Mihali i Edvin Mafisë ishte dënuar me burg, por kishte imunitet miqësinë me Ramën! Ja vendimi!

0
108

Një ditë pasi qeveria shembi lokalin e Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo në mënyrë demostrative, për skandalin që ai shkaktoi me turistët e huaj dhe njollën që i vuri vendit në pikun e sezonit turistik, del në dritë një element domethënës: Kokëdhima duhej të ishte në burg, për shkak se ishte dënuar për ndërtimin e një muri pa leje 11 metra të gjatë dhe të gjërë, përreth lokalit të tij.

Por, ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka publikuar sot vendimin e gjykatës së Vlorës të 11 korrikut 2019, ka vënë në dukje se arsyeja pse Kokëdhima ishte i lirë, qe pikërisht miqësia që e deklaroi edhe në gjyq: miqësia ndër vite me kreun e qeverisë, Edi Ramën. “Miku i Edvin Mafisë, Mihali, – shkruan Berisa në Fb, – ishte dënuar një muaj më parë me një vit burg! Ky vendim është i formës së prerë! Por ai kishte imunitet miqësinë me Ramën! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital,” nënvizon Berisha.

Përshëndetje z. Sali Berisha!

 Rezulton se jo më shumë se 1 muaj më parë, Mihal Kokëdhima është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për dënimin e tij.

Ju lutem anonim! Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

Çështja: 71106-01488-60-2017

Palët

Emri Mbiemri Lloji i palës
MIHAL KOKEDHIMA I Pandehur
PROKURORIA VLORE Prokuror

Numri i vendimit: 60-2019-1694  Data e vendimit: 11/07/2019

Tipi: Lënien në Fuqi të Vendimit
Gjyqtari: Nazmi Troka

Përmbledhje:xxx

Konkluzioni: 
Vëren:

Se, vendimi nr. 556 datë 29.09.2017 i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, është rrjedhojë e interpretimit të drejtë të ligjit penal dhe provave të shqyrtuara, pretendimet e parashtruara në ankim nga i pandehuri, nuk janë të tilla që e bëjnë të cënueshëm këtë vendim për pasojë vendimi i ankimuar për këtë të pandehur do të lihet në fuqi.

Ka rezultuar e provuar se Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr.1128/2017 për vepren penale “Ndërtim i paligjshëm” të parashikuar nga neni 199/a/2 i Kodit Penal ne ngarkim të të pandehurit {xxx}.

Nga aktet e hetimit paraprak ka rezultuar se i pandehuri {xxx} është administrator i lokalit{xxx}” që ndodhet në vendin e quajtur{xxx}.

Më datë 26.06.2017 oficerë të policisë gjyqësore të Stacionit të Policisë Himarë janë njoftuar se në afërsi të këtij lokali po kryhej një ndërtim pa leje. Policia gjyqësore ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar në anën veriore të lokalit, ndërtimin e një muri me material guri me gjatësi 11 m, me gjerësi 50 cm dhe lartësi 70 cm. Në vendin ku po ndërtohej ky mur janë gjetur dy punëtorë, konkretisht shtetasit{xxx}

Të pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale shtetasit {xxx} kanë deklaruar se disa ditë më parë janë punësuar nga nga shtetasi {xxx} për ndërtimin e murit. Në vijim ata kanë shpjeguar se e kanë pyetur “punëdhënësin” nëse ka marrë leje për kryerjen e një ndërtimi të tillë dhe shtetasi {xxx} i ka siguruar që të mos shqetësoheshin pasi kishte marrë leje. Ata kanë rënë dakord edhe në lidhje me pagesën që do të kryhej në fund të punës.

I pyetur rreth ndërtimit të kryer i pandehuri {xxx} ka deklaruar se nuk ka marrë leje për kryerjen e një ndërtimi të tillë dhe se këtë mur e ka ndërtuar që të pengonte kalimin e bagëtisë në pronën e tij. Në deklarimet e tij shtetasi {xxx} ka deklaruar se e pranon akuzën dhe ndihet i penduar në lidhje me faktin penal.

