Luan Rama: Qytetaria është forca e protestave të opozitës

0
182

“Pjesëmarrja gjithnjë në rritje e qytetarëve në protestat e njëpasnjëshme të opozitës, rritja e rolit prej aktorit të qytetarëve në këto protesta dhe vendosmëria për të ecur në këtë rrugë është padyshim dëshmia më e qartë dhe treguesi më domethënës që ne në momentin kur vendosëm të djegim mandatet, jo vetëm bëmë zgjedhjen më të mirë për t’ju përgjigjur një realiteti politik të dominuar nga arroganca dhe nga kriminalizimi i të gjithë mënyrës së qeverisjes, por gjetëm edhe harmonizimin e frekuencave me atë që donin qytetarët”, deklaroi Luan Rama.

Fjala e Zëvendëskryetarit të LSI-së, Luan Rama në takimin me strukturat e LSI Tiranë

Jam në këtë takim, për të ndarë sëbashku me të gjithë ju disa vlerësime mbi situatën aktuale politike në vend, me qëllim që të dimë ku të fokusohemi në kontaktet, jo vetëm me njerëzit e LSI-së që veprojnë në terren, por me të gjithë qytetarët, për të evidentuar dhe për të ditur si të flasim e për çfarë të flasim me ta.
Natyrisht jemi në një realitet të ri politik, të krijuar pas 16 shkurtit e këtej, një realitet që evidenton në fakt një situatë në mjedisin qytetar, që sa vjen e bëhet më mbështetës, më inkurajues dhe më frymëzues për opozitën pikësëpari, por edhe për masën tjetër të qytetarëve.
Çfarë dua të them? Pjesëmarrja gjithnjë në rritje e qytetarëve në protestat e njëpasnjëshme të opozitës, rritja e rolit prej aktorit të qytetarëve në këto protesta dhe vendosmëria për të ecur në këtë rrugë është padyshim dëshmia më e qartë dhe treguesi më domethënës që ne në momentin kur vendosëm të djegim mandatet, jo vetëm bëmë zgjedhjen më të mirë për t’ju përgjigjur një realiteti politik të dominuar nga arroganca dhe nga kriminalizimi i të gjithë mënyrës së qeverisjes, por gjetëm edhe harmonizimin e frekuencave me atë që donin qytetarët.
Dhe kjo është padyshim fitorja më e madhe e të gjithë kësaj faze të veprimit politik të opozitës.
Ndërkohë, jemi përpara protestës së radhës, asaj të datës 2 qershor dhe kjo është një nga arsyet se pse ju kam mbledhur sot, sepse ne do të duhet të dëshmojmë edhe njëherë tjetër forcën tonë në rritje përmes pjesëmarrjes, përmes vendosmërisë dhe padyshim përmes cilësisë së qytetarisë që kanë protestat tona. Protestat e opozitës forcën e kanë te qytetaria e tyre dhe te kauza e drejtë që kanë zgjedhur. Ne na pyesin shpesh, po mirë kështu do të vazhdojmë me protesta një pas një?
Po, protestat janë njëra nga mënyrat e shfaqjes së revoltës qytetare, prandaj qytetarët kanë të gjithë të drejtën e tyre që përmes forcës së mesazhit të tyre qytetar të dëshmojnë, jo vetëm që janë kundër kësaj qeverie dhe mënyrës se si qeveriset vendi, por që janë të vendosur të ndryshojnë përfundimisht një praktike qeverisje që dominohet nga arroganca, që dominohet nga urrejtja ndaj qytetarëve dhe nga përgjegjshmëria në qasje të qeverisë ndaj atyre që kanë të bëjnë më jetën e përditshme të qytetarëve. Shikoni se çfarë ndodh. Koncesione pas koncesionesh, në mënyrë më të paligjshme që edhe fantazia më e fandaksur do ta kishte të vështirë ta perceptonte këtë lloj papërgjegjshmërie të qeverisë në raport me interesin publik, me financat publiket, me taksat e qytetarëve dhe me detyrimet që kanë të gjitha institucionet e shtetit ndaj qytetarëve. Është vetëm njëra nga dëshmitë e radhës, ajo që ka të bëjë me koncesionet më të fundit, por në fakt është kjo filozofia dhe politika e qeverisë, që në fakt është kryeministri, sepse vetëm qeveri nuk ka ky vend. Sepse ata janë një grup marionetash që në papërgjegjshmëri të plotë bëjnë, nënshkruajnë akte, marrin vendime që nuk do të ketë asnjë lloj mekanizmi dhe asnjë avokat në botë që do të mund t’i shpëtojë.
Dhe ndaj, edhe rekomandimi më i fundit i Komisionit Evropian është i tillë që vë theksin te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nuk janë dy tema më vete. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy anët e të njejtës medalje.
Korrupsioni në vetvete është krim, madje merr përmasat e krimit të organizuar për shkak edhe të vendimmarrjes në qeveri, e nga ana tjetër krimi i organizuar që e ka bazamentin tek votat e vjedhura me të cilat u krijua kjo mazhorancë dhe prej nga ku doli kjo qeveri, kërkon natyrisht haraçin dhe shpagimin për atë që ka bërë.
Nuk ka ndryshuar asgjë pavarësisht lajleve dhe luleve, ceremonive me të cilat u përcoll dje në konferencën e shtypit të kryeministrit, apo anës protokollare të dorëzimit të raportit, që është një akt rutinor, madje një akt i rëndomtë për ta paraqitur këtë si një arritje të madhe të Shqipërisë.
