‘RamaLeaks’, sekreti pse kryeministri urdhërohet nga Erdogan!

0
107
Nga Poli Hoxha

Me rastin e furtunës më të fundit mediatike dhe asaj në rrjet, (se politika e lartë, po hesht si bufi në dritë) po dëgjoja nga një i njohur, të cilit çe ku i rri veshi i vet dhe ai i ca miqve gjithmonë në gatishmëri nëpër korridoret dhe dyert e Edi Ramës, një variant mjaft interesant për çështjen e Memorialit të dëshmorëve të Erdogan.

Sipas këtyre ‘ramaleaks’, rrjedhje të cilat normalisht duhet të merren me rezerva, ky akt politik e gjeopolitik është kërkuar personalisht nga Erdogan dhe se Rama duke kuptuar jo vetëm absurditetin e tij, por edhe mesazhin e rrezikshëm që u jep gjithë vendeve perëndimore e veçanërisht SHBA-ve, ka rezistuar fortë fillimisht. Por në fund – vazhdojnë ‘ramaleaks’ – kryeministri ynë është dorëzuar.

Dhe kjo ka ndodhur, jo për hir të atyre konspiracioneve idiote për vëllazëri dhe dashuri të madhe mes të dyve, por sepse “Sulltani” ia ka vendosur gjenitalet në mors, duke i hedhur mbi tavolinë ca sekrete për llogari të fshehta financiare në bankat e Turqisë, të cilat kontrollohen direkt prej Erdogan dhe të tjera në disa vende aleate të tij. Në ato letra na qenkan ndryrë transferta, qarkullime e ‘investime’ shifrash marramendëse, të cilat nëse do të zbuloheshin do ta nxirrnin Edi Ramën, një nga ingranazhet kryesorë të një lavatriçeje gjigante globale.

Se si një pjesë e madhe “e fitimit” të këtyre 6 viteve ka përfunduar në Turqi ende nuk dihet, përderisa siç thotë edhe vetë BB e FMN, bankat këtu në vendin tonë janë hermetike dhe ‘kontrollohen’ vetëm nga një levë e bindur e qeverisë, siç është guvernatori aktual. Por se si po rikthehen të shpëlara mirë në formën e `investimeve strategjike`, kjo po duket qartë me Aeroportin e Vlorës, Albania Airlines, nafta, kromi, pasuri të paluajtshme, TIKA, etj, etj. Kjo është një pjesë e “fitimit” që po rikthehet në atdhe, sepse investimet e vërteta turke në rajon po shkojnë me miliarda në Serbi.

Fakt është se Erdogan bëri një goditje të madhe gjeopolitike, duke nxjerrë për herë të parë jashtë kufijve dhe duke zhvendosur në mes të Europës një memorial-simbol të fuqisë së pushtetit të tij absolut. Ky mesazh, i bashkëngjitet atij që po i dërgon këto kohë SHBA-së me tanket në Siri dhe raketat ruse. Ai mermer i zi që i tregon vendin nobelistit Orhan Pamuk, futbollistit legjendar Akan Shukur dhe mijëra e mijëra intelektualëve, gazetarëve e artistëve në ekzil apo të damkosur e në burgje në Turqi, ishte vendosur deri më tani në 81 provincat e `Sulltanatit`. Tirana ‘europiane’ tashmë është e 82-ta!

Nëse këtu me këtë rast, Edi Rama, bëri strucin duke fshehur kokën dhe lënë përjashta prapanicën me gjithë gjenitalet, në Turqi ky akt i paprecedentë dhe absurd në pamje të pare, u shit me të madhe në televizionin shtetëror. Pastaj lajmi u përhap me shpejtësi në të gjitha mediat vendase deri në Anadollin e largët, e më pas në të gjithë botën.

Kjo puna e “gjenitaleve të Ramës, në morsën e Erdogan” mund të jetë edhe teori konspiracioni, po ama në gjithë këtë historinë e Memorialit ka një mister të madh, që as vetë Rama si mjeshtër i sofizmave nuk po guxon dot që ta kalojë. Edhe “Zëri i Amerikës”, nuk mundi dot që të gjejë “autorin zyrtar” të vendosjes së përkujtimores mijëra kilometra larg, për 251 të rënët turq në mbrojtje të pushtetit të presidentit Taip Erdogan gjatë një beteje të brendshme për pushtet.

