Dush Martini është protagonisti i gjallë i revoltës politike të Qafë-Barit, një kamp i tmerrshëm (në Pukë) ku kushtet çnjerëzore dhe trajtimet shtazarake detyruan të burgosurit të ngrihen në një revoltë masive më 22 maj 1984, revoltë e cila u shtyp dhe shumë prej të burgosurve u pushkatuan, apo helmuan.
Por Dush Martini është gjallë dhe ka vendosur të flasë. Në një intervistë ekskluzive për “BalkanWeb” me gazetarin Erjon Skëndaj, ai tregon versionin e tij për ngjarjen. “Do të tregoj të vërtetën ashtu siç ka ndodhur,” shprehet ai.
Detaje rrëqethëse, të vërteta të pathëna mbi organizimin e të burgosurve në Qafë Bari deri tek shtypja e pushkatimi i disa prej tyre. Dush Martini tregon për herë të parë historinë e tij dhe si mundi t’i mbijetonte gjithë këtij ferri.
Por për të arritur deri tek revolta, Martini tregon fillimisht arsyen pse u dënua. Ai thotë se ishte 18 vjeç kur i vuri flakën një kishe në Shkodër brenda së cilës torturoheshin e vriteshin martirë, siç thotë. Me këtë akt nis edhe kalvari i vuajtjeve për të. Kalon tre muaj në hetuesi, i thyen këmbë e duar që të pranonte se ishte nxitur nga klerikët. Pasi nuk pranoi u dënua me 25 vjet burg për prishjen e pronës socialiste dhe sabotazh. Martini përmend emrin e ish-gjykatësit të Kushtetueses Vladimir Kristo si personin që dha dënimin për të, madje i kërcënoi familjen në sallën e gjyqit.
Në cilin vit ratë në burg?
Dush Martini: Unë u dënova në vitin 1980 me 25 vjet burg. Isha 18 vjeç. U dënova për krime politike. Dogja një institucion siç ishte një katedrale tek varrezat në Shkodër. Ka bërë bujë në vitin 1991, ishte kisha e parë që u hap pas diktaturës. Ishte një vend brenda të cilit janë pushkatuar mjaft martirë. Ishte brenda varrezave apo si i thonë zalli i Kirit. Aty janë pushkatuar qindra martirë të shenjtë
Çfarë roli kishte kisha në sistemin diktatorial?
Ishte mbyllur, dhe kthyer në objekt shtetëror. Unë e kam djegur atë objekt shtetëror dhe po përgatitesha të arratisesha sepse kisha nuhat që do më arrestonin. Gjatë hetuesisë unë kam kaluar një periudhë të tmerrshme.
Ti e pranove vendimin?
Kishim disa fakte. E pranova unë që e vura zjarrin. Ishte një histori e atyre viteve. Kam një fragment që tregon arsyen e atij operativi që ka shkruar, dhe u dënova 25 vite. Këto shkrime tregojnë për ngjarjen time, i kam gjetur në Bibliotekën e Shkodrës. Ata më akuzuan se më kanë futur klerikët, ata gërmonin në shtëpinë time, se mendonin që unë i kam marrë ato materiale.
Ti kërkoje të ktheheshin në Kishë, diçka që i ishte marrë Kishës, por ratë në burg në moshën 18-vjeçare. Ku u dënuat?
Unë u dënova në burgun e Shkodrës, duhet të bëj me dije, se ai kryetari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo, ishte personi që më dënoi dhe më kërcënoi edhe në gjyq familjen. Janë përsëri edhe sot këta personazhe të diktaturës që “jepnin plumbin e fundit”. Mora dënimin, pavarësisht se dënimin tim e quajtën jo politik. Këtu nuk është vetëm çështja ime, por e qindra-mijëra martirëve.
U penalizua familja?
Familja ka pasur penalitetet e veta, heqje prej pune, kërcënime të vazhdueshme. Kishim familje të shpronësuar, nuk kishim lidhje me partitë. Babai im ishte me raport.
