I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ , analisti Agron Gjekmarkaj është përfshirë në debatin e madh që shkaktoi deportimi në Turqi i mësuesit Harun Çelik.
Gjekmarkaj tha se Çelik nuk ishte terrorist, ndërsa shtoi se qeveria shqiptare theu kodin e besës, pasi mësuesi ishte në rrezik.
“Mësuesi Harun çelik ishte në rrezik, por u thye kodi i besës dhe i mikpritjes. Mendoj se Shqipëria humbi një shans për ta treguar atë. Mendoj se Shqipëria bëri një autogol dhe tregoi se ne jemi në një sferë vasaliteti ndaj Turqisë. Ata po na përdorin si një zonë influencë ku nuk përdoren të drejtat ndërkomëbtare. Ata bëjnë çka të duan për të kapur dhe për të arrestuar ata që quhen gylenist. Problemi është që Shqipëria si një vend që aspiron për të hyrë në BE, duhet të garantojë të drejtën e atyre që u rrezikohet jeta. Këtu kemi të bëjmë me një mësues, dhe jo me një terrorist siç thuhet nga Turqia. Shteti shqiptare duhet të jepte një pritë.
Kjo tregon se njerëzit në Shqipëri mund të depërtohen, për të thyer çdo barrierë të shtetit ligjor në vend, për t’i bërë qefin presidentit turk, që kryeministri jonë ka model, apo aspiron si model në Shqipëri. Ai po bën çmos për ta kënaqur atë me kosto për dinjitetin e kombit shqiptar në raport me kombet e tjera të qytetëruara.”, tha Gjekmarkaj. Teksa u ndal tek deklarata e shtetit shqiptar se depërtimi u krye duke respektuar procedurat, Gjekmarkaj tha se mediat turke flasin për një operacion të suksesshëm të Inteligjencës turke. Duke risjellë në vëmendje rastin e Kosovës ku u depërtuan 6 gylenistë, analisti tha se ky shtet reflektoi menjëherë, duke shkarkuar ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj.
“Kjo nuk duket se është çështje procedurash, por duket më e thellë. Mediat turke flasin për një sukses të Shërbimeve Inteligjente të Turqisë, ndërsa autoritetet shqiptare flasin për zbatim ligji. Ka dy të vërteta, por ne e dimë se është vetëm një. Dy të vërteta nuk përputhen. Nëse rrimë tek krahasimi tek Kosova, (Deportimi i 6 gylenistëve) Kosova qëndroi me dinjitet. Atje kishte dy linja, linja e Thaçit dhe e Ramush Haradinjat. Në këtë aspekt Kosova reflektoi thellë dhe menjëherë, me shkarkimin e ministrit të Brendshëm. Këtu tek ne të lë shijen e keqe që të themelojnë një traditë. E druaj shumë, që ky do të jetë vetëm fillimi dhe do të ketë raste të tjera.”, pohoi Gjekmarkaj.
Po ashtu analisti tha se Rama është pozicionuar përkrah presidentit Erdogan, ndërsa opozita ka zgjedhur që të reagojë përmes zërave jo me rëndësi dhe jo vet liderët.
“Rama ka zgjedhur që të jetë me Erdogan në mënyrën se si qeveris brenda vendit, pasi sulmon postin e presidentit, mediat, sundon ekonominë, si në rastin e ligjit ati-shpifje. Ai e adhuron presidentin e Turqisë, dhe përpiqet që t’i ngjajë, të paktën tenton dhe përpiqet që mos t’ja thyejë zemrën. Opozita jonë nuk ka zgjedhje tjetër. Ne duhet të kemi marrëdhënie të mira me Erdogan, por s’duhet ta kemi model. Për oportunizëm politik, ajo nxjerr zyrtar të dytë ose të tretë që të bëjë deklarata. Nuk shohim reagim nga liderët. Shqipëria duhet të ketë reagim pa ekuivok, pasi e kemi dashur shumë Europën dhe duam të jemi pjesë e saj. S’kemi rrugë tjetër përveç Europës. Opozita është e dënuar që të jetë nga Europa.”, përfundoi analisti.