4 korriku i “shefit”, mesazhet për ditëlindje!

0
804

 Nga Gëzim Saliu

Kush nuk e di ta mësojë sa s’është vonë ! Së bashku me ditën e pavarësisë së SHBA-ve, 4 korriku është një datë mjaft e rëndësishme edhe për Shqipërinë. Në 4 korrik të vitit 1964 ka ardhur në jetë “KM-ja”, i cili mësohet se që kur u bë i vetëdijshëm për rëndësinë e datës kur kishte lindur, mendoi t’i futej seriozisht artit të politikës. Ishte e shkruar, të lindësh në ditën që është shpallur pavarësia e shtetit më demokratik të botë, padyshim do të thotë diçka.

Por krejt ndryshe nga vitet e tjera, sot KM nuk ishte në Shqipëri, pasi për dy ditë me rradhë do jetë në Poznan të Polonisë, ku merr pjesë në Konferencën e Ballkanit Perëndimor në kuadrin e Procesit të Berlinit. E ku ka më mirë se  triumfin personal për KM-në, pas fitores plebishitare ( publiçitare sic i thotë Tërmeti Tepelenës, jo Damiani Dibrës) në 30 Qershor,  që ditën e lindjes ta festosh përkrah kancelares gjermane.

Megjithëse ende s’ka asnjë foto nga Rama-Merkel, vetë “media e lirë” e kishte kapur si detaj që në mëngjes këtë çështje dhe kishin lujtur titullin më bukur sa më s’ka: “Rama feston ditëlindjen përkrah Merkel-it në Poloni”. Në fakt duket edhe një formë urime e mediave për KM-në, që sic pohoi vetë “udhëheqësi” pak ditë më parë, tani e në vazhdim do ta trajtojë mirë. S’do dëgjoni më as kazan e as kënetë nga KM, e vetmja gjë që kaloi si pa u ndjerë ishte ai projektligji antishpifje! Po hajt se s’ka gjë, padyshim ligji do jetë një hap pozitiv për rregullimin e tregut mediatik, që me thënë të drejtën e ka tepruar jo pak me këto frazat “zbardhet skandali”. Ka lezet lajmi te mediat kombëtare, ndiqini e mësoni pasi edhe portalet përmes ligjit të qeverisë në atë standard do arrijnë. Jo më kot do shkojmë drejt BE-së.  Por ta lemë këtë temën e medias, se ha shumë debat, e për më tepër kush rri dëgjon këta analistët opozitarë që flasin për censurë më pas.

Të kthehemi te ngjarja e ditës.  Sot në godinën e PS-së dhe atë të Qeverisë , ndryshe nga çdo vit, “armata” e kishte pushim. S’po flasim për pushim zyrtar, por kemi parasysh organizimin deri në detaje të festimeve për ditëlindjen e KM-së. Tufat me lule, zbukurimet që KM i gjen te tryeza në mëngjesin e 4 korrikut, urimet në zyrë e përmes sms-ve në rrjetet sociale si edhe  harominë që krijohet në gjithë vendin në këtë ditë të shënuar. E megjithatë vetë “shefi” sic i takon, e nisi ditën me një falenderim për urimet që do i vinin nga miliona shqiptarë brenda e jashtë vendit. E padyshim s’kishte si të mungonte lidhja e ditëlindjes me festën e SHBA-ve, ku për të shprehur ndjeshmërinë e tij për këtë ditë, KM përdori një frazë të Presidentit Lincoln. “Faleminderit pafund dhe ndjesë për pamundësinë që t’u përgjigjem një për një, urimeve tuaja të pafundme për 55 vitet e mia. “Tekefundit s’kanë rëndësi vitet e jetës tënde. Ka rëndësi jeta në vitet e tua”, thoshte Presidenti Lincoln”, shkruante KM. Filo Amerikan, s’ke ç’i thua!

Foto e hedhur sot nga KM ne “facebook”

Vizita jashtë vendit, detyroi socialistët që urimet t’ja nisnin shefit përmes sms-ve. Ndër të vetmit që patën mundësi të uronin live sot shefin, ishin “mr.Fuga and mr.Agaçi”, dy figurat e pandara pranë KM-së.

Urimi i parë i mbërritur në telefonin e KM-së ishte nga fitimtari i Tiranës, “lali Eri”.

“ Pavarësia, liria e demokracia janë vlerat më të mëdha që SHBA-të përcjellin në botë që nga 4 korriku, 1776. Në Shqipëri, nuk mund të kishte lider tjetër që mund ti transmetonte më së miri këto tre parime të shtetit demokratik krahas Jush. Je më i miri. Edhe 100 nga “lali””- mbyllej mesazh i Veliajt.

Sapo e pa sms-në, KM ju drejtua Fugës:  -“ Ky shoku jot si përhera, nuk e ndal b..lëpirjen as në mëngjes”- dhe qeshën të dy.