Momenti kur përfunduat në burgun e Qafë Barit…
Pasi mora dënimin shkova në burgun e Spaçit. Do të jap një version real të asaj revolte, pasi unë jam pjesë, autor i skenarit të asaj revolte. Atje ndenja 11 vite burg. Regjimi kur hapte kampe të reja, kur lidhte kontratat me shtetet e huaja, ushtronte dhunë të egër, gjenocid të paparë ndaj skllevërve të diktaturës. Ka një kalvar të tmerrshëm vuajtjesh e persekutimesh. Unë jam gati të mbush sheshet me të persekutuarit e tjerë për të marrë të drejtën e gjithë këtyre viteve. Këta vjedhin miliarda e quhen politikanë, vjedhin arin e Rubikut. Në burgun e Shkodrës na erdhi një i dënuar ordiner, quhej Sokol, kishte vjedhur 10 kg misra në tokën që i kishte vjedhur shteti. E dënuan 3 vite, e përdorën për ta shfrytëzuar. Këto ishin politika kriminale. Një tjetër ofendoi një zyrtar, mori 3 vite burg. Politikanë quhen këta që vjedhin thesarin e këtij vendi? Diktatura i përdori të pafajshmit për t’i shfrytëzuar në skllavëri.
Vijmë tek revolta për të cilën pyesin akoma shumë njerëz. Si nisi? Ishte e organizuar nga jashtë?
Me sa kam dijeni unë, se kur shkova në burgun e Spaçit atje kam gjetur shumë heronj, edhe partizanë kemi gjetur. Nuk ndjeja më dhembjen time kur shihja njerëz që kishin nga 30 vite në burg në Spaç. E harrova veten. Se kështu funksionojnë ca gjëra në burg për të mbijetuar. Shpëtuam edhe nga dënimi me vdekje. I lutesha Zotit dhe të dilja me dinjitet nga hetuesia. Burgu ka grupe, individë që të gjithë së bashku kemi pasur ideale, kemi qenë si vëllezër, sot vëllai me vëllanë s’jetojnë dot me një shtëpi, por ne kemi jetuar 50 vetë me një dhomë. Kemi pasur keqardhje për njëri-tjetrin e prandaj kemi mbijetuar. Në Spaç ishim një grup shokësh, se doja me përmend një shprehje të Dostojevskit, “I burgosuri në burg s’ka pse gënjen, por kur vjen puna për lirinë, ai gënjen edhe veten e vet”. Duhet të kishte një vlerësim tjetër për ata që kanë hequr gjithë ato tortura, ne mbase sot ulemi në kafe me ata sadistë që na torturuan, se s’po i dimë kush janë. I kanë sharruar dhe këmbën dikujt. Sokoli ishte brigadier, djalë i qeshur e guximtar, nga Lekbibaj i Tropojës. Sokoli kishte mundësinë që i jepte lejen ndonjë punëtori t’ja bënte ai punën, dhe gërmonte në një galeri të mbetur që dilte jashtë rrethimit, pra të gjithë këto që kishin këto dënime, se vetëm në këtë mënyrë mund të dilnin. Ishim që në Spaç një grup prej disa personash. Qafë Bari ishte një kamp i ri, dhe komandot aty quheshin kundërshtarët më të egër. Por aty çonin dhe spiunët më të fortë. Se aty në burgje kemi pasur ambasadorë e ministra. Kishte dhe spiunë të fortë. Edhe u hap Qafa e Barit, ishte El Dorado për ta shfrytëzuar shteti komunist edhe për të masakruar këdo që kishin lënë pa ndëshkuar. Edhe transferonin atje nga të gjitha kampet. Gjërat mbetën enigmë në Spaç. Përpjekjet për t’u arratisur mbetën enigmë. Na çuan në Qafë të Barit grupe-grupe. Aty më pas u bë një kamp dhune, terrori. Ishte një gjenocid i ri nëpër burgje. Sa herë donin pasuri minerare, dhunonin skllevërit. Ishin heronj që kanë jetuar me dinjitet në ato male. Ne përsëri mbajtëm lidhjet e Spaçit. Në revoltë ishim 12 vetë që nisëm, por jo të gjithë pjesë e skenarit për arratisje. Ishin dhe një grup vlonjatësh e elbasanasish që kishin zbuluar një birë jashtë rrethimit e kishin vënë hekura. Ishte hapur një galeri e duke u shfrytëzuar kishte dalë jashtë rrethimit bira, ata kishin vënë shufra hekuri. Dikush e kishte zbuluar atë birë e aty shkonte njëri që quhej Fejzulla Cevi, një martir i vërtetë. Ne duhet të mundoheshim të bënim një shpërthim. Atëherë Fejzo fatkeqësisht punonte dhe aty i ka rrëshqit këmba dhe ka ra vdekur. Kishim 3-4 muaj që punonim për këtë ngjarje.
