“Unë them se kërkimi duhet bëre tek arsyet e tjera. Nuk është puna që shqiptarët do shkatërrojnë Hollandën, por ai veprim është rezultat i një mosveprimi”, u shpreh Bushati.
Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka komentuar votimin e parlamentit të Hollandës, për rikthimin e vizave me Shqipërinë. Bushati tha se ky votim, tregon se qeveria shqiptare nuk ka treguar vullnet për të luftuar krimin dhe se ka injoruar këmbanat e alarmit që Holland ka patur për këtë çështje që në vitin 2017.
“Ka një pyetje ,përse nuk bënë Maqedoninë kokë turku? Lind një kundër pyetje, jemi dakord me shifrat? Jemi dakord që kriminaliteti shqiptar nuk po bën namin në Hollandë? Përse fryhet kjo gjë?
Kur ata shohin që Shqipëria nuk përgjigjet si partner, kur ka drejtorë policie të korruptuar, që shkatërrojnë prova dhe dëshmitarë apo që arratisen, ata thonë si mund të japim një sinjal politik? Mesazhi politik i kësaj lëvizje, nuk është ajo e kokës së turkut, por, po thonë: “ej ju si qeveri jeni më shumë partner të krimit se partnerët tanë, që po trokisni në dyert tona”.
Duhet ta shohim historinë në kronologjinë e saj. Ka patur një debat të madh nga vera e 2017, kur një media hollandeze citoi një prokuror, që thoshte krimi shqiptar po bëhet problem në Hollandë. Ambasadorja shqiptare, thotë, kjo është gazetë koti, kam folur me ministrinë e jashtme, janë spekulime. Kur të jepen sinjalet, atëherë ti ose je indifferent ose je bashkëpunues, prandaj merr kartonin e verdhë.
Nuk them se ministri i brendshëm apo kryeministri, bëjne trafikun e drogës në Hollandë, por ata nuk tregojnë vullnet bashkëpunimi për të luftuar, prandaj vjen kundërveprimi”.