Për një moment pasditen e djeshme, kamerat e televizioneve- të stacionuara përpara një prej gërmadhave në Durrës- fiksuan një fytyrë të njohur.
I veshur sportiv, ish-kryebashkiaku i qytetit bregdetar Vangjush Dako kalon për një moment shiritin e verdhë dhe takon dikë. E gjithë skena zgjat pak sekonda. Më pas ai zhduket mes turmës, sikur donte që të mos e shihte askush.
Qyteti, të cilit i ka vënë vulën në çdo cep, po lëngon. Një gazetë greke shkruante me plot të drejtë se Durrësi duket sikur është bombarduar. Më shumë se gjysma e pallateve në qytet janë të dëmtuar. Pasojat janë katastrofike. Dëmet ekonomike të pallogaritshme.
Një tjetër portal grek vazhdon t’i mëshojë tezës së hedhur që një ditë më parë nga ekspertët sizmiologë grekë, se një tërmet i tillë është i fuqishëm, por problemi i vërtetë në qytetin bregdetar janë ndërtimet, jo lëkundjet e tërmetit.
Si për ta bërë akoma më të madhe plagën, historianët kujtuan një ditë më parë se Durrësi është goditur nga tërmetet që kur ka nisur të ekzistojë si qytet.
Kur të tria këto bëhen bashkë, është momenti për të drejtuar gishtin tek fajtori.
Si është e mundur që në një qytet me rrezikshmëri të lartë sizmike, ndërtimet të jenë në gjendje të tillë katastrofike.
Si është e mundur që pallatet bien si kuti kartoni nga një tërmet 6.3 ballësh, kur duhet të planifikohen për të rezistuar deri në 11 ballë?
Pse është lejuar të ndërtohet në rërë e kudo me betonin e vetë Dakos?
Si ka mundësi që edhe në zona pa aktivitet të madh sizmik, ndërtimet kontrollohen me rreptësi? Arsyeja është e thjeshtë: sepse të tilla ngjarje ndodhin shumë rrallë.
E gjithë ajo zhytje në llumin e korrupsionit dhe krimit do dilte diku.
Kjo është arsyeja se përse kryeministri Edi Rama u shfaq dy herë në Durrës, por pa ‘Akulloren’ e tij në krah, me shpresën se kështu do e ‘pastrojë’ veten nga ajo masakër ndërtimore e mjedisore, e cila po jep pasoja.
Tani është koha që dikush të bëhet shembull.