Mos e shani Erion Veliajn!!!!

0
116

Nga Pano Soko

Mos e shani Erion Veliajn, sepse i bëni nder. Kushdo që shan personin Erion, thjesht sa bie në kurthin që ai ka përgatitur me aq kujdes.
Ti e shan mashtrues, i bën nder.
Ti e shan manipulator, i bën nder.
Ti e shan hajdut, i bën nder.
Ti e shan gënjeshtar patologjik, i bën nder.
Jo sepse këto nuk janë të vërteta, por kur debati fokusohet kundër individit, është në favor të individit.
Kryetari i Bashkisë duhet vënë para përgjegjësisë të tregojë:
– Ku janë shpenzuar 480 milionë USD që qytetarët i kanë paguar Bashkisë këto 4 vjet?
– Erion Veliaj ka marrë nga qytetarët në formë taksash të rritura dhe taksash të reja, si dhe ka harxhuar 120 milionë USD (pa përfshirë rritjen e çmimit të ujit, vetëm taksa e tarifa) më shumë sesa paraardhësi i tij në katër vjet. Ku i ka shpenzuar këto lekë? Çfarë shërbimesh apo mallrash morën qytetarët më tepër për këto lekë që paguan më tepër?
– Janë paguar 24 milionë USD në 3 vjet si taksë për infrastrukturën arsimore, mjaftueshëm për të ndërtuar minimalisht 48 shkolla të reja? Ku janë shkollat? Ku shkuan këto lekë?
– U rrit çmimi i ujit me 45% me justifikimin se në fund të mandatit gjithë Tirana do të kishte të zgjidhur problemin e ujit, pra do kishte 24 orë ujë dhe do ta kishte të pijshëm. Ndërkohë situata veçse është përkeqësuar që nga 2015 dhe uji ka filluar dhe vjen gjithnjë e më pak, për shkak të ndërtimeve të reja dhe ndërhyrjeve të shtuara në rrjet? Ku shkuan 20 milionë USD që janë mbledhur nga rritja e këtij çmimi? Meqë kushti i rritjes së çmimit (ndërtimi i ujësjellësit të ri) nuk u realizua, a e di Kryetari që në bazë të Kodit Civil, UKT SHA duhet t’ua kthejë lekët mbrapsht qytetarëve, ndërsa Enti Rregullator i Ujit duhet ta anulojë rritjen dhe ta kthejë çmimin aq sa ishte?
– në Tiranë janë dhënë 390 leje të reja ndërtimi. Janë mbledhur gjithsej rreth 90 milionë USD nga Taksa e ndërhyrjes në Infrastrukturë. Ku kanë shkuar këto lekë? Kush është përmirësimi në infrastrukturë që është bërë me këto 90 milionë USD (ose 90 miliardë lek të vjetra)? Le të na i numërojë të gjitha ndërhyrjet, bashkë me kostot përkatëse.
– Bashkia sapo ka tenderuar riparimin e 600 metrave Bulevard për afërsisht 6 milionë Euro. A mund të na i detajojë se çfarë do të blehen konkretisht në detaje, preventivin me çmimet përkatëse sesi doli në shifrën 6 milionë Euro? Normalisht riparimi i 600 metrave Bulevard bashke me ndërhyrjet e tjera në dy mini-sheshet anësore (të vetmet ku mund të ndërhyet) ka kushtuar në të shkuarën jo më shumë se 300 mijë Euro. Pse kjo rritje 20-fish?
– Kryetari, në fushatë elektorale, premtoi zero ndërtime në mamdatin e parë, ndërkohë që deri tani (3 muaj para zgjedhjeve) ka dhënë më shumë leje se çdokush tjetër në atë post, duke kolapsuar jetën urbane në qytet si dhe duke dëmtuar financiarisht dhe sociologjikisht, në mënyrë të pariparueshme, jetët e qindra mijra qytetarëve. A e di që kjo konsiderohet shpërdorim detyre dhe është vepër penale? Cili person duhet të përgjigjet penalisht nga administrata aktuale për dëmin që iu është shkaktuar qytetarëve?
Këto, dhe të tjera që për momentin s’më vijnë në mend, janë të vetmet fjali që duhet t’i drejtohen Kryetarit të Bashkisë.
Nëse i thua mashtrues, hajdut, i pafytyrë, i lig, thjesht e shpëton atë, sepse e çon topin në fushën e tij të preferuar, me armët e tij të preferuara.
Madje ai, njëlloj si eprori i tij, duke ditur impulsivitetin si instikt shumë i fortë njerëzor, e bëjnë veten kastile të duken të tillë, që të tjerët të harrojnë problemet e sipërpërmendura dhe të merren me ta personalisht. Dhe aty, në atë nivel, ata fitojnë gjithmonë, sepse e trajtojnë si: -“Ja po flasin këta që na kanë inat ne personalisht, sepse s’kanë ç’ka thonë për punën tonë. Prandaj na shajnë personalisht.”

E di që është e vështirë që të mbash veten përballë instiktit. Edhe vetë personalisht, e kam parë veten të bie prè e kurthit të tij, duke u marrë shpeshherë me Erionin si njeri. E di, ta sjell në majë të hundës dhe është e vështirë të përmbahesh. Por është gabim. Kështu i bëjmë veçse nder.

Ku janë lekët, kjo është ajo që duhet të pyesim. Individi Erion është i nënës dhe gruas së vet, lekët janë tonat. Ne me ato duhet të merremi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here