetet që kanë pasur mundësitë gjeografike, ushtarake, financiare e me radhë.
Alternativa separatiste ka vite që është përhapur në Europë dhe më gjerë. Separatizëm herë i kërkuar nga popullsia lokale sikundër rasti i Katalonisë në Spanjë dhe Skocisë në Mbretërinë e Bashkuar ku referendume përkatëse janë duke u gatitur dhe herë i imponuar nga jashtë, si rasti tashmë famëkeq i Krimesë dhe ku Ukraina Lindore është duke e ndjekur me shpejtësi. Disa raste kanë kërkuar prej dekadash zgjiddhje paqësore si rasti i Flanders në Belgjikë apo Kebekut në Kanada, disa janë shkëputur dhunshëm si Biafra dhe Katanga në kontinentin Afrikan apo lëvizja e Baskëve në Spanjë që ndërmorrën që fushatë të dhunshme fill para dy dekadash.
Sikundër thotë Frank Jabos në një artikull së fundmi, “asnjë prej këtyre vendeve nuk ka bërë ndarjen përfundimtare, as nëpërmjet votimit, as nëpërmjet plumbit- ndoshta sepse autonomia i ka kënaqur deri diku kërkesat e separatistëve”.
Nga, këto lëvizje janë kaq të njohura globalisht pikërisht sepse kanë qenë të vazhdueshme pa ndonjë përfundim të qartë.
Ndërkohë që nga ana tjetër e medaljes kemi lëvizje të dhunshme apo specifike që kanë kërkuar të kundërtën e separatizmit. Kurdët janë një rast i tillë, ku të shtrirë në katër shtete (Turqi, Siri, Irak dhe Liban) kanë kërkuar prej dekadash krijimin e një shteti të veçantë.
Një rast tjetër janë somalezët në Afrikë ku në përpjekje për të krijuar një shtet homogjen etnik dhe rikuperuar territoret e humbura si rezultat i dekolonalizimit ose më parë në fakt u katandisën në një shtet pa shtet, ku grupe të ndryshme private kontrollojnë pjesë të ndryshme të territorit dhe angazhohen në pirati ndaj anijeve që huaja që kalojnë atypari shpesh në ujëra ndërkombëtare, duke cënuar rëndë rendin juridik ndërkombëtar që i ka fillesat e veta pikërisht me një traktat shumëpalësh kundër piracisë.
Disa nga këto lëvizje separatiste kontrollohen dhe nxiten drejtëpërsëdrejti nga aktorë shtetërorë me peshë jo të papërfillshme në skakierën botërore, ku vlen të veçohen përpjekjet e Rusisë në nxitjen e separatizmit në krahinat e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore ne Gjeorgji, Transdnistrisë në Moldavi apo rastet e Krimesë dhe së fundmi Ukrainës Lindore që vijon të mbahet peng nga Rusia. Ndonëse lëvizje separatiste të tjera kanë lindur në kah të kundërt, pikërisht për t`iu kundërvënë hegjemonisë së Moskës, ku vlen të veçohen lëvizjet e mëparshme në Çeçeni apo ato në Dagestan, Ingusheti etj.
Shumë nga këto lëvizje janë të orkestruara qëllimisht për të provokuar destabilitet apo për të shërbyer si konflikte të ngrira, ndonëse i referohen formalisht të drejtës ndërkombëtare dhe bëjnë përpjekje financiare, diplomatike apo kulturore për t`u njohur ndërkombëtarisht apo rritur numrin e sponsorëve në nivel global.
Lëvizjet separatiste shpesh ndezin pasionet politike, kulminojnë me akte dhune, kërcënojnë rendin ndërkombëtar të sigurisë, çojnë në kërpudhëzimin e shteteve të paafta për vetqeverisje dhe me burime të pamjaftueshme, mund të shpien në rrezikun e kontrollit të tyre nga shtete të tjera, shpesh me natyrë autoritariste (puppet states), si dhe vendosin precedentë të rrezikshëm që nuk i shërben së drejtës ndërkombëtare.
Shpesh është abuzuar në mënyrë absurde me rastin e Kosovës i cili ka qenë një rast i pastër sui generis, si kapitulli i fundit i përmbylljes së konfliktit jugosllav dhe që pasonte logjikisht një rast të spastrimit etnik në masë dhe një ndërhyrje ndërkombëtare humanitare të autorizuar nga NATO dhe ku ngjashmëria me shembuj të afërt si Mali i Zi i cili u shkëput rreth dy dekada mw parë nga Unioni jo-funksional Serbi-Mali i Zi, Eritrea nga Ethiopia apo Sudani i Jugut nga Sudani është ku e ku më e afërt se rastet e kontestuara të sjella në vëmendjen e lexuesit më sipër.