Pushkatimi i martirëve në Librazhd, 42 vjet nga vrasja e poetëve, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

0
192

Në komunizëm nuk lejohej të ishe i dëshpëruar. Nëse ishe, nuk duhet ta shprehje. Nëse e shprehje, duhet të prisje hakmarrjen e shtetit dhe shteti u hakmor ndaj poetëve Vilson Bollshmi dhe Genc Leka. I dënoi me pushkatim për vargjet e tyre, që e vërteta i bënte të ndaluara dhe pesimizmi heretike.

Si Leka dhe Blloshmi kishin lindur në Bërzeshtë të Librazhdit, Leka në vitin 1941 dhe Blloshmi në 1948-ën. Të dy ishin mësues, poetë, por ishin edhe pjesë familjesh të cilësuara armike, si bashkëpunëtore të Ballit Kombëtar. I ati i Genc Lekës ishte i arratisur, ndërsa familja e Vilson Blloshmit akuzohej për strehimin e diversantëve. Për këto arsye, fillimisht u ndaluan të ishin mësues dhe më pas, meqë nuk ka formë tjetër për të ndaluar një poet të jetë poet, u vranë.

Genc Leka u dërgua në ndërtim, ndërsa Vilson Bollshmi, pasi mbaroi Pedagogjiken e Elbasanit, nuk u lejua të punojë si mësues, por u çua në minierë e megjithatë regjimi nuk u mjaftua. Nuk mund ta duronte lirinë e mendimeve dhe vargjeve të këtyre dy poetëve të rinj, të cilëve u vuri prangat në gusht të vitit 1967, fillimisht Vilsonit, të cilit i propozuan të bashkëpunonte me Sigurimin, gjë që ai nuk e pranoi dhe 25 ditë më pas, Gencit. Gjatë asaj periudhe, pati disa arrestime në Bërzeshtë, që nisën me vëllanë e Vilsonit, Bedriun. Ishin të rinj familjesh të deklasuara, për të cilët u montua akuza e sabotimit ekonomik në ndërmarrjet ku punonin dhe agjitacionit e propagandës, por nga ata, dënimin më të rëndë e patën Genci dhe Vilsoni. Ata të dy u dënuan me vdekje. Vargjet e tyre ishin krim i pafalshëm. Në dosjen voluminoze të poetëve, gjenden akt-ekspertizat e personaliteteve të fushës së letrave për këto vargje, që u përdorën kundër tyre. Sekretari i parë i Librazhdit, Sotir Koçollari, vendos për vrasjen e poetëve. Gjykata e rrethit të Librazhdit shpall dënimin me pushkatim në kinemanë e qytetit, më 13 qershor 1977, të pasuar nga thirrjet “Rroftë partia” të spektatorëve. Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lë në fuqi vendimin e saj, edhe pas kërkesës së poetëve për t’iu falur jeta. Nuk kishte falje për ta. Më 17 korrik të vitit 1977, dy poetët pushkatohen në një largësi prej 5-6 km nga Librazhdi, në një humnerë që quhet “Përroi” dhe “Firarit”dhe mbesin të groposur aty deri në ndërrim të regjimeve. Vetëm atëherë, familja mundi t’i marrë trupat e tyre. Vetëm atëherë, publiku mundi të njohë shpirtrat e tyre, përmes vargjeve siç ishin ato të Vilsonit:

Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.

Foto nga përkujtimi i dy poetëve të pushkatuar, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.

Marrë nga Kujto.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here