Shteti po shpërdoron pasuritë arkeologjike dhe kulturore!!! Ceka: Po i dhamë Ramës dhe një mandat, ja se çfarë do të ndodh…

0
135

Neritan Ceka e ka kaluar tërë jetën në mes të rrënojave arkeologjike që kur ishte ende fëmijë dhe ndiqte të atin, arkeologun e parë shqiptar, Hasan Ceka. Ka qenë në krye të gërmimeve në zbulime që shënojnë historinë e prejardhjes së shqiptarëve që nga Butrinti, Bylisi, Apollonia e të tjerë, zbulime që i gjen në disa libra studimorë që mbajnë emrin e tij. Por Ceka njihet për publikun më shumë si politikan. Në moshën 78-vjeçare sot ai sheh me dhimbje se si shteti po shpërdoron pasuritë arkeologjike dhe kulturore me një keqmenaxhim ose lënie në harresë.
Gazeta Mapo foli me zotin Ceka mbi trashëgiminë kulturore duke marrë shkas nga një debat i ditëve të fundit për restaurimin e xhamisë së vjetër në pazarin e Gjirokastrës. Ceka beson se ky nuk është një rast sporadik që tregon pakujdesinë ndaj trashëgimisë kulturore, por flet për një mafia reale që operon në këtë fushë me tendera dhe përfitime financiare. Duke sjellë një shembull konkret të restaurimit të memorialit të Skënderbeut ai thotë se është vetë kryeministri Rama që kërkon të imponojë guston e tij në gjithë vendit.

Intervistoi: Blerina Gjoka

Zoti Ceka, sa i keni ndjekur debatet për restaurimet në objekte të trashëgimisë kulturore, rasti i fundit ishte ai për çatinë e xhamisë në Gjirokastër. Çfarë mendoni se po ndodh me trashëgimine kulturore në vend. Këto restaurime po e shpëtojnë, apo po e vënë më shumë në rrezik?

Së pari mund të them që ka një kakofoni, ka një kaos të vërtetë në punën që bëhet për trashëgiminë kulturore dhe prej kohësh ka dalë nga objektivi i qeverisjes.

Qeverisja aktuale, por dhe ajo që shkoi, janë përqendruar kryesisht në punime publike, atje ku çdo gjë matet me meter kub me sasi të mëdha e investime të mëdha, ku mund të dalë ndonjë përfitim. Kështu kultura dhe veçanërisht fusha e trashëgimisë kulturore, e cila do ditë për ditë punë të vogla  dhe investime të vogla, nuk është më interesante për qeverisjet që e shohin politikën si përfitim dhe jo si përkushtim.

Në rastin tonë kemi një diversitet joproduktiv të investimeve në fushën e trashëgiminë kulturore. Një pjesë e mirë e investimeve për fat të mirë vijnë nga faktorë jo publikë. Konkretisht investimet që bëhen në fushën e monumenteve të kultit musliman vijnë nga TIKA, që është një fondacion turk për kulturën, shumë aktiv, shumë serioz dhe shumë produktiv se si punon në përzgjedhjen e specialistëve dhe firmave me të cilët punon. Puna duket, është serioze.

Grupi i dytë i investimeve të mëdha vjen nga kisha ortodokse shqiptare, e cila ka investuar në restaurimin e kishave që janë në administrimin e saj. Por për fat të keq jo të gjitha kishat janë në administrimin e saj, sepse shteti nuk bën një VKM të thjeshtë që t’i kthejë kishës të gjitha monumentet që janë marrë në vitin 1967. I duhen dhënë pasuritë e saj dhe pastaj duhet ndihmuar për të restauruar këto vlera, që janë vlerat kryesore sot, jo vetëm për arkitekturën, por për afresket që mbajnë brenda që janë në shkatërrim e sipër. Çdo vit ne humbim mijëra afreske sepse shteti nuk investon, nuk i integron në iteneraret turistike sepse turizmi religjoz është më i preferuari në Ballkan.

Pra, shteti ynë trashëgiminë kulturore e ka futur në sferën e biznesit. I lë deri sa të shkatërrohen dhe pastaj jep kisha me tender që janë jashtë çdo lloj llogjike. Asnjë firmë nuk mund të projektojë e të bëjë restaurim kishe. Restaurimet nuk bëhen me aksione dhe me xhahilë, një herë një firmë, një herë një tjetër, bëhen në mënyrë të vazhdueshme.

