Vjosa Osmani ‘e hekurt’ ndaj Serbisë: Nuk e heqim taksën, të trajtohemi në mënyrë të barabartë!

0
11

Dy kandidatët për kryeministër të Kosovës Vjosa Osmani dhe Albin Kurti (nga koalicioni LDK-VV) shfaqën qëndrimet e tyre në lidhje me tarifën doganore të vendosur nga qeveria ndaj Serbisë dhe vazhdimin e dialogut me ta.

Për ‘’Euronews Albania’’, Osmani u tregua e prerë se taksa ndaj Serbisë nuk mund të hiqet, ndërsa për sa i përket vazhdimit të dialogut me ta, kandidatja e LDK-së këmbëngul se si Kosova dhe Serbia duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe Serbia të ndalë vendosjen e barrierave ndaj Kosovës.

‘’E shohim tarifën si pjesë të masave të reciprocitetit, të cilat duhet të vendosen në raport me Serbinë. Përgjatë shumë viteve, Serbia ka vendosur masa apo barriera jo-tarifore mallrava të Kosovës. Në të njëjtën kohë ka vendosur barriera të mëdha politike, qoftë në proçesin e njohjes së Kosovës, qoftë në axhendën e integrimit tonë në organizatat ndërkombëtare, kurse Kosova nga ana tjetër nuk e ka kushtëzuar asnjëherë dialogun. Tarifa do të bëhet pjesë e masave të reciprocitetit.

Mendoj që pala që duhet t’i bëhet presion dhe të mos kushtëzojë proçesin e të kthehet në dialog është Serbia. Ne nuk po e kushtëzojmë proçesin, përkundër faktit që Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet dhe genocidin e kryer në Kosovë, si dhe nuk ka paguar dëmet e shkaktuara nga lufta. Ka ardhur koha që të dyja palët të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe asnjëra të mos e kushtëzojë dialogun dhe të kthehemi të dyja palët në Bruksel’’, u shpreh Vjosa Osmani e pyetur se çfarë veprimesh do të ndërmarrë për tarifën doganore ndaj Serbisë dhe vazhdimin e dialogut me ta.

Nga ana tjetër, kreu i VV-së Albin Kurti bëri me dije  për ‘’Euronews Albania’’ se taksa do të vendoset me reciprocitetin tregtar dhe ekonomik me Serbinë. Për sa i përket dialogut, Kurti u tregua më konkret në propozimet e tij, teksa theksoi se do të rishikojë të gjitha marrëveshjet e firmosura në vitet 2011-2017 midis Kosovës dhe Serbisë, do të dialogojë me komunitetin serb në Kosovë, ndërsa do të kërkojë shlyerjen e borxheve që Serbia ka ndaj Kosovës.

‘’Tarifën 100% do ta zëvendësojmë me reciprocitetin e plotë ekonomik tregtare me Serbinë, sepse besojmë që reciprociteti është parimi i shëndoshë i marrëdhënieve konstruktive dypalëshe.

Javën e parë në zyrën e kryeministrit, do të nisë dialogun me serbët e Kosovës, që do të nisë nga poshtë-lart. Do të jetë dialog për zhvillim, shoqëri kohezive në shtetin tonë të pavarur. Në muajin e parë do të bëjmë bilancin e 33 marrëveshjeve të firmosura nga viti 2011-2017 për të parë se çfarë është realizuar, çfarë jo, cila ishte efekti i tyre te qytetarët. Në të njëjtën kohë do të kërkojë takim me pasardhësin e zonjës Mogherini me zotin Borrel, në mënyrë që të përgatisim dialogun me Serbinë me parime të sakta dhe solide. Në fund do t’i dërgojmë Serbisë kërkesën për borxhet që na ka. Ekipin negociator do ta kryesoj unë sepse republika jonë është parlamentare, bashkë me liderët e tjerë opozitarë.

Reciprociteti është i pamundur që të hiqet, sepse e kemi mësuar si princip nga ndërkombëtarët’’, shprehu propozimet e tij si kryeministër i ardhshëm kreu i VV-së dhe kandidati për kryeministër Albin Kurti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here