“Sëmundje e heshtur”, mungesa e vitaminës D shkak për osteoporozën, si parandalohet

0
108

Vitamina D apo “vitamina e diellit” prodhohet kur rrezet e diellit ndërveprojnë me lëkurën tonë. Ndihmon në ndërtimin e kockave më të forta, duke rritur absorbimin e kalciumit. Mjekja reumatologe Rovena Liço thotë se mungesa e kësaj vitamine shoqërohet me nxitjen e hormonit të paratiroides, i cili nxit çlirimin e kalciumit prej kockës që rezulton në uljen e mëtejshme të mineralizimit të kockës.

Por çdo të thotë kjo? Sipas doktoreshës, te fëmijët e porsalindur, deficiti manifestohet me rakitizëm, ndërsa te moshat e mëdha mungesa mund të bëhet shkak për sëmundjen e osteoporozës. “Deficiti në vitaminën D mund të cilësohet si sëmundje e heshtur rovena

Te fëmijët manifestohet me rakitizëm që karakterizohet me vështirësi në fillimin e ecjes, d.m.th ecja në moshë më të madhe se normalja, shtatëlartësi e vogël, dalja e vonuar e dhëmbëve, harkimi i këmbëve etj.. Ndërsa në moshat e mëdha bëhet shkak për zhvillimin e osteomalacisë dhe osteoporozës. Të dyja sëmundjet bëjnë pjesë në grupin e sëmundjeve metabolike të kockave. Konkretisht, osteomalacia ka të bëjë me demineralizimin e kockës si rezultat i mungesës së kalciumit dhe fosforit.

Manifestohet me dhimbje kronike muskulore, dhimbje nën presion mbi kocka, si kërciri dhe dërrasa e kraharorit. Kurse osteoporoza ka të bëjë me uljen e densitetit kockor, duke e bërë kockën më poroze dhe për pasojë më të riskuar ndaj frakturave dhe rrezikut për t’u thyer edhe me trauma minimale. Osteoporoza nuk ka shenja klinike të mirëfillta.

Shfaqja e frakturave kompresive të vertebrave osteoporotike shoqërohet me: radikulopati (dhimbje që shkaktohet nga shtypja e nervit), deformim i shtyllës kurrizore me kifozë torakale dhe lordozë lumbare kompesatore. Në raste të avancuara, kifoza mund të shoqërohet edhe me çrregullime kardiake dhe pulmonare.D

Gjatësia trupore shkurtohet mbi 4 cm. Po ashtu deficitet e theksuara në vitaminën D mund të shkaktojnë miopati që karakterizohen nga dobësi e theksuar trupore dhe dhimbje muskulore”, thekson doktoresha. Por këto nuk janë të vetmet pasoja. Duket se mungesa e vitaminës D bëhet shkak edhe për disa sëmundje të tjera siç janë sëmundjet e zemrës dhe hipertensioni.

“Studime të ndryshme e lidhin mungesën e vitaminës D edhe me sëmundje të tjera, si hipertensioni, sëmundjen vaskulare periferike, sëmundjen ishemike të zemrës. Por deficiti i theksuar lidhet edhe sëmundjen e depresionit, e diabetit tip 2, problemeve me imunitetin. Studimet e fundit tregojnë po ashtu edhe për një efekt antikancerogjen të vitaminës D, duke u bërë në këtë mënyrë edhe një faktor mbrojtës ndaj shfaqjes së kancereve të ndryshëm”.

Mungesa e kësaj vitamine vë në dukje mjekja reumatologe mund të shkaktohet nga disa faktorë, ku mund të veçohet mungesa e ekspozimit në diell, konsumimi i ushqimeve të varfra në vitaminë D, nga keqpërthithja, por edhe si rezultat i përdorimit të disa medikamenteve të caktuara, si fenobarbital, rifampin, dilantin etj..

PARANDALIMI I MUNGESËS SË VITAMINËS D

Konsumimi i ushqimeve të pasura me vitaminë D dhe shpenzimi i 15-20 minutave çdo ditë në rrezet e diellit janë strategjitë më të mira për parandalimin e mungesës së vitaminës D.

