Kryemadhi thirrje qytetarëve: Qeveria është bërë palë me krimin, të bashkohemi në protesta…

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një deklaratë publike është shprehur se shteti ka rënë dhe se qeveria është bërë palë me krimin.

Referuar grabitjes së miliona eurove në Rinas, Monika Kryemadhi tha se është cënuar siguria kombëtare dhe se qytetarët nuk janë më të sigurtë.

Ajo është shprehur se qeveria po i shmanget përgjegjësive të saj, ndërsa ka bërë thirrje edhe një herë për bashkim popullor në protestat që do të mbahen nga opozita e bashkuar, e ajo e radhës, që do të jetë në orën 18:00 të ditës së shtunë.

“Sot qytetarët shqiptarë ndihen të pasigurt sepse aeroporti i Rinasit paraqitet si një objekt i atakueshëm nga kriminelët sa herë ju duhet për ta atakuar këtë institucion, por edhe sa herë që ju duhen para për tu bërë gati para zgjedhjeve.

Qeveria në vend të marrë përgjegjësit u ikën përgjegjësive, me një sjellje që i dekurajon qytetarët, duke i dhënë mbështetje kriminelëve të cilët nuk ndihen të rrezikuar nga forca e ligjit, por ndihen të mbrojtur nga qeveria.

Qytetarët  e thjeshtë ndihen të pasigurt, sepse nuk është larguar asnjë nga detyra ose të jetë thirrur ndonjë nga prokuroria. Ndërkohë arrestohen ata që luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre.

Të gjithë ja hedhin fajin njëri-tjetrit duke bërë deklarata boshe.

Sa herë që kriminelët hyjnë dhe duan të grabisin është bërë e qartë dështimi i qeverisë. Kësaj qeveria që nuk përfaqëson qytetarët, por përfaqëson bandat.

Një polici e dorëzuar dhe e çorganizuar demonstron rënien e shtetit dhe demonstron që një polici e tillë i shërben bandave”, tha ajo.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko