Emërimi i Gjinushit në ASH/ “Ministër në komunizëm, PS duke rehabilituar sistemin enverist”

0
110

Intervistë ekskluzive e gazetares se Deutsche Welle-s Anila Shuka me historianin zviceran, Oliver Jens Schmitt, për strukturat autoritare në Shqipëri, mungesën e alternativave të besueshme partiake dhe dilemën e votuesit.

I pyetur nga gazetarja Anila Shuka në lidhje me emërimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, Schmitt është shprehur se ‘kjo tregon se Shqipëria ka nisur udhëtimin drejt së kaluarës’.

Kohët e fundit, parlamenti shqiptar ka marrë dy vendime që kanë ngjallur shumë pakënaqësi te një pjesë e intelektualëve: Caktimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave dhe kufizimin e objektit të studimit të Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në periudhën e pasluftës. Si i komentoni ju këto dy vendime?

Mjerisht, këto dy raste janë tipike. Që në krye të Akademisë së Shkencave caktohet pikërisht një person që ka qenë ministër në komunizëm, kjo tregon se Shqipëria ka nisur udhëtimin drejt së kaluarës. Veç kësaj ky emërim bie ndesh edhe me Ligjin e Akademisë që nuk lejon zgjedhjen e personave të jetës politike. Veç kësaj lind pyetja, se cili ka qenë kontributi i veçantë shkencor i personit në fjalë në vitet e fundit që do të arsyetonte emërimin e tij në krye të Akademisë. Kjo nuk e ndihmon as reformimin e Akademisë, që është më se i nevojshëm, sepse Shqipëria nga ana shkencore është shumë e dobët. Edhe dalja e tij e parë në media dëshmoi se ai ka një koncept shumë të kufizuar për median e lirë.

Për të dytin mund të them se është diçka e tmerrshme. Shqipëria ka pasur një nga regjimet më kriminale të Evropës, ka pasur kampe dënimi deri në ditët e fundit të regjimit ku kanë vuajtur mijëra njerëz. Ne kemi në Shqipëri situata ku komandantë të këtyre kampeve dhe përgjegjës të aparatit shtypës, jo vetëm që lëvizin të lirë, por, përkundrazi, përfitojnë edhe pensione të larta, ku viktimat e regjimit intimidohen, edhe sot e kësaj dite, dhe madje haptazi. Pra, është një situatë që nuk e njoh nga asnjë vend tjetër në Evropë. Nëse qeveria pengon trajtimin kritik të së kaluarës, mund të them, se nuk e ka kuptuar aspak se si krijohet një shoqëri demokratike. Dhe nuk ka aspak interes ta mësojë. Unë si historian solidarizohem shumë edhe me viktimat e regjimit. Është një sjellje  më se absurde dhe krejt e papranueshme për një vend që dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat e shoqërive demokratike.

Ju thoni, që këto dy vendime janë tipike. Çfarë keni parasysh me këtë?

Kur them se janë tipike, kam parasysh se prej disa vitesh po krijohen struktura autoritare  – në rastin e PS edhe duke rehabilituar sistemin enverist dhe duke mohuar ose minimizuar krimet e tij. Por tendencat autoritare nuk kanë të bëjnë vetëm me qeverinë aktuale, nuk mund të thuhet se Partia Demokratike nuk ka qenë autoritare, edhe ata e kanë instrumentalizuar historinë për çështje partiake. Dhe të dyja partitë nuk kanë pasur interes që intelektualë kritikë të merreshin me temat e së kaluarës. Arkivat u hapën shumë vonë, arkivat, pas gjase, janë ndryshuar shumë, – duhet pasur shumë kujdes kur punon me to. Mënyra se si po merret qeveria me të kaluarën komuniste – dhe socialistët janë partia pasardhëse e Partisë së Punës –jo vetëm që pengon një debat të hapur dhe kritik, por synon harrimin e krimeve komuniste dhe idealizimin e regjimit enverist. Por problemet, prej të cilës shoqëria shqiptare vuan ende edhe sot, u shkaktuan nga sundimi komunist dhe vazhdimësia e tij në epokën e tranzicionit. Strategjia e qeverisë aktuale sigurisht nuk është një mënyrë e mirë për t’i bindur qytetarët ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.

Nëse ju thoni, asnjëra nga partitë nuk është e besueshme, atëherë kujt duhet t’u besojnë shqiptarët, nëse jo partive të tyre?

Ky nuk është një problem specifik shqiptar, por vihet re në të gjithë rajonin. Protesta studentore, si ato në fund të vitit të kaluar në Shqipëri, ka edhe në vende të tjera të rajonit, në Serbi, në Mal të Zi, madje edhe në vende anëtare të BE-së, si në Rumani, Hungari, Bullgari. Në të gjitha këto vende sistemi parlamentar me partitë ekzistuese nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve. Dhe kjo çon në një bllokadë të të gjithë sistemit demokratik. Në Rumani tani ka nisur të formohet krejt papritur një parti properëndimore opozitare, e cila nuk është ende e qëndrueshme. Edhe në Shqipëri ka pasur përpjekje të ngjashme me lëvizje qytetare, por prej tyre nuk dolën asnjëherë parti të forta.

Meqë ju përmendët Rumaninë, para ca kohësh ju keni shkruar një artikull për rolin e diasporës në zgjedhjet e fundit në Rumani. Mendoni se edhe diaspora shqiptare mund të japë një ndihmesë në zgjidhjen afatgjate të krizës në Shqipëri?

Unë mendoj se ka dy tipa diaspore. Kemi rastin klasik, ku diaspora është konservatore, nacionale dhe autoritare, dhe rastin shumë të rrallë, ku diaspora në të vërtetë është e gatshme që të angazhohet për implementimin e vlerave të vendeve ku jeton. Në diasporën shqiptare ka shumë njerëz të mençur dhe të angazhuar, por kjo energji nuk mund të shndërrohet në punë parlamentare, nëse diaspora nuk ka mundësi të japë votën e saj në vendet ku jeton. Në rastin e Shqipërisë duhet ndryshuar ligji zgjedhor, por kjo për këtë mungon vullneti politik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here