Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha një intervistë për revistën italiane Panorama, ku shprehu zhgënjimin për mosnisjen e negociatave.
Megjithatë, kryeministri shpreson te mbështetja e Italisë në këtë drejtim.
“Komisioni kishte mbështetur me forcë domosdoshmërinë e hapjes së negociatave për vendin tonë, dhe i kishte dhënë një mandat pa kushte Këshillit të BE-së. Thelbi i çështjes qëndron në atë pjesë të Europës që është futur në pistën e rrezikshme të luftrave të brendshme dhe kundërshtive. Franca, por mbi të gjitha Holanda dhe Danimarka, na bllokuan. Unë e di se Parisi është një aksioner i shumicës në BE, por pozicioni i tij, megjithëse i ligjshëm, ishte në lidhje me një rithemelim të përgjithshëm të Unionit dhe një rishikim të procesit të zgjerimit, që nuk ishte objekt i samitit. Këtu flitet vetëm për transferimin e njohurive gjatë një procesi negociues. Edhe pse negociatat do të zgjasin më shumë nga liderët që sot janë ulur në atë Këshill,” tha Rama.
I pyetur në lidhje me akuzat e Shqipëria është një narko-shtet që nuk zhvillon zgjedhje të lira, Rama tha: “Unë kurrë nuk i komentoj kundërshtarët në një gjuhë të huaj, përfshirë italishten… por duke iu referuar burimeve të besueshme si “Guardia di Finanza”-s ose Komisionit Europian, ata mund të konfirmojnë përparimin e bërë në këtë drejtim, pasi të dhënat e tyre e konfirmojnë këtë progres. Më vjen shumë keq që dikush na pikturon kështu, por, duke qenë vetë piktor, di që ne mund të marrim vetëm përgjegjësinë për pikturën tonë. Nga ana tjetër, duket më e rëndësishme të flasim për ato që në të vërtetë kanë rëndësi për qeverinë e Tiranës: sot duam të tërheqim individë dhe kompani italiane në Shqipëri për të jetuar mirë dhe për të shijuar një vend fantastik, duke paguar shumë më pak taksa. Kjo është një pikë që ne krenohemi”.
Por cila është pika e dobët e vendit tonë? Për Edi Ramën, me mbi dy dekada në pushtet, problemi është tek e shkuara dhe politika e vjetër.
“Ne jemi një demokraci e re, por vuajmë edhe nga një kulturë e vjetër politike. Dobësia jonë konsiston në të kaluarën tonë të mbrapshtë, që vazhdon ende të frenojë zhvillimin në pothuaj çdo sektor. Për këtë arsye, modernizimi i shtetit për mua është një përparësi absolute”.
Ndërkohë që Edi Rama flet për median e huaj, në Shqipëri është kthyer në shqetësim fakti që çdo pushtet në vend po kalon në duart e kryeministrit. Së fundmi është raportuar se qeveria do vazhdojë me projektin e saj që parashikon masa të rrepta kundër zërave kritikë nëpër portale.
Kurse mjeshtri Bujar Kapexhiu sjell një punim me titull ‘Babëzia’, ku duket kryeministri që kontrollon çdo pushtet, përfshi këtu edhe drejtësinë dhe gjykatat.