Shpopullimi, Shqipëria vetëm me Rilindas dhe pensionistë…

0
134

Ikjet masive të shqiptarëve në kërkim të azilit në një nga vendet e BE-së nuk kanë të ndalur. Për përiudhën janar-shtator 2019, kërkesat për azil u rritën me 21% krahasuar me të njëjtën përiudhë të një viti më parë. Shifrat zyrtare u publikuan nga Zyra e Mbrojtjes Europiane për Azilantët, një institucion ndërkombëtar që tregon të vërtetën dhe jo manipulimet e qeverisë sonë.

Si për ironi, pikërisht kur kryeministri Edi Rama gjezdiste Brukselin për të kërkuar hapjen e negociatave, qytetarët tanë aplikonin për azil në shifra të frikshme, duke humbur çdo shpresë se diçka mund të ndryshojë në Shqipëri. Përgjatë nëntë muajve, 15.469 shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë për azil, ndërkohë që për të njëjtën periudhë, në vitin 2018, kanë kërkuar azil për herë të parë 12,835 shqiptarë.

Për strukturat qeveritare shqiptare janë vetëm disa numra, por e vërteta mbetet se në nëntë muajt e fundit, janë mbi 15 mijë histori njerëzore të qytetarëve tanë që në pamundësi ekonomike, në mungesë shprese dhe nën dhunën e përditshme të një sistemi në kufijtë e diktaturës zgjedhin të largohen, duke përdorur edhe formën e dhimbshme, të emigrimit pa asnjë siguri.

Qëndrojnë në kampet e azilantëve të luftës, me shumë vështirësi, gra e fëmijë bashkë në ambiente të pasigururta, mes kulturave të ndryshme dhe të izoluar deri në shqyrtimin e kërkesës për azil. Shqipëria tashmë është në listën e 10 vendeve të origjinës së azilkërkuesve në Evropë, por është i vetmi vend Europian që ka kaq shumë emigrim. Bashkë me Shqipërinë janë edhe vende të tjera si Pakistani, Kolumbia, Nigeria, Iraku, dhe Turqia.

Në gjashtë vite të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, apo Rilindjes së tij, janë larguar mbi 450 mijë shqiptarë, për pak muaj mund të bëhet një gjysëm milioni njerëz të arratisur. Janë larguar për shkak të ekonomisë të dobët, papunësisë, mungesës së shërbimeve, korrupsionit të madh shtetëror, dhunës institucionale dhe mohimit të të drejtave. Vendi po shpopullohet, në shkolla gjithnjë e më shumë mungojnë nxënësit, jo vetëm për shkak të lindshmërisë së ulët, por nga emigracioni ilegal. Rinia gjithashtu gjithnjë e më shumë po braktis vendin.

Pjesa më e madhe që e “adhurojnë” Shqipërinë janë nëpunësit Rilindas, elita e krimit që ka gjetur parajsën në bashkëpunim dhe me lidhje të ngushta me politikën. Gjithashtu edhe pensionistë e pamundur detyrohen që mes varfërisë, mungesës së shërbimeve mjekësore dhe dhimbjes me fëmijët e larguar jashtë vendit kalojnë ditët apo vitet e mbetura të jetës.
Megjithatë “kënaqen” nga propaganda që ofron qeveria jonë, duke paraqitur një Shqipëri surreale, të bukur, të jetueshme, me një zhvillim marramendës, që vetëm ata të “rinjtë e ikur për zil” nuk janë në gjendje ta shohin.

Boldnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here