Trashëgimia kulturore është në rrezik të plotë. Këtë e thonë të tërë ata që kanë punuar për trashëgiminë kulturore, Emin Riza, Aleksandër Meksi, Apollon Baçe, Valter Shtylla, Hasan Nallbani, etj.. që janë garda që krijuan institutin e monumenteve, që në vitet ‘80 ishte i nivelit europian me botime, me karrierë, me kantiere pune, ku punohej çdo ditë. 

Po në rastin e Gjirokastrës ka nisur restaurimi i pjesës së mbrojtur nga UNESCO, sipas jush po bëhet siç duhet?

Gjirokastra, i gjithë kompleski i pazarit i është lënë fondit amerikano-shqiptar që është një fondacion, i cili ka bërë pazarin e ri. Pazari i ri duket bukur, po nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, është i ndërtuar në vitet ‘30 dhe është tjetër gjë të punosh në Gjirokastër apo me oreksin e madh të këtij fondacioni që duan të marrin dhe Butrintin. Një qeveri ecën me parimin se meqë të ka bërë nder hanxhiu, i fal pastaj dhe hotelin. Deri tek hani lëre hanxhiun, po një hanxhi që bëhet hotelier, këtu po e teprojmë.

Nuk jam specialist për xhaminë, por përshtypja ime ishte se duke e parë nga sipër nga kalaja duket që diçka ka ndryshuar, mbulimi i godinave me pllaka duhet parë si është bërë. Ose kanë kthyer nga ana tjetër pllakat ekzistuese, që kanë qenë të oksiduara dhe tani ka dalë ngjyra origjinale, ose kanë marrë pllaka të tjera që nuk janë të përshtathsme. Këtë çështje duhet ta shohin specialistët si Emin Riza, që është gjallë dhe themelues i shkencës së restaurimit për arkitekturën popullore dhe që ka punuar me vite të tëra me Gjirokastrën. Por këta as pyesin dhe as duan t’ia dinë se ka specialistë. Këta e kanë fjalën: a ka tender dhe a ka para?! 

Po arkeologjinë çfarë po ndodh?

Arkeologjia po ashtu është jashtë vëmendjes, nuk kemi prej vitesh asnjë investim. Këtu kemi pafund një sistem tavolinash, personash, të cilët nuk janë specializuar, po janë emëruar politikisht që nga drejtuesit e deri tek personi i fundit, nuk ka karrierë, nuk ka ambicje, nuk ka publikime, nuk ka lidhje të punës me politikat e tjera që bën qeveria, sidomos me turizmin e kulturën.

Sot kemi vetëm rrogëmarrës që nuk bëjnë asgjë. Më parë ishte drejtori profesor, kurse sot është drejtori pa gradë shkencore, s’ka botuar asgjë. Kemi një drejtoreshë të arkeologjisë që nuk ka bërë në jetën e vet asnjë gërmim arkeologjik. Këta janë drejtorë që kanë dalë nga bashkia, e cila është kthyer si “shkolla e partisë” sot, që prodhon pa fund drejtorë. Kushdo që do të bëhet drejtor, të fitojë para, shkon në bashki dhe këtë s’e ka kuptuar Erjon Veliaj, që prodhon pa fund njerëz që shkojnë në bashki e që andej kapërcejnë në administratë atje ku ka para.

Ky është sistemi. Ka një kaos të vërtetë që është bërë me qëllim. Ka një mafia arkeologjike. E bënë ligin këta që kanë krijuar firma private, janë edhe në këshillin kombëtar të arkeologjisë dhe menaxhojnë të gjitha paratë që shkojnë në këtë drejtim. Si përfundim prodhojmë arkeologë nga fakulteti, 40 në vit, dhe asnjë prej tyre nuk gjen punë sepse në të gjitha drejtoritë rajonale vendet e arkeologëve i kanë zënë katundarët.

Drejtorët e parqeve me përjashtim të Apollonisë nuk janë arkeologë. Imagjinoni drejtori i parkut arkeologjik të Bylisit më parë ishte profesor, sot është ish-drejtori i skuadrës së ndërtimit të kooperativës bujqësore Hekal. Këtij njeriu i është besuar dhe projekti për Bylisin që do të financohet nga BE-ja. Në vend që të jenë arkeologë apo arkitektë arkeologë, vazhdohet me drejtorë militantë.

