Nga ERGYS MËRTIRI:
Edi Rama është një politikan që reflekton në mënyrën më të qartë të gjitha tiparet e një udhëheqësi që mbështetet plotësisht te manipulimi i turmave. E gjithë propaganda e tij, si dhe aksioni politik, karakterizohen nga një formë komunikimi e thjeshtëzuar, që tenton të zbresë te masat e gjera të shoqërisë, duke iu drejtuar instinktit dhe emocioneve të tyre dhe jo arsyes. Ndonëse gjuha e Ramës është e elaboruar, e pasur në figuracione, metafora, batuta, ajo në thelb shënjon masat si target dhe jo elitat. E gjithë estetika retorike e tij është në funksion të manipulimit. Nga njëra anë, ajo mbulon mungesën e mesazhit, nga ana tjetër magjeps masat në funksion të mistifikimit të liderit.
Rama paraqet elokuencë për ta kamufluar estetikisht vulgaritetin e kumtit që përcjell. Stilema të tilla, si Kadri, kazan, filxhan, sahan, tepsi, të përdorura si etiketë diskualifikuese ndaj atyre që e kritikojnë, janë stereotipa vulgarë të gatshëm, kryesisht me ngarkesë orientaliste, në funksion të prodhimit të një paragjykimi ndaj kundërshtarëve. Ato paraqiten si stilizime retorike, por në thelb ato komunikojnë vetëm me vulgun dhe bëjnë efekt vetëm aty.
Në përgjithësi, çdo komunikim na jep informacione jo vetëm mbi vetë subjektin që komunikon, por edhe mbi përfytyrimin e tij për marrësin e mesazhit. Pra nëpërmjet mënyrës së komunikimit të adresuesit të mesazhit, ne mund të njohim përfytyrimin e tij për të adresuarin, audiencën që ai përzgjedh të komunikojë. Prej këtej, mund të përftojmë gjithashtu edhe përfytyrimin mbi llojin e liderit ku ai bën pjesë e që qartësisht shfaq tiparet e një lideri totalitar. Ai flet me gjuhën e turmës, duke iu përgjigjur tipareve më karakteristike të saj: irracionalitetit, unitetit, nevojës për siguri dhe bindje ndaj udhëheqësve autoritarë.
Kështu, Rama pozon para turmës si një lider i fortë, i vendosur, i aftë për të përballuar çdo intrigë e çdo komplot. Ai shfaqet në profilin e një gangsteri politik. Fodullëku retorik, kacagjelimi përpara kamerave, gafurrja ndaj kundërshtarëve dhe konfliktualiteti janë elemente, nëpërmjet të cilave ai demonstron forcë. Edhe në detaje të tilla, si dalja me tuta në fushatë apo shpërfillja e kodit të veshjes në pritje zyrtare e aktivitete ndërkombëtare, janë mjete në shërbim të këtij përfytyrimi. Ato krijojnë te publiku idenë se ai nuk njeh asnjë lloj pengese për të bërë atë që dëshiron. Vendimet për prishje ndërtesash me rruspa e tritol, demonstrimet policore në çdo nismë qeveritare me pretendimin se “po bën shtet”, janë gjithashtu mjete në funksion të këtij imazhi. Nga të gjitha shfaqjet, spektakli i forcës është më mbresëlënës dhe më sugjestionues, aq më tepër për një shoqëri ende shumë të dhunshme dhe shumë pak racionale si shoqëria shqiptare.
Propaganda e Ramës adreson edhe një tjetër instinkt të rëndësishëm të turmave: urrejtjen dhe zemërimin. E lodhur prej një tranzicioni të gjatë, shoqëria shqiptare ka akumuluar urrejtje dhe indinjatë për klasën politike. Rama e ka përdorur këtë në mënyrën më agresive dhe madje vazhdon ta përdorë edhe sot kur është në pushtet. Ai ka hyrë në politikë duke u ofruar si një luftëtar, që premton të rrëzojë të gjithë klasën politike shqiptare. “Politika e re” është, ndër të tjera, edhe një hakmarrje popullore ndaj politikanëve. Rilindja nuk është gjë tjetër, vetëm se shënjuesi mesianik i një propagande revolucionare eskatologjike, që premton përmbysje finale të rendit ekzistues.
Rama bëhet kështu Mesia, i cili merr përsipër ta shpëtojë popullin nga “politika e vjetër”. Ai ka pohuar vazhdimisht se nuk është një politikan, por një artist që vjen në politikë për të shpëtuar popullin nga politika. Siç shprehet vetë vazhdimisht, politika për të është një mision, jo profesion dhe misioni i tij në politikë është të realizojë përmbysjen e madhe ndaj rendit ekzistues.
