Ne mendojmë se jemi më të mirë nga ç’jemi…

0
138
Nga Erald Pashaj 

Gjatë muajit që shkoi kam takuar disa drejtues biznesesh që më thonë: “Ne jemi më të mirët në Shqipëri”. Në Kosovë më thonë: “Të tjerët janë krejt pa lidhje me shërbimin tonë”, dhe në të dy anët e kufirit kam dëgjuar: “Ne kemi mullirin më të madh në Ballkan”, “Kemi ekspozitën më të bukur në rajon”, “Si i trajtojmë ne punonjësit nuk gjen tjetër, veç në Zvicër po gjetën”, “Ne e kemi bërë këtë për herë të parë në Evropë”. (Kjo “për herë të parë” është shprehja më për të qeshur dhe që e thonë për çdo gjë) “Shërbimin si tek ne, ta shohin në ëndërr klientët”, etj. Çudi e madhe kur i dëgjon!

Në fakt gjithmonë kam menduar që një shqiptar mesatar mendon se është më i mirë se gjithë të tjerët. (Kohë më parë edhe unë e kam menduar për veten time). Po të pyesësh kandidatët gjatë një interviste të thjeshtë pune, sesi do e klasifikojë veten në përdorimin e ekselit, mund të them që 70% thonë: – shkëlqyeshëm. Po t’i pyesësh për njohjen e gjuhës angleze, 50% thonë: – shkelqyeshëm dhe 45% thonë: – mirë, por nuk e kam praktikuar, dhe vetëm 5% thonë: – jo, nuk di anglisht. Madje kur kam qenë në shkollë të mesme, mësuesit e gjimnazit e konsideronin veten më të mirë se mësuesit e tetëvjeçares.

Gjithmonë e kam pyetur veten se kushedi sa më të mirë e shohin veten pedagogët në universitete krahasuar me mësuesit në gjimnaze.

Them se pedagogët mendojnë se janë 100% më të mirë se të gjimnazeve, e po kështu mësuesit e gjimnazeve mendojnë të njëjtën gjë ndaj atyre në tetëvjeçare. Unë mendoj që më shumë ky është nje iluzion epërsie ndaj të tjerëve, sesa vërtet janë “më të mirë” se të tjerët. Por edhe në qoftë se janë më të mirë, e para ndryshimi ndërmjet tyre nuk është aq sa ata mendojnë dhe e dyta ky ndryshim mund të jetë shkaktuar vetëm nga mjedisi ku një pjesë e njerëzve thjeshtë ka patur fat dhe është gjenduar në një mjedis më zhvillues.

Kjo mënyrë e të menduarit reflektohet edhe në mënyrën sesi bëjmë biznes, si shërbejmë ndaj klientëve dhe si drejtojmë në punë.

Po ku qëndron problemi nëse mendojmë kështu? Problemi qendron se kjo mendësi të lë në vend numëro, madje të çon mbrapa, e më mbrapa nga viti në vit sepse koha ecën, ndërkohë që ti fle me mendjen se je “më i miri”.

Ia thua vetes nja 10 herë këtë dhe fillon edhe e beson, nuk bën asgjë të re, por vetëm përmend të tjerët që nuk bëjnë. Në këtë mënyrë nuk ecën, e nuk je aspak më i miri, dhe në rastin më të mirë je thjesht një mesatar, e në rastin më të keq je shumë pranë problemeve të mëdha që nuk e shikon.

Më mirë të mendojmë ndryshe, të mendojmë që punojmë jo mirë, pa cilësi, pa plan, pa rregulla, kemi defekte, shërbejmë dobët, nuk dimë të shesim siç duhet produktet, sillemi si mos më keq, drejtojmë si feudale, etj. Kjo nuk do t’na bënte keq, përkundrazi do t’na ndihmonte që të përmirësohemi.

Faleminderit që më lexoni, ku edhe unë kam shumë, shumë për të përmirësuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here