E ndërkohë Veliaj pasi ja nisi mesazhin, direkt mendoi me vete: –“Sa me fat do isha të kishin rrjedhur ndryshe gjërat. Sot jo vetëm që do festoja fitoren si kryebashkiak por edhe si kryeministër i vendit. S’kishin ku të shkonin ata, unë do isha kryeministri tranzitor. Ehh tani nuk do isha duke uruar por…”-

Mendimet në kokë ja ndërpret dera që hapet në zyrën e tij, ishte Mazniku: “ Lali, si të kam”…

Urimi i dytë KM-së, këtë vit i erdhi nga Erjon Braçe. Mërzitia e gjithë këtyre viteve ndaj liderit të partisë, për mos marrjen e asnjë posti në ekzekutiv, më në fund këtë vit mori fund. Haku shkoi te i zot, s’ke ç’thua. Tashmë si numri dy i qeverisë, Braçja ndihet më së miri i përfaqësuar. Por ndryshe nga “lali”, zv.kryeminsitri ishte më i përmbajtur në urim.

-“ Edhe 100 Edi. Bekime në jetë e familje dhe pafund suksese në vazhdim”.

Urimi i tretë i mbërritur në telefonin e “shefit” ishte ai nga ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

“ Gëzuar ditëlindjen i dashur Kryeministër! Do më lejoni të elaboroj më tepër urimin tim duke ju 

përshëndetur përzemërsisht e duke ju uruar suksese të thelluara në betejën e vështirë të cilën keni ditur më së miri ta poërballoni me sukses. Në një rrafsh  të përgjithshëm politik dhe diplomatik, ju jeni padyshim lideri i patjetërsueshëm i integrimit të vendit dhe nxitjes së ndërveprimit rajonal. Edhe 100 dhe me shpresë për negociatat”.

Sapo mori mesazhin, ndërkohë që ishte ngritur avioni, KM ja plasi të qeshurës së bashku me Fugën: “Çuni Batonit ky, nuk e ndal asnjëherë ritmin e naaaaaaalt”.

E fill pas këtij urimi, krejt paparitmas për KM-në, në telefonin e tij mbërriti një mesazh nga parardhësi i Cakës, Ditmir Bushati. Pa telefonin mirë dhe kontrolloi se për herë të fundit kishin shkëmbyer mesazhe bashkë që para 4 muajsh. As gjatë fushatës, ku Bushati ishte në krye të ekipit të Shkodrës, nuk kishin pasur asnjë komunikim bashkë në telefon.

Të uroj gëzuar ditëlindjen Edi. Paç lumturi, shëndet e sa më shumë suksese në jetë”. Kjo fjalia e fundit i tingëlloi jo pak hidhëruese “shefit” pasi ju kujtua ish-benjamini i tij në shëndetësi Ilir Beqja me mesazhin e famshëm drejtuar drejtorit që e shkarkoi nga puna.

“Thua Ditmiri e kishte  me të futur këtë mesazh?!”– mendoi me vete, por ndërkohë nuk e ndau turbullirën që po i trazonte kokën me Fugën që e kishte pranë.

Pa kaluar as 5 minuta nga urimi Bushatit, në telefon i mbërritën dy urime përnjëherë. Ishin nga ish-ministrat, Arben Ahmetaj dhe Niko Peleshi. Direkti ra në të. Ju kujtua këshilla e Batonit, që foli për grupin armiqësor brenda PS-së të përbërë nga tre ish-ministrat Bushati, Peleshi e Ahmetaj.

“Nuk ka se si të jetë rastësi, këta po më përcjellin një mesazh”– mendoi pa zë. Të dy mesazhet e ish-ministrave ngjanin si dy pika në ujë. Dhe aty nuk duroi.

Niko Peleshi, Ditmir Bushati, Arben Ahmetaj

“Ore këta legenat e paskën seriozisht këtë idenë e largimit tim”– ju drejtua Rama, Fugës, i cili si gjithnjë ishte i zënë me komentet negative në faqen e “facebooku-t të KM-së.

“Po jo mo shefi, ku ja mban këtyre të merren me ty. Unë fola edhe vetë me Batonin pas shkrimit që kishte bërë e më tha që “e kisha vetëm me Bushatin, por për të mos u dukur hakmarrës futa edhe dy emra kot të dy ish-ministrave sa për të krijuar një grup armiqësor”– i tha Fuga, KM-së duke e qetësuar.

“Po për Bushatin e di unë, ka marrë rrugët ai. U mërzit që me Cakën!”- tha Rama tashmë më i qetë.

Për të rikthyer harmoninë në avion, aq më tepër në këtë ditë të shënuar , mendoi Fuga. Hapi direkt faqen e KM-së në “facebook” dhe i tregoi mijëra mesazhe të ardhura në adresë me urime për ditëlindje. Dhe sic i do shefi, të gjithë të inflitruarit e opozitës në komente, ishin pastruar më mirë sa më s’ka. E vluan më pas urimet: “Lideri ynë, edhe 100”, “Komandant, vetëm ti e bën Shqipërinë”. “Nëse do të uronim të jetoje sa projekte dhe investimet e realizuara në Shqipëri, 100 vite do ishin pak”. Ky i fundit i pëlqeu pa masë KM-së dhe teksa dëgjonte Fugën që i lexonte tha:

-“Op op op… Ndalu pak këtu, kush e ka shkruar këtë, ma thuaj pak emrin

-“Këtë e ka bërë prefekti i qarkut Vlorë në FB”– i tha Fuga.

“Po që do e bëj kandidatë për deputet këtë unë, me siguri do e përfshij në lista në 2021-in”– pohoi Rama

-“Fitore të mëdha na presin si 30 Qershori”– ja ktheu Fuga, ndërsa avioni po ulej në Poloni….

*Rubrika “Pikante” i trajton zhvillimet e ditës përmes satirës, ironisë dhe batutës

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here