Paradoksalisht, kjo propagandë nuk ka funksionuar vetëm në opozitë, por vazhdon edhe tashmë që ka 6 vjet në krye të qeverisë. Ai vazhdon të fajësojë politikën dhe shumë aktorë rreth saj, si pengesën më të madhe të zhvillimit të vendit, si kanceri që duhet operuar, duke i adresuar fajet sa tek opozita, sa te mediat e korruptuara (që në fakt, kontrollohen plotësisht prej tij) e sa te drejtorë e funksionarë të papërgjegjshëm që turbullojnë projektet e tij të kulluara. Ai e ushqen urrejtjen e turmave me koka turku në administratë, me shkarkime kolektive nga puna, me premtime për ekzekutime politike nëpërmjet Reformës në Drejtësi e me breshëri fyerjesh e talljesh ndaj gazetarëve. Ai ekspozohet si luftëtar i paepur, që po përballet i vetëm me fuqitë malinje të këtij vendi.
Në këtë mënyrë, ai e përdor indinjatën popullore si një instrument për të zbutur indinjatën e thellë të krijuar ndaj tij dhe qeverisë së tij. Ai po devijon ku të mundet frustracionin kolektiv, për ta shkarkuar atë në objekte të tjera, në mënyrë që të mos jetë ai kryefjala e urrejtjes së njerëzve. Kjo bën që përballë spektaklit të ndëshkimit që ai iu bën të tjerëve, shumë njerëz të thonë: Të paktën ky u vjen hakut të gjithëve.
Të njëjtën gjë e bëri edhe me protestën e studentëve. Pakënaqësitë e thella të akumuluara i orientoi herë ndaj dekanëve të korruptuar (të cilët, në fakt, janë vetëm bashkëpunëtorë në faj me qeverinë e tij), e herë ndaj sistemit e klasës politike në tërësi, ku pesha e fajit shpërndahet te të gjithë, duke e çliruar qeverinë nga pesha kryesore. Në këtë linjë, ai e ekspozon veten si fajtor jokryesor, duke u shprehur se kish marrë një shuplakë që nuk ishte as gjë përballë grushtit që studentët ia paskëshin dhënë opozitës.
Në mënyrën më të pabesueshme dhe madje edhe qesharake, protestat e studentëve u paraqitën më shumë si protesta antiopozitare sesa antiqeveritare. Rezulton që studentët të jenë ngritur kundër një qeverisjeje, në kohën e së cilës ata i bie të kenë qenë fëmijë, – ky brez studentësh ka qenë vetëm 13-16 vjeç kur Rama ka marrë pushtetin!
E orientuar gjithashtu si reagim kundër sistemit politik dhe tranzicionit 30-vjeçar, protesta u paraqit sikur studentët ishin ngritur ndaj një sistemi të instaluar rreth 10 vjet para lindjes së tyre. Pra, studentët po protestonin kundër historisë dhe jo kundër qeverisë! Për këtë arsye, ai madje nuk ngurroi edhe të shprehet se do t’i bashkëngjitej protestës, duke u bërë një ndër ta, kundër sistemit politik ekzistues. Cinizmi kapërcen çdo fantazi.
Në fakt, e gjithë kjo nuk mund të arrihet pa një fuqi të madhe mediatike, të cilën Rama e ka arritur falë potencialit të madh korruptues. Këtë nivel manipulimi mund ta arrish vetëm duke monopolizuar burimet kryesore të komunikimit, gjë që ai e ka arritur thuajse plotësisht, të paktën që kur ka ardhur në pushtet. Përjashto dy apo tre televizione të vogla lajmesh, ai kontrollon plotësisht median mainstream, të cilën, jo vetëm që e ka vënë në shërbim të tij, por edhe e orienton nëpërmjet ndërhyrjeve të drejtpërdrejta dhe nëpërmjet dirigjimit prej një televizioni privat online, të ngritur brenda strukturës së Kryeministrisë: ERTV.
Megjithatë, sado që ai arrin të mbijetojë nëpërmjet kësaj fuqie manipuluese, pakënaqësitë janë në nivele dramatike te një kategori gjithnjë e më e madhe qytetarësh. Reputacioni i tij është në nivelet më të ulëta dhe figura e tij po bjerret dita-ditës. Natyrisht, sado i fortë të jetë manipulimi, keqqeverisja nuk mund të fshihet dot dhe propaganda tashmë po i shërben jo për të krijuar një perceptim të mirë për qeverinë, por për të mbijetuar përballë një mllefi të gjerë popullor.
Le Bon thotë se një udhëheqës mund të jetë orator dhe dinak, që di të përdorë instinktet e ulëta të turmës në shërbim të interesave të veta personale. Ndikimi i tij mund të jetë shumë i madh, por është gjithmonë i paqëndrueshëm dhe joreal. Sipas tij, prestigji i një udhëheqësi zhduket papritur sapo ai dështon dhe kjo shoqërohet me urrejtje. “Besimtarët, – thotë ai, – i mallkojnë me një tërbim të veçantë perënditë, të cilave u janë përulur më parë”. ( “Medius” 6)