Kryemadhi: Protestat më të mëdha në Shqipërinë më të rrudhur në 30 vite tranzicion

0
92

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se protestën sot e drejtojnë qytetarët dhe ajo është një prej tyre. Për Kryemadhin shkak i situatës ku ndodhet sot vendi është arroganca e Ramës.

Prononcimi nga protesta i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Ajo që është më e rëndësishme është që sot të gjithë ata deputetë që kanë djegur mandatet dhe të gjithë ata politikanë, apo drejtues të strukturave politike të partive opozitare, ndihen jo vetëm komodë, por ndihen njësh me popullin. Kjo ndodh për shkak të arrogancës së Edi Ramës. Kjo ndodh për shkak të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe kjo ndodh për shkak të frikës së madhe që ka Edi Rama, sepse sot Edi Rama nëse do të ndihej kaq i sigurt që paska shumicën, që paska pushtetin, që paska numra që qenkan legjitimë, ta çojë vendin në zgjedhje. Është i kapur me presh në dorë duke blerë vota me paratë e krimit të organizuar. Togfjalëshi krimi i organizuar është togfjalëshi më i rëndë në të gjitha këto fjali politike.
Znj. Kryemadhi, a po e dërgoni vendin në një përplasje civile me mënyrën se si ju po veproni? Në fakt kështu është pretendimi i mazhorancës…
Ky është pretendimi i një njeri që ka kapur ekonominë shqiptare. Mjafton të shkoni dhe të trokisni në dyert e shtëpive të shqiptarëve dhe do të shikoni që s’kanë bukë për të ushqyer fëmijët e tyre. Mjafton të shikoni në fshatrat e Shqipërisë se si janë jo vetëm të harruar, por të terrorizuar nga krimi i Edi Ramës, i cili drejton shtetin sot. Do të shikoni se si shqiptarët futen në birucat e Policisë shqiptare për shkak të një çatie që po iu rrënohet dhe duan ta rregullojnë. Se si i futën në birucat e policisë shqiptare për shkak të një muri që iu është rrënuar dhe duan ta ndërtojnë. Se si i futën në birucat e policisë shqiptare, sepse nuk kanë para për të paguar energjinë elektrike, tarifat e Edi Ramës, taksat e pronës, etj. Nuk futen në burg ata që vodhën 10 milionë euro në ditën me diell në aeroport dhe nuk hapet një proces për këta.
Por është e vështirë znj. Kryemadhi të kapen persona shumë të kërkuar. Nuk është vetëm një fenomen për policinë shqiptare…
Nuk janë shumë të kërkuar. Ata janë segmente të policisë shqiptare, janë segmente të shtetit shqiptar. Mjafton të shikoni skenën e krimit të vrasjes së një prej anëtarëve të bandës, merrni fotografinë e makinës, ju jeni vetë eksperte dhe shikojeni se çfarë ka ndodhur. E ka vrarë policia apo është vrarë në makinë? Është vrarë dëshmitari i vetëm. Megjithatë nuk është ky problemi. Problemi është kapja e institucioneve të drejtësisë që po tenton Edi Rama. Kapja e institucioneve të shtetit, kapja e ekonomisë, kapja e çdo gjëje që ai kërkon ta menaxhojë, ka sjellë këtë rezultat. Sot ne jemi të gjithë qytetarë. Pyetini të gjithë këtu, nuk besoj se ka ndonjë deputet, të gjithë do luftojnë. Kjo vajzë do luftojë për veten e saj. Ose do të luftojë këtu dhe do të ndërtojë të ardhmen e saj, ose do të iki jashtë shtetit dhe do të jetë pjatalarëse edhe pse ka mbaruar universitetin me master e me të gjitha, me mesatare shumë të lartë. Zotëria po ashtu, e të gjithë me radhë, të cilët nuk kanë më asnjë shans. Të mos flasim më as për Monikën, as për Lulzim Bashën apo ndonjë politikan tjetër. Nuk po marr Floidën që ka mbaruar me ekselencë në farmaci, sepse po e quaj politikane, po merrni çdo të ri, çdo student nga ata që kanë protestuar dhe ku janë sot. Dhe sot dëgjojnë sharlatanët e Edi Ramës dhe ata po kërkojnë të marrin dhe universitetin që t’i fusin në xhepat e tyre për të kthyer sistemin e Enver Hoxhës. Sistemi i Enver Hoxhës ka ikur.
