Aleati i Lulzim Bashës, Dashamir Shehi paralajmëroi se protestat e opozitës do të jenë më të mëdha dhe më agresive.
“Unë mendoj që rruga e protestës është kryesorja. Opozita ka shumë ‘armë’, ka prezencën mediatike, raportin me ndërkombëtarët, raportin me qytetarët. Por kjo opozitë si e jona, e cila është jashtë institucioneve, jashtë zgjedhjeve, jashtë të gjitha pushteteve, armën më të madhe ka rrugën. Kjo do të mbetet kryesorja. Sigurisht që protestat do të jenë edhe më të mëdhja dhe më agresive, por ndërkohë që do i ofrojmë shqiptarëve edhe një platformë jo vetëm se si dilet nga kjo krizë, por si do të jetë Shqipëria e së nesërmes”, deklaroi Shehi.
Përveç platformës për shqiptarët, aleati i Lulzim Bashës theksoi se opozita duhet të krijojë një raport të ri me ndërkombëtarët, të cilëve duhet t’u shpjegojë më mirë se çfarë ndodh në vend. Si dhe të jetë më e zëshme në mbështetjen për reformën në drejtësi.
“Ne kemi për detyrim t’i shpjegojmë ndërkombëtarëve se çfarë po ndodh në Shqipëri. Unë e shoh që nuk e kuptojnë pasi janë nën presionin e Edi Ramës. E dyta është qe ne t’i krijojmë ndërkombëtarëve idenë, që duhet t’ua krijojmë të gjithë shqiptarëve, që ne jemi alternativa. Një tjetër pikë është që ne jemi për reformën në drejtësi. Unë jam për reformën në drejtësi. Jam i bindur që Edi Rama po e kontrollon reformën në drejtësi. Pse po e kap, sepse është ky, ky, ky, të gjitha veglat e Edi Ramës. Ne brenda opozitës duhet të kuptojmë se ndërkombëtarët kanë agjendën e tyre, që është reforma në drejtësi”, tha Shehi.