Bazuar në të dhënat që kanë rezultuar nga kqyrja e vendit të ngjarjes si dhe deklarimet e shtetasve{xxx} prokuroria ka akuzuar dhe dërguar për gjykim të pandehurin {xxx} për kryerjen e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm” i kryer në pronë publike, e parashikuar nga neni 199/a/2 të K.Penal.

Pa filluar shqyrtimi gjyqësor i pandehuri ka kërkuar të procedohet me gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila është vlerësuar e ligjshme nga prokuroria. Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në nenin 403, 404 të K.Pr.Penale ka pranuar kërkesën e të pandehurit dhe ka proceduar me gjykim të shkurtuar, pasi ka vlerësuar se në gjendjen që ishin aktet mund t`i jepej fund gjykimit të çështjes pa u dëmtuar dhënia e drejtësisë. Fashikulli i prokurorit pasi u adminstrua shërbeu për konkluzionet përfundimtare të palëve dhe dhënien e vendimit përfundimtar të gjykatës.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, pasi ka dëgjuar palët, ka deklaruar fajtor të pandehurin për kryerjen e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe në bazë të nenit 199/a/2 të K.Penal e ka dënuar me 1 vit burgim, dënim i cili është ulur me 1/3 e tij për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri me tetë muaj burgim. Bazuar në nenin 59 të K.Penal, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke u vendosur në provë i pandehuri për një periudhë prej 16 muaj.

Kundër vendimit ka paraqitur ankim i pandehuri {xxx} i cili kërkon prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, për shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.

Gjykata e Apelit nga shqyrtimi në tërësi i shkaqeve të ngritura në ankim vlerëson se ato nuk gjejnë mbështetje në ligj dhe në prova dhe nuk e bëjnë të cënueshëm vendimin e ankimuar.

Nga aktet e hetimit paraprak, deklarimet e shtetasve{xxx}rezulton e vërtetuar që me marrëveshje me të pandehurin ata kanë kryer punime në ndërtimin e një muri, në afërsi të lokalit {xxx} që ndodhet në vendin e quajtur{xxx}

Ky mur ndërtohej në anën veriore të lokalit, ishte me material guri me gjatësi 11 m, me gjerësi 50 cm dhe lartësi 70 cm.

Nga deklarimet e të pandehurit rezulton që për kryerjen e këtyre punimeve ai nuk ka qënë i pajisur me leje ndërtimi. Sipas të pandehurit ndertimi i murit do të pengonte hyrjen e bagëtive në lokalin në pronësi të tij.

Gjykata e Apelit çmon se me të drejtë gjykata e shkallës së parë ka arritur në konkluzionin se me veprimet e tij ka kryer veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” i kryer në pronë publike, e parashikuar nga neni 199/a/2 i K.Penal në të cilin parashikohet se: “Ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, dënohet me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”

Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezulton që figura e veprës penale konsumohet nga ana objektive nëpërmjet “ndërtimit të kryer pa leje”, ose “në shkelje të rëndë të lejes” ose “në kushtet e një lejeje të shfuqizuar”.

Në rastin në gjykim, rezulton që i pandehuri nëpërmjet veprimeve aktive, ka qenë duke ndërtuar një mur me material guri me gjatësi 11 m, me gjerësi 50 cm dhe lartësi 70 cm me qëllim rrethimin e lokalit në tokën e cila sikurse pranohet prej të pandehurit është tokë publike.

Për kryerjen e këtij ndërtimi, i pandehuri nuk ka pasur një leje ndërtimi. Në përcaktimin e “ndërtimit pa leje” me të drejtë gjykata e shkallës së parë i është referuar ligjit të posaçëm që disiplinon ndërtimet, duke qënë neni 199/a i Kodit Penal është një dispozitë blanket. Në ligjin nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, neni 39 i tij, parashikohet se

“1. Leja e ndërtimit është e nevojshme për çdo ndërtim, riparim, restaurim apo prishje të objekteve ekzistuese, instalim apo ngritje të ndërtimeve të përkohshme, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga neni 41 i këtij ligji…”, ndërsa në nenin 41 të këtij ligji është parashikuar: “1. Rregullorja e zhvillimit përcakton listën e ndërtimeve, instalimeve dhe punimeve që, për shkak të ndërhyrjeve jothelbësore në objekt, natyrës së përkohshme së instalimeve ose rregullimit të kontrollit të zhvillimit nga një leje apo autorizim tjetër apo nga legjislacion i posaçëm sektorial, nuk kërkojnë pajisjen me një leje ndërtimi dhe janë objekt i një deklarate paraprake për kryerje punimesh…”.