Grupi juaj vendosi të gjejë këtë rrugë shpëtimi, sa kohë kishit për këtë ide arratisje?
Ideja për arratisje e një të burgosuri është gjithnjë në mendje, gjithmonë përpiqesh të gjesh një mundësi të ikësh. Në momentin kritik Fejzoja vdiq, dhe aty lindën dyshimet e komandos që çfarë ka dashur ai në këtë front të mbyllur. Dyshuan se dikush po përpiqet të arratiset. Atëherë u mbyll ajo, edhe ata nuk bënë kërkime më tepër. Fejzo u varros. Fatkeqësia e tij ishte aty. Ne që ishim disa që e dinim situatën, heshtëm. Atëherë erdhën edhe të rinj, shoqëria në burg vazhdon me ato misteret e veta. Çdo i burgosur e ka revoltën në shpirt kur është i pafajshëm. Ditën që ndodhi revolta në grupin tonë kishte ardhur një Ndue Pisha, nga Thethi. Sokoli e kishte të vetin. Ishte dhe Sokol Progni, djalë me karakter, trim e i vendosur. Kishte dhe personazhe të tjerë. Atë ditë ishte dita e revoltës, dita që unë prisja të vinte nëna në takim. Po bënim një ëmbëlsirë të jugut, hasude dhe prisnim Sokolin që të vinte nga turni i tretë. Por çfarë ndodhi? Nuk ishte hera e parë që policia i bënte presion Ndue Pishës, ndodhi një incident në galeri. I bënin presion që pas rastit të Fejzos që me tregu kush janë hijet që lëvizin në zona të ndaluara. Me tregu shokët. Komandantin e ruanin me automatik që pas rastit të Fejzos. Edhe atë ditë, Ndojes po i bënte presion të rëndë policia se nuk kishte bërë normën. Edhe e kishin godit. Sokoli u irritua e i doli zot, një i burgosur e kishte normën e punës sa 5 të lirë. Ne po bënim gati hasudenë në kuzhinë, në këtë moment futet brigada e Sokolit edhe thërrasin Ndojen, e i thonë ha bukë e ke për të dalë prapë në punë, edhe e goditën. Ne e dinim që po i bënin prapë presion për të nxjerrë shokët. Aty kemi parë Sokolin duke u zënë me policin. Ne lamë ëmbëlsirën, dhe meqë ishte kamp i ri, kishte tulla dhe ne filluam të godisnim policinë. Kemi mbajtur 2-3 orë revoltën derisa u rrethua kampi.
Kishit armë të ftohta, thika etj?
Ato armë që mund t’i kishim ishin për arratisjen, një armë për me pre një dash apo qinj, si me mbijetu në pyll. Kishim disa shokë në ofiçinë që i bënin këto. Në tavolinën tonë u gjetën nja 10 thika. Se mendonim që kur të arratiseshim, t’i kishim.
Nga momenti kur filloi përleshja çfarë ndodhi me policët, pati të lënduar nga dy palët?
