Një parti si LDE!

0
104

Nga Arian Galdini

Pluralizmi Politik është në rrezik, tha dje Presidenti i Republikës.

Ne do ti fitojmë të 61 Bashkitë në zgjedhjet e 30 qershorit, thotë e përsërit papushim Edi Rama në version estetik si vetja por edhe në version pasaniku rural si alteregoja e tij perverse Taulant Balla.

Nuk hyjmë në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër, thotë Lulzim Basha.

Edhe mund të hyjmë, edhe s’hyjmë, por të shohim a gjejmë ndonjë mënyrë mbase hyjmë, se edhe po nuk gjetëm, po të jemi 5 e trembim edhe Bashën e pastaj ça të ketë bërë kismet Zoti, thonë aleatushët e PD, teksa rendin zyrë më zyrë për të kap ndonjë cep protagonizmi.

Në cilin prej këtyre qëndrimeve gjeni thelb?

Në cilin?

Në cilin prej këtyre qëndrime gjeni vizion, koncepte, mendjehaptësi që synon aspiratën kombëtare dhe lëvizjen e kombit nga pengmarrja në çlirim?

Në cilin?

Askund.

Janë të gjithë në llogoret a frëngjitë e tyre në mbrojtje të gjësë së tyre.

Psh, kur PD flet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, gjithçka përmbyllet në një llaç fjalësh pa kuptim që as ngjit mure e as ngre ura.

Në këto 30 vite PD është po aq përgjegjëse sa PS për mos lejimin e as themelimin kurrë, asnjëherë të zgjedhjeve të para, të lira, të ndershme dhe të barabarta në Shqipëri.

Prej 2008, PD dhe PS kanë bërë një Kod Privat, Partiak, Kriminal, Antiliri, Antidemokratik Elektoral dhe i gjithë rendi i parametrave demokratik në vend ka pësuar një dekadencë të pandalshme që nga ajo ditë kur ky Kod u votua.

Kanë miratuar një Kod Zgjedhe, jo Kod Zgjedhor.

Kodi Elektoral i 2008 që ende është në fuqi ka qenë akti final i ekzekutimit pa gjyq të çdo mundësie që në Shqipëri të ketë pluralizëm politik, liri, demokraci dhe garë e konkurencë të ndershme, të lirë dhe të barabartë.

Ky Kod ka vrarë përfundimisht çdo gëlim mendimi ndryshe apo demokracie të brendshme në partitë politike shqiptare.

Ky Kod i detyron partitë a lëvizjet e reja që ose të bëjnë Koalicion, ose të korruptohen, ose të vdesin.

Ky Kod nuk e do politikën shqiptare dypolare por bimoniste.

Andaj, prej 2008 nuk kemi më pluralizëm politik.

Kemi pluralizëm partiak apo më saktë akoma kemi pluralizëm kryetarokratik.

Por pluralizmin politik, e kanë këputur në mes me plumb ballit PD dhe PS me Kodin e Zgjedhës së 2008.

Andaj kur Edi Rama thotë se do fitojë 61 Bashki, e ka si hesap mes Kryetarësh, jo si komunikim me qytetarët.

Në këtë pikë, Edi Rama lodron e ngazëllehet se brenda klubit të Pluralizmit Kryetarokratik, ai ia ka dalë mbanë ti rreshtojë të gjithë Kryetarët dhe ish- Kryetarët përballë tij, e po i ngop me grushtet e turfullimeve, arrogancës, lajthitjeve, fuqisë, superioritetit të tij, sepse ua ka llocur.

Dora e pokerit të shpërndarjes dhe rishpërndarjes së fuqive, pasurive, mediave, ekuilibrave rajonalë, europianë dhe gjeostrategjikë, brenda klubit të Kryetarokratëve, i ka rënë atij Royal Flush.

Këta të tjerët janë tërbuar fare.

Ndaj edhe deklaratat e tyre duken më shumë si zemëratë pokeristësh që kanë 6 duar që humbasin, sesa si vizion politik për vendin.

Këtu hyn edhe në lojë kjo parti e re.

Jo nga vitet e ekzistencës së saj ligjore por nga substanca e saj si histori, ide, qëndrime, strukturë, vizion.

LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, si parti është ligjërisht e miratuar në Gjykatën e Tiranës në vitin 2010.

Viktimë e thjeshtësisë dhe natyralitetit me të cilin ajo lindi, ra përtokë ende pa u tharë vendimi i Gjykatës.

Koha kur LDE lindi ishte pothuajse në fillesat e shpalosjes së krimit të bërë nga PD dhe PS me Kodin e tyre të Zgjedhës, të miratuar në 2008.

PS ishte në sheshe kundër Kryeministrit Berisha, nën thirrjen : Hap kutitë.

