Geni i babëzisë që po çon Shqipërinë për skrap!!!

0
143
Nga Gentian Gaba 

Në një Shqipëri ku Parlamenti mblidhet i rrethuar me forca policie dhe tela me gjemba; ku kryeministri udhëton drejt tubimeve anti-opozitare me helikopterë, për të shmangur protestat, lajmet e bujshme kalojnë pa ndonjë hata të madhe.

Inflaksionim i lajmeve të këqija e ka shndërruar opinioni publik në një masë pësuese dhe rrallë herë reaguese. Ky fenomen quhet ‘shifting baselines’, në shqip mund të përkthehet “spostim i kufijve”. Termi përdoret në psikologjinë sociale për të përshkruar mënyrën sipas së cilës gradualisht dhe pa kuptuar, perceptimi ynë përshtatet në periudha të ndryshme kohore. Është një mekanizëm mbrojtës në funksion të ruajtjes së normalitetit psikik të individit. Sigurisht na shpëton nga dëshpërimi përballë abuzimeve; por gjithashtu është shumë i dëmshëm në raportin e individit me pushtetin, pasi prodhon qytetarë të bindur ndaj çdo abuzimi.

Një kut për të kuptuar përshtatjen e qytetarëve ndaj kufijve të reja të abuzimit me gjënë publike, është raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit  sipas të cilit, në vitin 2018, parregullsitë financiare dhe dëmi ekonomik i institucioneve shqiptare kap shumën e 1.7 miliard euro. Një shifër gjigante krahasuar me ekonominë tonë liliputiane. Për të cilën, çdo njëri me pak fantazi, mund të rrok më së miri tërësinë e gjërave që mund të zhvilloheshin, nëse kjo shumë marramendëse do të përdorej në dobi të interesit publik.

Mirëpo ky krim ekonomik duket se nuk po shqetëson asfare. Sikurse fare pak qeder shkaktoi edhe raporti vjetor që Departamenti Amerikan i Shtetit dorëzoi të enjten e shkuar në Kongres, mbi strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve. Ku në pjesën për Shqipërinë, ndër të tjera, DASH theksonte se korrupsioni është shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Nëse nga njëra anë flegmatizmi qytetar ndaj këtyre lajmeve tregon nivelet e reja të durimit karshi një pushteti të korruptuar në mënyrë absolute, nga ana tjetër rrëzon në mënyrë të qashtër retorikën e 2017-ës, atë të ‘timonit’ dhe ‘tepsisë’ me të cilën kryeministri ende shpërrallon nëpër Shqipëri.

Atëmot tepsia dhe timoni hynë në përdorimin ligjërimor për të zëvendësuar mungesën e bilancit dhe alternativave, ndërsa sot, me të dhënat e mësipërme, janë provat më flagrante për fajet e Ramës dhe ‘Rilindjes’.

Ai që kërkoi timonin i vetëm, për të ‘mos pasur njëri në prerë’, pasi sipas tij aleatët e kishin bllokuar në katërvjeçarin e parë; dhe premtoi se i vetëm në timon do të kishte çuar për skrap tepsinë, duke nënkuptuar korrupsioni që buron nga ndarje e pushtetit brenda koalicionit, është sot përgjegjës i vetëm për raportet e DASH-it dhe KLSH-së.

Nuk ka asnjë alibi, nuk ka asnjë justifikim, nuk ka koka turku për t’u sakrifikuar kundruall mëkateve të njëshit dhe zerove që ka nga mbrapa. Ka vetëm një çetë të drejtuar nga kryeministri që vepron nën ethet e genit të babëzisë. Një instinkt i rrënjosur thellë në ADN-në e politikës sonë, por që makutëria e një pushteti pa kontroll dhe balanca e çoi në oktavën më të lartë.

Një plaçkitje e paprecedentë që sot përpiqet ta kamuflojë me batuta dhe atlete. Anipse janë gjetje që nuk mund të mbajnë gjatë, pasi daullet e luftës politike tashmë gjëmojnë rreth tij, dhe raportet që terratisin qeverisjen janë barut për dyfekët e opozitës.  Këtë të fundit Rama është zotuar se do të çoj për skrap. Veçse me sondazhet që opozitën e konfirmojnë shumicë dhe mazhorancën pakicë, duket se e vetmja gjë që rrezikon të çoj për skrap është Shqipëria. Një arsye e mirë për ta ndalur përpara se të jetë tepër vonë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here