Me iniciativën ligjore kundër terapisë së detyruar ndaj homoseksualëve, ministri gjerman i shëndetësisë Spahn dërgon mesazhin e duhur, edhe në Evropë homoseksualët diskriminohen, thotë kryeredaktorja e DW, Ines Pohl.
Është një sinjal sa i qartë, aq dhe i rëndësishëm që ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn dërgoi në fillim të kësaj jave. “Homoseksualiteti nuk është sëmundje dhe prandaj nuk ka arsye për terapi për të,” njoftoi ai, duke konkretizuar planet e tij për të ndaluar ato trajtime në Gjermani, qëllimi i deklaruar i të cilave është të dëbojnë homoseksualizmin nga homoseksualët. Ai që vazhdon të ofrojë të ashtuquajtura “terapi konvertimi” duhet të dënohet me heqje lirie deri në një vit ose me gjobë të lartë.
Një hap, i cili është i drejtë për disa arsye, sepse është gjithashtu i trishtueshëm dhe aktual. Brenda Gjermanisë, ai vendos në qendër të vëmendjes një praktikë që shumë njerëz ndoshta as nuk e dinë. Disa mijëra të rinj dhe të rritur mjekohen çdo vit me synimin që të ndryshohet identiteti i tyre seksual. Përveç përçmimit për njeriun, që nënkupton një qasje të tillë, nuk ka asnjë dëshmi që orientimi seksual mund të ndryshohet përgjithmonë me masa të tilla. Nga ana tjetër, pasojat e këtyre trajtimeve janë shumë të njohura: depresione, çrregullime ankthi dhe një rrezik shumë më i lartë për vetëvrasje.
Për më tepër, edhe në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, siç është Polonia, po vërehet një rritje e konsiderueshme e diskriminimit ndaj homoseksualëve. Në Ballkan, frika nga dhuna dhe diskriminimi vazhdon të jetë pjesë e jetës së përditshme për anëtarët e komunitetit LGBTI. Rusia e kriminalizon homoseksualitetin si një “marrëdhënie seksuale jo tradicionale”, homoseksualët dhe lezbiket që jetojnë hapur seksualitetin e tyre përballen me gjobë dhe madje edhe burgim.
Homoseksualët ende jetojnë me frikë
Në rreth një të tretën e vendeve të botës, aktet homoseksuale kategorizohen si krime. Nga të gjitha shtetet arabe, Jordania është i vetmi vend ku homoseksualiteti është legal. Sipas grupeve të interesit, si ILGA (Shoqata Ndërkombëtare e Lesbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve, Transseksualëve dhe Ndërseksualëve) homoseksualët në shumë vende edhe sot i kërcënon dënimi me vdekje – këto përfshijnë vende të tilla si Afganistani, Irani, Jemeni, Pakistani, Arabia Saudite ose Sudani.
Iniciativa e Ministrit Federal të Shëndetësisë tregon edhe një herë pozicionimin e qartë të qeverisë gjermane, dhe kjo meriton njohje. Jo së fundi, sepse pikërisht në partinë Bashkimi Kristjandemokrat të politikanit Jens Spahn ka zëra që vazhdojnë të refuzojnë një status të barabartë për martesat mes homoseksualëve.