LDE erdhi si një parti e themeluar nga njerëz të djathtë dhe me histori të djathtë, që e donin atë si një parti moderne të djathtë.

Donim të ishim qartazi të dallueshëm nga çka përfaqësonte PD.

Por pushtimi i shesheve nga PS, asokohe rrezikonte të na përpinte edhe neve e paskëtaj të perceptoheshim si të hedhur majtas.

E ndalëm projektin dhe e futëm në sirtar.

Ndodhën edhe të tjera sende të pakëndshme si blerje e largime prej joshjes të shumë prej themeluesve tanë, por kjo nuk ka rëndësi fare më sot.

Pasi ndodhi 21 janari e 4 qytetarë të pafajshëm u vranë në Bulevard, ne djemtë dhe vajzat e LDE u rigrupuam si lëvizje qytetare për paqen.

Ky akt i yni, sigurisht që pati edhe ndikimin e vetë të madh në gjumin e gjatë letargjik të LDE e cila vijonte të qëndronte në sirtar.

Kaluan disa vite deri në vitin 2015, kur tharja dhe shterrimi demokratik në vend po ktheheshin në një rrezik madhor për të ardhmen e Shqipërisë dhe çdo shqiptari.

Kuvendi ishte mbushur me horra, trafikantë, banditë, tutorë.

Kandidatët kryesorë në zgjedhjet lokale të 2016 kishin qenë po nga ky soj e kategori.

Vendi po kanabiszohej me shpejtësi marramendëse.

Shqiptarët kishin numrin rekord të braktisjes së vendit prej pashpresësisë dhe varfërisë mbytëse.

Në tetor 2015 rinxorëm nga sirtari projektin tonë LDE për të rinisur një sfidë të lënë në mes.

Muajt e parë qenë impresionues dhe fortësisht shpresëdhënës.

Veç pak nga pak nisën edhe ndërhyrjet e para nga “të fuqishmit” e vendit.

Drejtues të LDE filluan të na braktisnin nën joshje apo trysni.

Ikjet nisën të bëhen më të mëdha se prurjet.

Për të mos e lënë këtë ide e projekt që të tretej apo të përfundonte sërish në sirtar, u detyruam të pranojmë ftesën e Lulzim Bashës dhe PD për tiu bashkangjitur atyre në Koalicionin Opozitar.

LDE që në nisje ka qenë, është dhe do të jetë parti e djathtë, moderne, parti e ideve, parti e paporositur, parti elektorale dhe jo strukurash, parti e pafinancuar.

Kështu që kishte një natyralitet në Koalicionin tonë me PD.

Ne mendonim.e besonim se PD do të ishte luajale me ne.

Naivisht shkuam si cjapi tek kasapi.

Që të nesërmen e daljes sonë në Konferencë për Shtyp me Kryetarin e PD, një sulm i pabesë dhe i pandershëm, i fëlliqët u bë ndaj meje si Kryetar i LDE.

Sulmi nisi që në Konferencën për Shtyp, nga një gazetare e TCH që më vonë u bë Drejtoreshë për Mediat në PD.
Sulmi vinte nga brenda e patjetër që u shfrytëzua pamëshirë edhe nga pala tjetër.

Kjo gazetarja e nisi gjithçka sipas planit, sepse mu në mes të Konferencës për Shtyp, pasi kishte folur Basha, ende pa nisur fjalën unë më pyet për mbiemrin tim të ndërruar nga Saliaj në Galdini.

E mendova normale dhe iu përgjigja pyetjes me ndershmëri të plotë pa dyshuar aspak në ndonjë pisllik që fshihej pas.

Të nesërmen e kuptova, pse kjo gazetare ishte instruktuar që të ma bënte atë pyetje.

Sepse mediat e majta e pastaj të gjitha mediat kishin shpërndarë si me magji lajmshpifja se ky Arian Galdini në fakt na qenkërkësh Arian Saliaj dhe se mbiemrin e paskërkësh ndryshuar për të fshehur të kaluarën e tij kriminale si ish burgaxhi për trafik kanabisi.
Nuk kisha nevojë për mbrojtjen e Bashës.

Ia dilja dhe ia dola vetë ti sqaroj dhe hedh poshtë të gjitha shpifjet por nuk e fsheh dot habinë time sesi Lulzim Basha gjatë gjithë asaj jave sa mbajti ajo shpifje, nuk e tha kurrë asnjë fjalë.

Basha nuk kishte lënë njeri e paçavure në këtë vend, pa e marë në mbrojtje.

Çuditërisht, i vetmi njeri për të cilin po heshtte si fija e barit, isha unë, njeriu me të cilin vetë Lulzim Basha me kërkesën dhe vullnetin e tij kishte dalë në Konferencë për Shtyp për të shpallur aleancën tonë.

