Bindja Demokratike nuk mund të hyjë në zgjedhje, veçanërisht tani se po rezulton se janë falsifikuar firmat. Kështu u shpreh Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, sipas të cilit opozitat nuk mund të krijohen, por lindin natyrshëm.
“Edi Rama pasi vendosi të emërojë opozitën parlamentare, tentoi të krijojë edhe një tjetër opozitë, e cila sot po na del false”, tha Gjata.
Ai shtoi se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto firmat false.
“Të gjitha partitë që janë krijuar deri më tani, qoftë edhe nga themeluesit e PD-së, sot ku janë, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë”, tha Gjata. Lidhur me protestën e 11 majit, Gjata tha se do të jetë një protestë madhështore, po të kihen parasysh të gjitha protestat e zhvilluara deri më sot.
Gjata shprehu bindjen se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje.
“Me çfarë do t’i kontrollojë 5 mijë qendrat e votimit me policë dhe me gaz? Sa mijëra njerëz do të fusë në burg Edi Rama që kërcënon se do të burgosë shqiptarët që dalin në rrugë? Edhe Ramiz Alia kështu tha për të mbrojtur bustin e Enver Hoxhës, por busti u rrëzua dhe u tërhoq në rrugët e Tiranës”, tha Gjata.