Pavarësisht faktit që qytetarët shqiptarë e meritonin shumë më shpejt, shumë më herët dhe e meritojnë çeljen e negociatave si vlerësim për gjithë angazhimin, për sakrificat, për kontributin, për kostot që përballojnë në kuadër të procesit të integrimit evropian, por për fat të keq qytetarët shqiptarë do të jenë të dënuar të mbajnë edhe ata përgjegjësinë që në fakt është e qeverisë.
Se i gjithë procesi i integrimit evropian është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë. Opozita është ofruar gjithë këtë periudhë, në mënyrë të veçantë pas zgjedhjeve të 2017-s edhe për shkak të rolit konstruktiv si opozitë të LSI-së, për të kontribuar, për t’i dhënë mundësi qeveri të reflektojë.
E bëmë këtë para se të merrej vendimi vitin e kaluar për negociatat nga Komisioni Evropian. Ndërpremë protestat, ndërpremë kontestet publike, i kërkuam qeverisë të ulemi e t’i bëjmë bashkë reformat më të mëdha dhe qeveria nuk pranoi.
Shqipërisë nuk iu çelën negociatat, gjë që do të ndodhë edhe në ditët në vijim, në qershor.
Pse e them këtë? Edhe para këtij vendimi, ne ishim në bojkot parlamentar nga shtatori deri në dhjetor të vitit të kaluar dhe u kthyem ne Parlament për t’i hapur rrugë dialogut politik, për të bërë të mundur krijimin e një klime bashkëpunimi dhe mundësisht konsensusi politik që reformat e mëdha për të cilat ka nevojë vendi të bëhen me të gjithë aktorët politikë në vend.
Madje LSI kontribuoi edhe me një angazhim të drejtpërdrejtë me një mori amendamentesh për ligje të veçanta, kontributi më i dukshëm ishte ajo që ne bëmë për amendamentet për ligjin e Vettingut të Policisë që e miratuam bashkërisht për të krijuar një klimë bashkëpunimi, konsensusi politik me qëllim që të mbërrinim tek ajo që ka qenë në fakt ideja e hershme e LSI-së, tek një pakt kombëtar për integrimin evropian të vendit.
Dhe përsëri, pjesëmarrjen tonë, rikthimin në Kuvend, kontributin konstruktiv, mazhoranca e trajtoi si dobësi tonën dhe u soll me arrogancë, me mospërfillje, me fyerje dhe më karshillëk madje, duke riaktivizuar të gjithë sensorët e saj të komunikimit me krimin, për të vazhduar në të njëjtën mënyrë, të vetmen që ajo di, dhe ja cili është rezultati.
Dua të kemi të qartë një gjë, aksioni politik i opozitës që është bërë aksion qytetar i shoqërisë shqiptare do të vazhdojë me forcë pavarësisht sjelljes së papërgjegjshme që po reflektohet nga qeveria. Jemi për herë të parë pas zgjedhjeve 31 marsit 1991, ku u bënë për herë të parë zgjedhjet demokratike, pluraliste dhe të lira në Shqipëri. Jemi për herë të parë në zgjedhje pa alternativë, pa kandidatura alternative dhe jo thjesht pa opozitën, por edhe pa kandidatura alternative, pra jemi në modelin e zgjedhjeve të kohës së sistemit komunist.
Edhe atëherë fotmalisht kishte dhomë të fshehtë, por kishte vetën një kandidat, që quhej kandidati i Frontit Demokratik.
Tani kemi kandidatët e frontit të Rilindjes, prapë një kandidat.
Por nuk janë zgjedhje, janë vetëm votim.
Të zgjedhësh do të thotë që midis 4-5 alternativave, ti si qytetarë të kesh mundësi zgjedhësh atë që mendon se mund të jetë shprehësi, mbrojtësi apo zëdhënësi më e mirë e interesave të tua.
Ky është realiteti në të cilën e ka katandisur vendin qeveria e Frontit të Rilindjes, e klanit të rilindjes, apo e çfarëdo lloj emri ti vendosni, që kur ka për mbiemër rilindjen, nënkupton fatalisht kosto të mëdha për Shqipërinë, nënkupton fatalisht një raport bashkëjetese dhe ndërveprimi midis qeverisjes dhe krimit.
LSI në gjithë këtë periudhe të kolaudimit, të ristrukturimit dhe të forcimit të strukturave të veta, natyrisht është në punë me impenjim maksimal për të bërë më të mirën për interesat e vendit e para, dhe e dyta, është në punë për të ridimensionuar raportin e komunikimit e të veprimit me qytetarët edhe përmes procesit të vetëpastrimit të rradhëve tona nga interesaxhinj, nga të trafikuar, nga qylaxhinj, nga ata për të cilët jemi akuzuar në fakt gjatë periudhës së qeverisjes, nga ata që u mbetën duart në tepsinë e pushtetit për të dëshmuar para qytetarëve që ne jemi në një proces vitalizimi, në një proces riorganizmi, pastrimi dhe kjo është natyrisht edhe përmasa e sinqeritetit tonë në komunikimin me ta.
Duke u kërkuar ndjesë qytetarëve, jemi bashkë me ta, me qëllim që në Shqipëri të ndryshojë përfundimisht modeli i qeverisjes. Të ndryshojë modeli i qeverisjes dhe të hyjmë në një proces reformimi tërësor që me reformën kushtetuese dhe me morinë e mëtejme të të gjitha reformave, për të cilat ka nevojë vendi. Ne jemi forcë e integrimit. LSI ka lindur si reaksion ndaj së keqes dhe abuzimit me pushtetin, u rrit si forcë e integrimit evropian të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të luftojë me flamurin e integrimit europian të Shqipërisë, e vendosur se vetëm duke u larguar e keqja e qeverisjes, Shqipëria do të shkojë përpara në rrugën e integrimit evropian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here