Nga përmbajtja e këtyre dispozitave rezulton se, që një ndërtim të konsiderohet i ligjshëm, duhet patjetër të shoqërohet me lejen e organeve kompetente, që me ligjin në fuqi jepet nga kryetari i bashkisë ose komunës. Në të kundërt ai konsiderohet i paligjshëm.

Në lidhje me pretendimin e të pandehurit se veprimeve të tij u mungon karakteri shoqërisht i rrezikshëm, Gjykata e Apelit çmon se ky është një pretendim i të pandehurit, i cili nuk është i mbështetur në prova. Sipas neneve 19, 20 dhe 21 të Kodit Penal, veprimet e një subjekti, pavarësisht pasojës së ardhur, nuk passjellin përgjegjësi penale, për shkak të mungesës së rrezikshmërisë shoqërore të tyre, në rastet kur subjekti ka qënë në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, nevojës ekstreme, ose në ushtirmin e një të drejtë apo përmbushje të detyrës. Në këto raste veprimet e subjektit nuk kanë rrezikshmëri shoqërore, për shkak se ka qënë i detyruar nga rrethanat e jashtme në kryerjen e veprimeve që kanë sjellë pasojën. I pandehuri nuk ka qënë në asnjë nga rastet e parashikuara në nenet e sipërcituara.

Do të gjente zbatim neni 20 i Kodit Penal dhe i pandehuri do të përjashtohej nga përgjegjësia penale në rast se vepra penale do të ishte kryer për të përballuar një rrezik real dhe të çastit. Në rastin konkret rreziku që i pandehuri pretendon se ka shmangur nëpërmjet ndërtimit të murit nuk ka qënë i çastit. I pandehuri ka patur për qëllim shmangien e dëmtimit të mundshëm të pasurisë së tij, dhe kjo nuk përbën dëm të çastit, për pasojë i pandehuri nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale.

Sipas të pandehurit, me kryerjen e ndërtimit ai ka përmirësuar kushtet e qarkullimit rrugor, por ky pretendim nuk shoqërohet me prova. Rezulton që rruga ku është kryer ndërtimi është në adminstrim të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe nuk rezulton që i pandehuri të ketë paraqitur statistika, apo prova të tjera, raport të policisë, etj, nga të cilat të rezultojë që vendi ku është ndërtuar muri, për shkak të karakteristikave të rrugës ka qënë burim rreziku i shtuar dhe kishte nevojë për ndërhyrje në strukturë.

I pandehuri ka kryer punimet në tokë publike, për mbrojtjen e pronës së vet private nga hyrja në të i bagëtive, të cilat i shkaktonin dëme. I pandehuri nuk ka paraqitur prova në lidhje me pronësinë e ambientit lokal {xxx}të cilin ka pretenduar se e ka në pronësi si dhe në lidhje me rrezikun që ka shmangur nëpërmjet ndërtimit të murit, me qëllim që të verifikohet pretendimi i tij se ka qënë në kushtet e nevojës ekstreme për ndërtimin e murit.

Gjykata e Apelit Vlorë, nga shqyrtimi në tërësi i provave, çmon se ndryshe nga sa pretendon i pandehuri, provohet plotësisht se është autor i veprave penale për të cilat akuzohet. Shkaqet e ngritura në ankim nga i pandehuri janë të pabazuara në ligj dhe në prova dhe nuk e bëjnë të cënueshëm vendimin e ankimuar.

Arsyeja:
Baza Ligjore: Gjykata e Apelit Vlorë, bazuar në nenin 428/1 shkronja “a” të K.Pr.Penale

Vendimi:
Vendosi: Lenien ne fuqi te vendimit nr 556 date 29.09.2017 te Gjykates se Shkalles se Pare Vlore

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here