Qeveria nuk ka asnjë plan konkret për të kaluar krizën që solli tërmeti…Çfarë pritet??

0
94

Nga Jorida Tabaku

Qeveria nuk ka asnjë plan konkret për të kaluar krizën që solli tërmeti i 26 nëntorit. Përpos propagandës me shifra që nuk janë as në letër dhe as në buxhet, qytetarëve nuk po u ofrohet asnjë alternativë. Vetë buxheti i 2020 pa ndodhur tragjedia e tërmetit, parashikonte kosto shtesë prej 1 mijë eurove për çdo sipërmarrje të vogël dhe të mesme, pasi qeveria ka dhënë me koncesion një kompanie kroate programin e ri të tatimeve. Ditën e djeshme nuk është kaluar vetëm buxheti 2020 por edhe paketa fiskale që si në traditën e pasur të anti-biznesit të kësaj mazhorance do taksojë më shumë shqiptarët.

Asgjë nuk ka ndryshuar pas tragjedisë së tërmetit. Rregullat e bilancit janë të thjeshta, në fund llogaria duhet të dalë zero, pra hiqet një shumë në një krah dhe vendoset në një krah tjetër. Qeveria ende nuk ka sqaruar se kujt do t’ia heqë buxhetin për t’ia kaluar zërit të emergjencës, përkundrazi nuk kemi asnjë të dhënë. Buxheti aktual parashikon investime publike më 4.7% më të ulëta se sa viti 2019, investimet për ushtrinë (pra për heronjtë që pa doreza dhe pa mjete ndihmëse punuan deri sa erdhën miqtë tanë dhe vëllezërit nga Kosova) është 0.93% e PBB-së. ndërkohë që arsimi është 2.3% e PBB-së nga 4% që duhet të ishte.

Gjasat janë që qeveria të ulë edhe më shumë vlerat në buxhet për zërat kryesorë në të duke rënduar edhe më shumë situatën sidomos pas tërmetit. Për të mbuluar këtë paaftësi dhe mbi të gjitha për t’ju shmangur përgjegjësisë qeveria premton lugën e floririt që në fakt është lugë bosh.
U premton qytetarëve pallate nga arkitekti Casamonti (klienti i përhershëm i qeverisë) ndërkohë që ka qeverisur Durrësin me Vangjush Dakon për tre mandate me radhë duke e shkatërruar. Nuk mban përgjegjësi për çfarë ka ndodhur pas tërmetit të parë dhe ndërkohë abuzon me shifrën e 200 mln eurove.

Natyrisht ka një rrugë për të kaluar këtë situatë; anulimi i 13 kontratave PPP që siç është vërtetuar dhe njohur botërisht janë abuzive dhe të tejfryra. Mund ta kishin nisur që me 3 kontratat e miratuara në mënyrë anti-kushtetuese gjatë këtij viti dhe të kishin në buxhet 150 mln USD më shumë për të rindërtuar vendin. Por jo, mazhoranca do të abuzojë dhe po pret ndihmën nga jashtë. Pra, po shet shqiptarët për të pritur ndihmat dhe kjo është më së paku anti-humane.

Mazhoranca dhe kryeministri po luajnë me ndjenjat dhe emocionet e qytetarëve. Ata janë të papërgjegjshëm dhe po përdorin krizën post-tërmet njësoj si spekulatorët e tregut, për të përfituar sa më shumë personalisht dhe për të abuzuar. Kanë gjetur projektuesin, që padyshim do të qe Cassamonti dhe po përgatisin terrenin për PPP-në e radhës që do e shesin si “Rimëkëmbje”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here