Bashkia e Erion Veliajt ju tha, se nuk di gjë dhe le t’i drejtohen ministrisë së Jashtme. Kurse kjo e fundit e ktheu topin, po në fushën e bashkisë. Vetë kreu i saj, i cili dihet që ecën në gjurmët e Ramës duke e mbajtur veten gjithashtu për sofist të madh kur justifikon çdo lloj pisllëku, këtë herë na ofroi një çorbë të pakapërdishme, edhe nga fansat më kokëtrashë të Rilindjes. Të tipit: e ça të keqe ka këtu, ikën ca ferra, ishin 50 memoriale, u bënë 51… e të tjera `stroncllëqe` të këtij lloji.

Një mister tjetër është, edhe çoroditja e opozitës zyrtare me këtë rast dhe veçanërisht e PD. Këto ditë mjaft media i kanë dërguar kërkesë zyrtare zyrës së shtypit në PD, që të reagojë dhe të japë versionin e saj të paktën për pjesëmarrjen e anëtarit të kryesisë në atë event “sekret”, Kreshnik Çollakut. Ky vetë thotë se morri pjesë jo individualisht, por në emër të partisë. Por nga vetë partia deri më tani në mënyrë “të çuditshme” dhe kompleksive, përgjigjja për mediat e interesuara është vetëm: heshtje. Akoma më absurde bëhet situate në kampin e PD-së, pasi eksponentë të lartë të saj, si Tritan Shehu për shembull, ndryshe nga Çollaku deklarohet ashpër kundër memorialit.

“Edi Ramën nuk mund ta shpëtojnë dot as `memoriale` servile, që veçse flasin për nivelin ekstrem të mungesës së dinjitetit shtetëror”, thotë anëtari tjetër i kryesisë së PD-së. Edhe Gerti Bogdani e quajti më herët “gafë diplomatike”, por PD-ja zyrtare dhe kreu i saj duket se `po mendohen` për të thënë të paktën, që alibia (në fakt nuk ka as alibi) e këtij memorial në kodrat e liqenit nuk mbahet as me  logjikën më minimale, siç edhe po e pranon Rama me heshtjen e tij dhe Veliaj duke u justifikuar përçart.

Është e kuptueshme që ky provokim gjeopolitik i realizuar me sukses, me të drejtë e ka bërë çdo shqiptarë që të ndihet sikur Erdogan u ka ulur të mbathura deri në fund të këmbëve. Por fajin, nuk na e ka ai. As opozita që kompleksohet me aventuart e Çollakut, apo qoftë edhe nga një vendim i nxituar për të pranuar një ftesë të ambasadës turke.

Shqiptarët,  e kanë kapur shumë herë veten me “brekë nëpër këmbë” gjatë këtyre 6 viteve që pranojnë Ramën si kryeministër. E kanë kaluar, duke u argëtuar me batuta e çitjane. Kanë menduar, se kalon për hir të partisë e për kunj të partisë tjetër. Të një vendi pune, apo vetëm sepse ju është bërë lëkura shuall nga rrjepja dhe tallja. Në fund të fundit e kanë justifikuar Ramën si një burrë që mbron `gjenitalet` e veta dhe të atyre që e rrethojnë, sepse kështu ndoshta do të bënin edhe ata vetë po ti kishin në rrezik.

Por ky rasti i memorialit të dëshmorëve të Erdogan është, shumë më ndryshe; `gjenitalet` e kryeministrit të shqiptarëve nuk i ka ai vetë në dorë, por ia kontrollon “sulltani” Erdogan! Mirë këtë herë, edhe mund të kalohet me heshtjen e Ramës dhe komplekset e opozitës. Çështja është, po sikur morsa që “Sulltani” e mban gati gjithmonë për Ramën (Sipas `RamaLeaks`), të vihet në përdorim për çështje edhe më të mëdha kombëtare, si i bëhet?!

Konfuci thoshte, `hiqja fare ujin peshkut`. Në këtë rast logjika të thotë që për këtë hallin tonë, e vetmja zgjidhje është që “gjenitalet` që mban në morsin e tij Erdogan dhe ndoshta edhe dikush tjetër, të mos jenë më të kryeministrit të Shqipërisë, por thjesht të Edi Ramës.

Kaq e thjeshtë është për shqiptarët, nëse nuk duan ta gjejnë veten sërish e madje edhe më keq, ‘me brekë në fund të këmbëve’ faqe gjithë botës!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here