Kreu demokrat Lulzim Basha u shpreh në aktivin e zgjeruar të demokratëve të Beratit se nuk do të ketë zgjedhje me krimin, me hajdutët, nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor.
Nën thirrjet e të pranishmëve “Rama ik”, Basha tha se ky është mesazhi më i qartë, më i vendosur, më i prerë ndaj atyre që dhe atij që kanë mbajtur qytetarët peng me krimin dhe oligarkinë, që i ka vjedhur, grabitur dhe i ka detyruar të ikin nga Shqipëria.
“Shikoni Beratin e shpresës, Beratin e lirisë dhe demokracisë. Jeni në këmbë për Shqipërinë si gjithë Europa. Pas vizitës sime në Perëndim, bashkë me aleatët tanë euro-strategjikë, do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, nuk do të ketë asnjë hap pas. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, ne e kemi nisur këtë betejë madhështore, jo për pushtet, jo për karrige, por për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, tha Basha.
Ai shprehu bindjen për ndryshimin e madh që po vjen, duke theksuar se shqiptarët janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund bërjes së Shqipërisë si gjithë Europa.