Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg tre femra të akuzuara për një vepër penale jo të zakontë në Shqipëri, atë të “pornografisë”.
Sipas vendimit të siguruar nga A2, ato kishin hapur profile në faqe me përmbajtje pornografike në internet, ku zhvillonin video-biseda erotike me meshkuj nga gjithë bota, kundrejt pagesave që kryheshin përmes kartave të kreditit. Hetuesit sekuestruan kompjuterët e përdorur në këto qendra “chat-line”-sh të nxehta dhe rikuperuan të gjitha fotot dhe videot që ishin fshirë.
Mes materialeve pornografike u vërejtën fotot me natyrë pornografike të së miturës. Në deklarimet e dhëna gjatë hetimit, e ëma e saj, e pandehur në proces, shpjegonte se kishte dijeni për faktin dhe se në disa raste ishte detyruar nga dy të pandehurat e tjera.
Pasi i shpalli fajtore për akuzën e “pornografisë”, gjykata dha dënime nga 3 vjet e 4 muaj në 3 vjet e 8 muaj për to. I njëjti vendim i hoqi përgjegjësinë prindërore nënës së minorenes.