A keni reaguar ju për këtë situatë pranë ministrisë së Kulturës?

Kam komunikuar me kryeministrin, i cili çdo gjë që ia thua me të mirë ta merr për keq. Shembull konkret ishte kur Mirela Kumbaro doli me bujë për restaurimin e Muzeut Kombëtar e tha që në Shqipëri s’ka specialistë, do ia japim një firmë të huaj, por kur i shkruajta kryeministrit që i ke këtu specialistët, ajo tha po do ia japim një firme shqiptare. Po kur i thashë që kjo punë zonjë është bërë një herë dhe është paguar nga BE-ja në 2011 më shumë se 1 milionë dollarë dhe ajo bëri sikur nuk dëgjoi dhe e hodhi në tender me këto metastazat e bashkisë. Kur komunikova prapë me kryeministrin më thoshte që je “i rënduar”, pra që ke rrjedhur me pak fjalë në mënyrën e tij artistike. Por kur i çova dokumentet nuk tha më fal, por e ndaloi tenderin dhe shpëtuan ato 230 milionë lekë. Me aq lekë mund të ishin restauruar qindra kisha.

Do ta pyesja me këtë rast që në inventarin e ministrisë ka një muze të Tumës së Kamenicës, i bërë me para publike, i rrethuar me para publke dhe i regjistruar në një emër personal. Një njeri në rrethin e ngushtë të kryeministrit, pjesë e një grupi që kanë krijuar mafian arkeologjike. Nuk jam këtu të bëj akuza se ato bëhen në prokurori.

Një pasuri kombëtare me “pronar” që kur u zbulua në qeverinë e kaluar, kur ishte Berisha, me ndërhyrjen e disa njerëzve bënë sikur ia dhuruan shtetit, në vend që ta çonin në prokurori. Tani që kjo pasuri është në inventarin e ministrisë, çfarë po bën ajo me këtë?

Nuk e hapin për turistët, sepse nuk e kanë zgjidhur. Është i njëjti grup që duan të marrin dhe Bylisin dhe Butrintin.

Ju thoni se ka një sjellje të rrezikshme të shtetit ndaj trashëgimisë kulturore dhe arkeologjisë, a po ndodh e njëjta gjë dhe me Teatrin Kombëtar?

Teatri Kombëtar është një monument kulture në sensin që ka një histori. Për shembull dhe në Gjirokastër jo të gjitha godinat kanë vlera arkitektonike të jashtëzakonshme, por kompleksi që krijojnë ato është në UNESCO. Po të ishte një godinë e vetme do të diskutohej, por në kompleks krijojnë një asambël që përbën një vlerë botërore.

Kështu ndodh dhe me Teatrin Kombëtar. Nuk është një godinë që ka një vlerë arkitektonike të jashtëzakoshme, por është një vlerë kombëtare për përmbajtjen, historitë që janë zhvilluar aty dhe për kompleksin se ajo shkon bashkë me Xhaminë, me Pallatin Mbretëror, me hotel Vollgën, hotel Dajtin, dy godinat e toptanasve dhe Akademinë e Shkencave, që është pallati i parë qeveritar dhe mbretëror. Pra, ky është një kompleks që nuk i vjen më Tiranës dhe nëse i prishim një nga një do të kemi një shkretërirë. Ne që sot nuk kemi ku t’i çojmë turistët. I çojmë te ajo vrima, u themi ja ku është tuneli dhe nuk është se i habisim shumë me thënë të drejtën dhe kur dalin që andej s’kemi ku t’i çojmë sepse po i prishim të gjitha gjërat.

Vend për kulla ka sa të duash, vend për teatër të ri ka dhe ka nevojë për një teatër të ri kombëtar sepse aty nuk ka parking, nuk ke mundësi të krijosh kushtet për më shumë se 500-600 spektatorë. Të bëjmë atë që ka bërë Roma. I ka lënë të gjithë teatrot e vjetra dhe ka ndërtuar një kompleks të ri jashtë Romës.

Ky është problemi i vërtetë i teatrit dhe jo hajt të prishim këtë teatër, siç thonë disa sahanlëpirës që mund të jenë nga Tirana apo nga Korça, aktorë që s’i ka dëgjuar njeri, por meqë marrin rroga nëpër bashki dalin bëjnë deklarata që nuk janë të denja.

