Ndonëse pista kryesore ku janë përqendruar hetimet për zbardhjen e atentatit mbetet detyra e prokurorit Arian Ndoja, duket se objektivi i ngjarjes mund të ketë qenë i dyfishtë. Grupi hetimor nuk e përjashton mundësinë që atentatorët të kenë synuar eliminimin edhe të Landi Muharremit, i cili ndodhej në sediljen e pasme të makinës së prokurorit Ndoja.
Burimet thanë se hetimet janë fokusuar dhe në pista të tjera, si konfliktet për shkak të pronësisë, që lidhet me sipërfaqe të mëdha tokash te Gjiri i Lalzit, apo edhe hakmarrja ndaj përplasjeve të mëparshme që ka pasur “Rrumi”, i njohur si “i forti” i Shijakut. Mësohet se këto janë tri pistat kryesore ku është fokusuar hetimi. Burimet thanë se nisur nga fakti se i plagosur mbeti edhe Muharremi, që së fundmi njihet si Aleksandër Laho, nuk përjashtohet mundësia që objektiv i ngjarjes të ketë qenë edhe ai. ”
I “FORTI” I SHIJAKUT
Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi apo Landi Muharremi, nuk është i panjohur për Policinë e Durrësit, por edhe atë të Tiranës. Emri i tij, rezulton të jetë i skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, ndonëse zyrtarisht në Shqipëri rezulton person pa precedentë penalë. I njohur në Durrës me pseudonimin “Rrumi”, Muharremi rezulton të jetë vëllai i drejtorit të Postës në Durrës, Albert Muharremi.
I plagosuri në atentatin e së premtes ka qenë objekt ankesash nga qytetarët për zaptim të pronave, madje edhe është denoncuar në disa procese gjyqësore që kanë lidhje me pronat, kryesisht ato në zonën e Ishmit. Ai është gjithashtu i dyshuar si një ndër dhunuesit e biznesmenit amerikano-libanez Fadi Mitri, edhe pse nuk ka pasur asnjëherë akuzë zyrtare ndaj tij për këtë çështje.
Policia e Durrësit e ka hetuar për një kohë të gjatë, edhe për dy ngjarja të ndodhura në këtë qytet pak kohë më parë. Bëhet fjalë për vjedhjen e Postës së Prokurorisë në Durrës e pak ditë më vonë edhe Prokurorinë, ku u grabit dosja e skandalit të pronave në Gjirin e Lalëzit, ku përfituesi kryesor ishte pikërisht Alekasandër Laho, i njohur me pseudonim “Rrumi”.
HETIMI
Hetimet për atentatin janë përqendruar te vrasja e mbetur në tentativë, për shkak të detyrës së prokurorit Arian Ndoja, por Policia dhe Prokuroria nuk e përjashtojnë mundësinë që objektiv i atentatit mund të ketë qenë edhe Landi Muharremi. Ky i fundit ka lidhje të afërta me Muharrem Muharremin, i përfshirë në konfliktin për pronat te Gjiri i Lalzit, që humbi biznesmeni libanez Fadi Mitri.
Më 14 shtator të vitit 2016, Policia e Tiranës shoqëroi 3 persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikan-libanez, Fadi Mitri, në rrugën e Rinasit. Të dyshuarit ishin të tre nga Shijaku dhe sipas burimeve nga grupi hetimor në atë kohë u dyshuan se mund të jenë paguar ose porositur nga persona të tjerë për dhunuar e kërcënuar investitorin e huaj.
Me një automjet tip “Tuareg”, me targa italiane, ata përplasën makinën “Mitsubishi”, ku ndodhej biznesmeni me familjen. Tri vite më parë, burimet thanë se vetë i plagosurit e ka tërhequr denoncimin që iu mor disa orë pas ngjarjes në spitalin privat ku mori mjekim. Megjithatë, Policia i kreu veprimet me iniciativë, duke qenë se ishin përballë dy veprave penale, siç ishte “plagosja e rëndë me dashje” dhe “kanosja”.
Burime nga Policia thanë në atë kohë se tre personat e shoqëruar në lidhje me ngjarjen e datës 10 shtator 2016 ishin Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku. Njëri prej tyre, Krahja, u arrestua pasi iu gjet një sasi hashashi në xhep. Ndërsa në lidhje me plagosjen e rëndë të biznesmenit Fadi Mitri, nuk u gjetën prova të mjaftueshme që t’i lidhnin me ngjarjen. Por, përveç kësaj ngjarjeje, Landi Muharremi u hetua edhe për rrahjen e një avokati vitin e kaluar, ngjarje për të cilën po ashtu nuk u arrestua asnjëherë./Panorama