“Nderi i qarkut Dibër” për Haxhi Lleshin që kreu gjenocid mbi shqiptarët, reagon Çupi: Turp historik, Rama ta anulojë!

0
104

Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas dhënies së titulli “Nderi i qarkut” për Haxhi Lleshin pas vdekjes.

Dhurata Çupi, ish-deputete e PD në një postim në “Facebook”, e cilëson një turp historik dhe thotë se me urdhër të Haxhi Lleshit janë ekzekutuar dhjetëra të pafajshëm gjatë regjimit komunist. Ajo i kërkon kryeministrit Edi Rama të anulojë këtë urdhër për këtë akt të turpshëm të Qarkut të Dibrës.

Gazetari Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se dhënia e titullit ka qenë në rendin e ditës së mbledhjes së sotme të Këshillit të Qarkut Dibër dhe është miratuar por nuk dihet ende motivacioni.

Peshkopi Haliti

“Titulli i nderit për Haxhi Lleshin: Një turp historik
Një turp që duhet anuluar. Nuk mund të dekorohen xhelatët- me urdhër të cilëve janë ekzekutuar dhjetëra e qindra të pafajshëm.
Ky është rikthim në antivlerat dhe anti-njerëzit e komunizmit. Një turp për Shqipërinë e 2019 dhënia e titullit të “nderit të Dibrës: ish Kryetarit i Presidiumi të Kuvendit Popullor, ish- sekretarit të parë dhe anëtar i ish- Komitetit Qendror, Haxhi Lleshi.
Bijtë e ish-komunistëve, tashmë në pushtet, nuk po lënë figurë të sistemit gjakatar komunist, pa e kujtuar dhe rikthyer në piedestal. Një turp historik, vlerësimi dhe titujt për individë që me urdhra direkte kane vrarë e ekzekutuar dhjetëra të pafajshëm gjatë regjimit komunist.
Dhënia një titulli të tillë për xhelatin e Dibranëve, dhe familjeve me emër Matjane, është i papranueshëm dhe duhet të anulohet një orë e më parë.
I bëj thirrje Kryeministrit të kërkojë anulimin e urdhrit të tij për këtë akt të turpshëm të qarkut të Dibrës.

Koha e komunistëve dhe bijve të tyre ka marrë fund para 30 vitesh. Promovimi i tyre nga ky pushtet, pas 3 dekadave është i papranueshëm”, shkruan Çupi.

Cupi

Po kush është Haxhi Lleshi?
Haxhi Lleshi (Reshan, 1 maj 1913 – Tiranë, 1 janar 1998) ka qenë figurë politike shqiptare. Haxhi Lleshi përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qenë, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.

Në vitet 1920-1926 punoi si çoban në vendlindje. Më 1926-1931 ndoqi shkollën fillore, më pas ndoqi një klasë gjimnaz në gjuhën shqipe dhe të dytën e të tretën në gjuhën serbo-kroate në shehër të Dibrës.

Haxhi Lleshi

Në vitet 1940-1941 internohet nga jugosllavët në Vranjë dhe Shkup. Në vitet 1941-1942 qëndroi në Peshkopi e Mat. Në qershor të 1942 është komandant i një çete në Peshkopi. Më 1943 bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në vitet 1943 – 1944 është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Më 1944-1946 anëtar i KANÇ-it dhe ministër i Punëve të Brendshme. Më 1946-1948 qe ministër pa portofol
Gjatë kohës që ishte në krye të MPB nënshkroi autorizimin për dërgimin e mijëra kosovarëve të Shqipërisë së Mesme, nga Tirana, Durrësi, Lushnja e Kavaja për t’ia dorëzuar organeve të UDB-së në Tiranë.
Më 1948-1949 qe kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit. Më 1949 – 1953 shërbeu si drejtor i Drejtorisë së Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në të gjitha legjislaturat nga 1946 deri më 1992 u zgjodh deputet. Më 1953-1982 qe president i Presidiumit në Kuvendin Popullor. Më 1966-1991 qe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Në shkurt të 1991, anëtar i Këshillit Presidencial.
U burgos për genocid. Vdiq në Tiranë më 1998.
Pas zbulimit të shumë krimeve të komunizmit dhe kërkesave të vazhdueshme të opinionit publik me dekretin nr. 1018, datë 13 shkurt 1995 të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktin kriminal të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës komuniste Haxhi Lleshit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të regjimit komunist.

Në një rrëfim që historiani Uran Butka ka sjellë gjatë promovimit të librit të tij “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” do të thoshte: “Ish-ministri i Brendshëm Haxhi Lleshi nuk u pendua kurrë për atë që bëri me shqiptarët e Kosovës në Masakrën e Tivarit. Kur i dërgova një dokument për të konfirmuar firmën e tij, ai tha ‘nuk jam penduar. Ne ishim një me jugosllavët. Kosovarëve ua bëmë mirë se ishin reaksionarë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here