Eksperienca shqiptare me vetingun në drejtësi dhe problemet që ajo shfaqi kanë detyruar BE të pezullojë aplikimin e të njëjtës reformë në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut.
Në një interviste eksluzive për A2, kryeministri Zoran Zaev pranon se ishte Brukseli që e frenoi në nisjen e këtij procesi: “Unë e pata premtuar në zgjedhje, jo veting, por atë që e cilësoj njohje e së drejtës për t’u rizgjedhur e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ishte pjesë e programit. Por, kur mora detyrën, BE nuk dha mundësi të nisja procesin. Pse? Sepse ndoshta duhet të ndiqnin si po shkonte në Shqipëri, si do të mbyllej. Ata na thanë se nuk keni njerëz, nuk keni si të plotësoni vendet që do të mbeten bosh”.
Nuk e mohon se bashkimi në të ashtuquajturin Shengen Ballkanik synon shtimin e presionit ndaj Unionit Europian për të përshpejtuar procesin e integrimit: “Të bësh presion është mirë. Shpresoj, presion pozitiv. Por, ata do të shohin më shumë luftë ndaj korrupsionit. Do të shohin se vlerësojmë taksat e paguara nga qytetarët në Francë apo Gjermani, si ne ndërtojmë rrugë, autostrada, sepse ata kanë shpenzuar shumë para në rajon. Ata do të shohin se ne vlerësojmë. Ne shpresojmë që të ketë impakt pozitiv tek Bashkimi Europian, por më së pari ne e bëjmë këtë për qytetarët tanë”.