Pak më parë Kryeministri Rama e cilësoi Partinë Demokratike dhe LSI-në si një forcë politike e dështuar dhe u solidarizua me punonjësit e Policisë së Shtetit. A keni dështuar ju znj. Kryemadhi dhe a solidarizoheni me atë punonjës të thjeshtë policie të painkriminuar, të cilët për të qenë të sinqertë po përballen me vështirësi?
Unë solidarizohem me ata policë të dhunuar, të cilët janë dhunuar nga njerëzit e Edi Ramës. Nuk ka asnjë polic të dhunuar nga protestuesit sot. E vetmja gjë që dhunohet janë llamarinat për të cilët njerëzit shprehin protestën e tyre, sepse janë qëndrestarë. Mund t’ju them që i vetmi njeri që ka dështuar në jetë është Edi Rama. Ka dështuar më gjënë më të rëndësishme, me familjen, sepse ai nuk do të ndërtojë një familje dhe ndërton gjithmonë gjëra për të qenë fasadë e tij. Ka dështuar në politikë gjithashtu.
Ju po i përmendni familjen z. Rama, sepse familja është e shenjtë… Politikisht mund ta godisni sa të doni…
Ka dështuar për të krijuar një familje që do të thotë për familjen politike të partisë së tij. Sepse unë nuk gjykoj Edi Ramën se sa herë do të martohet. Njeriu para Zotit martohet vetëm njëherë pastaj se sa martohet më pas është punë e tij, por ajo çfarë dua të them është që ka dështuar në krijimin e partisë së tij politike. Edhe kur e mori Partinë Socialiste e shpërbëu dhe e bëri sot që të mos ketë asnjë socialist brenda saj. Ka importuar lloj-lloj sharlatanësh që nuk kanë një diplomë 3-vjeçari bachelor dhe jo më të thuash që mund të kenë arsyen ose vizionin për të bërë politika. Ai ka dështuar me premtimet e tij gjithashtu kur u ka premtuar shqiptarëve 300 mijë vende të reja pune, ka detyruar 500 mijë shqiptarë që të largohen nga Shqipëria. U ka premtuar shqiptarëve që do t’ua ulte taksat, ua ka rritur ato. Përkundrazi edhe gjësë së gjallë u ka vënë taksë për stallë ku rrinë. Nëse në çdo vend të botës jepet subvencion për gjënë e gjallë. Edi Rama ka vendosur taksë 1400 lekë një lope. Pra ky është Edi Rama, ka dështuar në çdo gjë por mbi te gjitha ka dështuar në marrëdhënien e tij me qytetarët e tij. Nëse ky njeri mendon se dështimi ynë është fatkeqësi për shqiptarët, ne ndoshta kjo ishte dhe arsyeja që dogjëm mandatet, për të treguar se kush ka dështuar vërtetë. Ka dështuar Edi Rama apo kemi dështuar ne që duam të jemi njëlloj si qytetarët. Ne sot jemi njësh me qytetarët, nuk jemi pjesë e atij Parlamenti që nuk përfaqëson asgjë veçse një grup njerëzish që vetëm votojnë projektligje të përgatitura nga oligarkët dhe ngrenë kartonin e tyre. Nuk përfaqësojnë votuesit e tyre. Nuk përfaqësojnë familjet e tyre politike dhe nuk përfaqësojnë mbi të gjitha interesat kombëtare. Ne sot nuk jemi këtu përballë për ti treguar njerëzve kush jemi ne. ne kemi ardhur si qytetarë, i kemi ftuar njerëzit. Sot i kemi ftuar ne, nesër mund ti ftojnë studentët, pasnesër mjekët etj. Ajo që është shumë e rëndësishme është që për herë të parë Shqipëria shikon protestë kaq të madhe. Protesta më e madhe, e kam thënë, e them, do ta them, protestat më të mëdha në Shqipërinë më të rrudhur në 30 vite tranzicion.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here