Po ça goditje?! Absolutisht jo, s’është goditur asnjë polic. Pati të lënduar në sedër, vetëm ishte problemi t’ja hiqje prej duarsh edhe Sokolin që po e rrihnin. Tullat që hidhnim shkonin i binin murit. Nuk kishte asnjë lëndim serioz, më shumë duan të bëhet bujë. U plagos një polic dhe një komisar i burgut, një gërvishtje të lehtë pati. 3 orë ishim 12 vetë që mbajtëm revoltën me policinë. Pasi u rrethuan, policia bëri sikur u tërhoq e u mbyll kjo çështje. Pastaj na futën në një sallë ku të hanim bukë. Në këtë moment, ata kanë gjetur thikat dhe kanë filluar të na nxjerrin një nga një, se donin të na kapnin ne. Erdhën shumë forca. Fati i keq i Kostandin Gjordenit, një i burgosur shumë i vuajtur që ka këputur edhe krahun nga ai plumb që mori aty. Ai ishte te dera, dhe e kapin atë e nxjerrin nga dera dhe fillojnë i gjuajnë atij. Aty u revoltua i gjithë kampi. Se ai ishte person i dashur, e pastaj u bë një revoltë shpirtërore e të gjithë të burgosurve, pastaj aty ka shpërthyer dera. Revolta mori zhvillim masiv, e aty u përfshinë nga të gjithë rrethet. Ka ndodhur përleshja më e egër me policinë. Se Toma kishte një tullë në dorë e godiste një polic i cili kishte vënë për poshtë një të burgosur e e godiste me shkop gome. Në këtë moment, ky polic ka nxjerrë pistoletën e ka marrë në shenjë Tomën, por fati ka kaluar plumbi dhe i ra Kostës në sup. Unë mora kutinë e duhanit dhe ia vura Kostës në sup. Ato ishin të shtënat e para që nxori policia armën, po ushtronte dhunë të paparë ndaj të burgosurve dhe ishin të armatosur. Vazhdoi përleshja nja 2-3 orë, erdhën helikopterë e pastaj arritën të ndajnë pjesën e kampit. Kishte 12-13 vetë që nuk dilnim jashtë e rrinim në kamp e përgatiteshim për më të keqen. Unë disa shokëve i thashë të largoheshim, dhe ndenjëm ne që e nisëm revoltën që në fillim. Pastaj kanë thirrur Martin Sokolin dhe Sokol Sokolin për të bërë një marrëveshje, mes nesh ishte një vllazni ideale kundër diktaturës, atij gjenocidi të paparë. Edhe Sokoli ra në marrëveshje që do dorëzohemi. Thirrën listat me emrat që do arrestohen. Unë jam arrestuar i 6-ti. Aty më pas nisi tortura në dhomën e torturave. Duhet përmendur dhe një personazh tjetër, që fatkeqësisht e vranë por jo se kishte lidhje me revoltën, Sadri Sokolin, ai ishte burrë shteti, i nderuar. Nuk e di pse e vranë, ndoshta dhe kur ka qenë në qeverisje, ndoshta ka dalë në një sekret shtetëror. S’kishte lidhje me revoltën. E thirrën dhe e vranë. Pas 3-4 orë barbarizëm, disa herë kam rënë pa ndjenja. Më hipën në makinë, dhe kur mbërritëm në Fushë-Arrëz më hodhën prej makine dhe isha pa ndjenja, vetëm ndjeja më pas kokën në gurët e oborrit që më tërhiqnin zvarrë. Mua më dinin për të vdekur se menduan se më kishin mbytur. Edhe kështu përfunduam në burgun e Fushë-Arrëzit, edhe atje me tortura. Dhe filloi procesi i hetuesisë. U dënuan 12 vetë, 12 të tjerë mbetën pa u dënuar. Unë tërë trupin e kisha me plagë, sytë i kisha të mbyllur nga dhuna. Kisha një oficer aty që më goditi disa herë më tytë pushke. Më thoshin trego çfarë ke bërë, keni ther komisarin, edhe akuza ishte organizatë politike për qëllime terroriste që unë normalisht e mohova. Në atë moment, u përpoqa të kap një korrent në llambë që ishte aty por më ndaloi një polic me pushkë që tha: lëreni-lëreni këtë të çmendur. Tentova të vetëvritem se ata më torturonin, m’i godisnin të gjitha plagëve. Kam humbur 70% të shikimit nga goditjet e tyre. Por unë dola me letra të bardha nga hetuesia, nuk pranova asnjë lloj akuze. Disa edhe pranuan e u dënuan. Unë jo. Dola me letra të bardha se nuk kisha ça pranoja, se ishte imagjinatë e komunizmit për me shtyp njerëzit. Pastaj unë kisha detyrën time për të mos pranuar as për vete as për tjerët. Me keqardhje i kujtoj ata që u dënuan me vdekje, Sokoli e Toma që u dënuan me pushkatim. Toma ishte dënuar dhe një herë me pushkatim.