Zoti Ceka, para zgjedhjeve të 30 qershorit ju u përfshitë në replika me kyeministrin Rama?

Jemi shumë larg nga të gjitha pikëpamjet për të bërë debat. Nuk bëj debat me kryeministrin e një vendi, ku 2 milionë kanë ikur dhe ata që kanë mbetur duan të ikin. Me një “kryetar bashkie” të falimentuar sepse është një bashki e falimentur e gjithë Shqipëria e drejtuar nga Rama.

E vetmja çështje që pata nuk ishte politike, por qytetare. Jam një njeri që kam kontribuar për votën e lirë dhe nuk do të pranoja në asnjë mënyrë që të bëhen zgjedhje, ku vota e lirë nuk manifestohet.

Në një vend ku bëhen zgjedhje me një parti të vetme dhe luhet komedia e demokracisë ky është një vend për të qarë hallin.

Ka dy pikëpamje për demokracinë sot; ajo anglosaksone ku çdo gjë që është demokratike është ligjore dhe çdo gjë që është ligjore është demokratike dhe pikpamja latine, franceze, sipas saj baza e demokracisë është arsyeja. Ajo që është e arsyeshme është demokratike dhe ajo që është demokratike është e arsyeshme. Pastaj vjen ligji.

Sot jemi në një absurditet. Ne kemi një parlament që është ligjor, por nuk është i arsyeshëm sepse ata nuk përfaqësojnë elektoratin, raportet e elektoratet. Nuk është e arsyeshme as vota qesharake e 30 qershorit, ku votojnë 20 për qind, nga të cilët gjysmat votojnë kundër.

Pra është legjitim, por legjitim ishte dhe në kohën e fashizmit në Shqipëri, por nuk janë demokratik.

Ne u ngritëm kundër komunizmit, jo se ishte i pabazuar në ligj, po nuk ishte i arsyeshëm.

Ky është diskutimi që mund të kem me zotin Rama, i cili është kudo i paarsyeshëm. E kam konsideruar “un uomo in cerca di guai”, siç thonë italianët, një njeri në kërkim të belave ditë për ditë, nga teatri, te rruga, etj..

Unë mendoj se sistemi që ka ngritur, duke qenë një nga liderët shpirtërorë të dhjetorit ’90, se ai nuk ishte anëtar i Partisë Demokratike, por roli i tij nuk duhet mohuar,- ai tani ka bërë me dashje apo pa dashje restaurimin e asaj që u përmbys. Kjo nuk është hera e parë që ndodh, ka ndodhë me Napoleon Bonapartin, që ishte toger i revolucionit dhe u bë perandor. Edhe Enver Hoxha ishte përfaqësues i një brezi iluministësh të rinj të asaj periudhe, si Qemal Stafa, etj, por u kthye në diktator. Nuk e di a do të përfundonin të gjithë diktatorë, por sistemi do t’i kthente në xhelatë.

Edhe Rama nuk është gjë tjetër veçse një restaurator i regjimit që u përmbys. Por, ky është një restaurim me tender. Ky ka bërë një kombinim të sistemit komunist me atë otoman. Ka kthyer gjithë djemtë, vajzat dhe nipërit e mbesat e byrosë politike dhe komitetit qendror e sekretarëve të partisë. Ky është establishmenti politik që ka sjellë Rama. Dhe e dyta, spahitë. Secili ka marrë nga një copë, njëri merr rrugët, tjetri transportin, tjetri misrin, tjetri specin djegës e me radhë, janë qindra spahi që varen direkt nga Rama.

Kjo ndodh dhe me monumentet e kulturës. Atë karagjozllëkun e restaurimit të memorialit të Skëndërbeut e ka bërë vetë Rama. Ajo karakatinë që qëndron mbi Katedralen e Shën Kollit, ku është varrosur Skënderbeu, duhej të hiqej se është e kohës së komunizmit. E restauruan, e bënë me drita. Kur komunikova me Ramën, ai tha është gustoja ime dhe guston time nuk e diskutoj. Kjo është gusto nostalgjike.

Edhe një mandat po t’i japim këtij njeriu, do të vishemi të gjithë me poture dhe me bluza me karikatura. Pra, është njeriu që guston e tij të mërzitshme, si fjalimet e tij, do t’ua imponojë të gjithëve.

Gazeta “Mapo”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here