Nëse dy vite më parë Gent Cakaj do pyetej: “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh”?, me siguri mund të thonte çdo profesion, por edhe në dëshirat më ëndërrimtare, sy mbylluar apo hapur, nuk mund ta perceptonte se do mbante postin e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë.
Është imcak, si i padjallëzuar në pamje, por kur nis të flasë, edhe ashtu pa pikë e presje, nuk të lë mundësi as ti bësh pyetje, jo më të kritikosh, veçanërisht kryeministrin.
Asnjë pyetje nuk i përgjigjet drejtëpërdrejtë. Nëse e pyet për hapjen e negociatave, ai të flet për shkarkimet në ministri dhe punën e tij vizionare. Aq i rrëmbyeshëm është sa shpejt ka nisur të merret jo me thelbin e çështjeve, por me akuza dhe inate personale me këdo gazetar që i prish terezinë.
Në moshën 28-vjeçare kapi postin e lartë, në fakt nuk u lodh hiç për ta arritur, sepse ia dhanë në prehër. Po cilat ishin kriteret për ta katapultuar këtë rast të rrallë në krye të diplomacisë sonë? Edi Rama e justifikoi se ishte erudit, një djalë nga më të diturit që kishte hasur ndonjëherë.
Por e vërteta nuk thuhet. Genti është “çiraku i Baton Haxhiut”. Dhe fjala çirak nuk është aspak negative, pasi ka kuptimin e një nxënësi që rri pas një mjeshtri për t’i marrë zanatin. Po sot Gentin e mban Rama nga pas. Besim të madh ka, por gjithnjë nën kontroll pasi shpesh mund t’i kujtohet fjala: “I riu si veriu”, merr kot nganjëherë.
Në fakt, ai ka marrë kot gjithherë. Në dy raste që është paraqitur para gazetarëve, në tre orë emision, ka lënë batuta e “fabula” që zor se të shqiten për vite nga kujtesa. “Jam 28 vjeç, por kam 14 vjet karrierë politike”. Kjo ishte fraza e parë e nxjerrë nga goja e tij, në rrëfimin e jetës para Blendi Fevziut, që edhe ky i fundit për hir të “shoqnisë” me Batonin, nuk kishte si ta linte “çirakun” pa një emision.
Por ky ishte vetëm fillimi. Genti, (i vogli i qeverisë), tenton të duket si “Gandi i madh”. Më shumë se ministër ngjan një Rilindasi të futur në “lavazhin e partisë” ku shpëlahet truri për të funksionuar vetëm një anë: “Mbrojtje të Edi Ramës”.
Në rastin e tij nuk duhet kritikuar ashpër. E madje mediat nuk mund ta marrin seriozisht, pasi ai është më pak i fajshmi në atë qeveri të kryeministrit Edi Rama. Është i ri në moshë, por tërësisht i “vogël” për të qenë ministër, e për t’i lënë një barrë që shpatullat e tij nuk e mbajnë.
Të kritikohet Genti sot është lehtësi e madhe, por fajtori i vërtetë që po e shkatërron ministrin me autorizim, është kryeministri. Të paktën deri më tani nuk të jep idenë e një “Rilindasi” që futet në oazin e qeverisë me qëllim për të ngjyer gishtat në sahanin e pushtetit.
Ai është aty nën “Sindromën e Stokholmit” dhe pengmarrësi i vërtetë mbetet kryeministri. E vetmja kritikë e fortë që ministrit me autorizim i duhet bërë gjithnjë është: “Mos mbro Ramën në çdo paudhësi”! Edhe pse Rilindas bëhesh dhe nuk lind.
Nga Boldnews.al