Po si i shpëtoi dënimit të parë me pushkatim?
Ndodhi që në Shkodër, prokurori i çështjes vuri po një shok tjetër të tij, që e kemi pas në burg. Nuk e kam ndjekur atë gjyq, por ia kanë fal atij, dhe dënuan tjetrin. Atëherë ishte momenti që mora vesh që na bashkuan nëpër qeli nga 3-4 persona.
Pas kryengritjes, ju dolët prej atij sistemi me një fletë bashkëshoqëruese të gjyqit që ju cilëson si terrorist…
Në vitin 1992 u mor një vendim parlamentar, ky ligj u ndryshua në vitin 2007…
Ju dhe ata që akuzohen për bombën në Ambasadën Sovjetike…
Për bombën e Ambasadës Sovjetike, gruaja ime është mbesa e Xhon Temalit dhe s’ka lidhje me…
Flas që ti ke marrë termin “terrorist”, a ke marrë ndonjë dëmshpërblim për këtë?
Absolutisht nuk kam marrë asnjë këst megjithëse kam 20 vite që protestoj e do vazhdoj të protestoj sa të jem gjallë. Dikush ta gjykojë. Më kanë gjykuar prokurorë të komunizmit që sot janë avokatë. Ka 20 vite që kanë jetuar në zyrat e këtij pluralizmi komunist e këtyre kriminelëve e janë bërë palë me ta për të firmos një dokument që ne na përjashton nga veprat e tjera që kanë lidhje me burgun politik. Unë kam bërë 2 greva urie.
Kanë folur shumë njerëz të tjerë për revoltën e Qafës së Barit
Unë s’kam pas nevojë me i mbush mendjen kujt sepse thonë më mirë mos me marr diçka të pamerituar. Sepse s’dua të tregoj kush jam unë. Pranova ftesën tënde se na ke respektuar në greva e protesta. Po s’bëre një budallallëk s’ta var asnjë, mbase duhet bërë ndonjë budallallëk. Ne bëmë 5 vjet protesta kundër Fatos Nanos, se e dinim që ai komunist e nuk na jep gjë. Por nuk mundesh me kundërshtu një padrejtësi të tillë. Këtu vjen një palë në pushtet, vendos ligjet që do, vjen një palë tjetër bën si ka qejf.
Tre emra, çfarë mendon për Sali Berishën, Fatos Nanon, Edi Ramën?
Dy të parët hiqi, si Fatosin, si Sali Berishën. Se nuk e meritojnë asnjëri, janë të paaftë për me drejtu demokracinë në Shqipëri. Tek i treti nuk kam gjë personale, mendoj se ka bërë diçka për disa të burgosur, por kur bën ndonjë ndërtim apo shesh, thotë e bëmë ne. Kur vjen puna për të kërkuar të drejtën ne si të burgosur politikë që na kanë mohuar, thotë e kanë lënë ata. Ai ka dhënë disa këste, por ka mijëra të tjerë pa bukë. Janë me borxhe. Unë vetë e kam shtëpinë me kredi. Kam bërë 5 vite protesta për të sjellë Sali Berishën në pushtet, jam arrestuar 100 herë. Unë jam lidhur një ditë me zinxhirë e erdhi kryetari i opozitës, Lulzim Basha, e përgëzoj se i ka larguar disa elementë, kishte program të mirë e na premtoi që do t’i rregullonte të gjitha, edhe këtë ligje. Mendoj që ndoshta një ditë, ndoshta edhe ky e rehabiliton atë ligj. Ne kërkojmë një status si gjithë vendet perëndimore. Ata kanë marrë trajtim social në bazë të konventave kombëtare.