Ose Basha po jepte mesazhin se me heshtjen e tij ndoshta dyshonte se mund të kishte ndonjë shans që ajo shpifje mediatike të kishte ndonjë grimë vërtetësie, ose Basha ishte pjesë e projektit për të larë duart me mua që të nesërmen e aleancës sonë…

E përtypa atë moment.

LDE i qëndroi luajale PD deri në fund.

Edhe kur i kemi menduar ndryshe gjërat nga PD, kurrë nuk e cënuam luajalitetin tonë me PD.

Çadra e Lirisë ishte prova më e mirë për këtë.

LDE ishte partia e vetme që e kuptoi qorrsokakun ku kishim hyrë.

Për ti dhënë Bashës dhe PD që të kuptojnë se ne si LDE jemi të qartë mbi gjithçka, unë si Kryetar i LDE dhashë dorëheqjen duke ia lënë kreun e partisë një njeriu të panjohur.

Qëllimi ishte për të shprehur simbolikisht dhe pa cënuar luajalitetin tonë si parti në raport me PD, mosdakordësinë tonë me gjithë sa po ndodhte.

Ndërsa në raportin tim personal me Bashën, doja ti bëja të qartë se nëse ai ndihej më komod me anonimë, ja ku po ia çoja edhe unë një anonim me siglën e LDE në Tryezën e Koalicionit Opozitar.

Dhamë edhe kumtin e një partie moderne që e njeh dorëheqjen e Kryetarit, e njëkohësisht mbrojtëm identitetin tonë si LDE.

Partitë që nuk kanë para, financime, porosi, e bëjnë historinë me simbolika.

Dhe ne ia dolëm shkëlqyeshëm.

Ndër të tjera jemi partia e vetme, që nuk mbetëm të zhgënjyer nga ligësia dhe pabesia e PD me marrëveshjen e 17 – 18 majit me Edi Ramën.

Ne e kundërshtuam parimisht marrëveshjen.

Ama, ishim të vetmit që nuk u zhgënjyem sepse ishim të vetmit që kishim deklaruar disa herë publikisht se asnjëri nga ne të LDE nuk do të pranojë të hyjë në listat e PD si kandidat për deputet.

Kishim zero pritshmëri.

Koha na provoi se kishim të drejtë.

Në vjeshtën e 2017, ish Kryetari i LDE u largua dhe unë u riktheva në krye të LDE.

Që nga dita e rikthimit tim në krye të LDE, synimi im madhor ka qenë që kjo parti të mos njohë më rënie dhe luhatje.

Ja ku jemi sot.

3 muajt e fundit kanë qenë prova dhe sprova më e fortë e ambicjes së LDE për tu shquar qartë si një parti e djathtë, opozitare, properëndimore dhe me identitet dhe integritet unik dhe të dallueshme fort.

Ia kemi dalë miq.

Ia kemi dalë.

Nëse nuk e arritëm dot objektivin tonë për të marë pjesë në këto zgjedhje, ky është vetëm një fakt kokëfortë që na mëson se duhet të bëhemi gati për gjithçka.

E vërteta e dobësisë sonë strukturore dhe organizative nuk është një e vërtetë dëshpëruese.

Është një e vërtetë fotografike e një momenti tê caktuar.

Është një e vërtetë që na çliron dhe motivon.

Ndoshta më mirë që nuk do të kemi mundësi të marim pjesë në këto zgjedhje.

Sepse ne nuk është se nuk deshëm, nuk është se nuk duam.

Thjesht nuk ia dolëm dot.

Në këtë Pluralizëm  Kryetarokratik, me këtë Kod Kriminal të Zgjedhës PD – PS, me këtë Kryeministër Klloun dhe Arrogant që e kujton punë të mirë garën zgjedhore vetëm me Taulant Ballën, që PS të fitojë 61 Bashki, ne si LDE jemi e vetmja parti me histori simbolikash dhe ideshë që ngjizin vlerë dhe të mirë publike.

Koha ka ardhur që të organizohemi e ngremë strukturat ngado, kudo, në çdo zemër, mendje e shtëpi shqiptari.

LDE e ka historinë e saj të pastër, të qashtër, histori me ide, me ndershmëri dhe përpjekje për të mbrojtur dhe theksuar identitetin dhe integritetin e saj.

Ka ardhur koha që historia e LDE të jetë edhe e çdo shqiptari.

Në këto zgjedhje lokalr nuk po hyjmë, por ne që nga ky moment do të punojmë sikur i kemi zgjedhjet nesër.

Nuk ka më ndalje.

Nuk ka dorëzim.

Nuk ka lodhje.

Do tia dalim.

LDE është partia e së nesërmes.

 

Arian Galdini

Kryetar i LDE

LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here