Duhet të kihet parasysh një ekspozim sa më i mjaftueshëm ndaj rrezatimit ultraviolet si edhe një jetë sa me aktive. Nuk rekomandohet shtimi i tepërt në peshë, por edhe rëniet e theksuara të saj.

Rekomandohet marrja e suplementeve ditore me kalcium dhe vitaminë D jo vetëm përmes produkteve ushqimore, por edhe nëpërmjet suplementeve me multivitamina. Ndër ushqimet e pasura me vitaminë D, sipas doktoreshës, janë salmon, peshku ton, drithërat dhe qumështi.

“Ushqimet e pasura me vitaminë D janë të pakta, ndër to mund të përmendim peshkun e yndyrshëm, si salmoni, peshku ton, makarel, vezët dhe ushqimet që janë të fortifikuara me vitaminë D, si drithërat dhe qumështi. Pavarësisht se themi se në vendet mesdhetare mbizotërojnë ditët me diell, përsëri popullata është e riskuar për të zhvilluar mungesë të kësaj vitaminë, kjo sepse që vitamina D të sintetizohet nëpërmjet lëkurës duhet të plotësohen disa kushte.

Së pari, lëkura të jetë e pambuluar dhe pa përdorur krem mbrojtës që mbron ndaj rrezeve UV që nga ana tjetër është e domosdoshme për sintezën e vitaminës D. Përsa i përket ushqimeve është pjesë e politikave shëndetësore të çdo vendi që të kërkohen ushqime të fortifikuara me vitaminë D, sidomos qumështi i fëmijëve”.

MBI OSTEOPOROZËN

Por çfarë është osteoporoza? Vite më parë, vë në dukje mjekja, osteoporoza konsiderohej si pjesë e fenomenit normal të plakjes dhe nuk i kushtohej vëmendja e duhur.

Por me rritjen e jetëgjatësisë, me shtimin e procedurave diagnostikuese dhe metodave parandaluese, në ditët e sotme, osteoporoza është një sëmundje që duhet të njihet, në mënyrë që të parandalohet ose të mjekohet në kohën e duhur.

“Osteoporoza është sëmundja më e shpeshtë metabolike e kockave që karakterizohet nga reduktimi i masës kockore dhe prishja e mikroarkitekturës së saj. Duke humbur dendësinë e saj normale kocka bëhet më lehtësisht e thyeshme, duke u rritur në këtë mënyrë risku për fraktura spontane”. Sipas doktoreshës, nuk ka një shkak që sjell osteoporozën, ajo është multifaktoriale.

Nëse i referohemi osteoporozës primare, ajo i atribuohet postmenopauzës apo vjen si proces normal i plakjes, ndërsa osteoporoza sekondare (dytësore) paraqet një shumëllojshmëri shkaqesh dhe vjen pas një patologjie tjetër si: anoreksia, ciroza, sëmundjet e veshkave (insuficiencë renale); patologji respiratore kronike, artriti reumatoid etj..

“Osteoporoza ndahet në osteoporozë primare, ku futet osteoporoza postmenopauzale e grave dhe osteoporoza senile, që shfaqet pas dekadës së 6-7 të jetës dhe është pjesë e fenomenit të plakjes në tërësi. Në bazë të osteoporozës parësore qëndron formimi i masës së vogël kockore gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës.

Në dallim nga osteoporoza primare, në osteoporozën sekondare ekziston një sëmundje ose gjendje e caktuar shëndetësore që ka si pasojë osteoporozën, të tilla si: çrregullime të ndryshme endokrinologjike si sëmundjet e gjëndrës tiroide, diabeti, deficienca nutricionale në kalcium, magnez, vitaminë D, sëmundje të ndryshme të gjakut, si hemofili, talasemi si edhe sëmundje reumatizmale kronike, si artriti rheumatoid, spondiliti ankilozant etj.”./panorama.com

vitamine d

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here