Vend tranzit për ‘drogën e fortë’. Al Jazeera/ Vendimi i BE afron, përçarjet politike thellohen në Shqipëri

0
143

Opozita la Parlamentin muajin e kaluar dhe filloi një seri protestash jashtë zyrës së Ramës.

Ndarjet politike po thellohen në Shqipëri, ndërsa opozita vijon me demonstratat kundër qeverisë socialiste të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzohet për përdorimin e parave të drogës në funksion të kontrollimit të vendit.

Të enjten po praktikon një mënyrë të re të të demonstruarit jashtë parlamentit, përreth të cilit ka protesta sa herë që ka një debat.

Perceptimi se qeveria socialiste e Edi Ramës ka interesa të veçanta,  sidomos të lidhura me tregtinë ilegale të drogës, është i përhapur në Shqipëri.

Dy ministra të Brendshëm kanë dhënë dorëheqjen për shkak të dyshimeve për marrje rryshfetesh nga krimi i organizuar.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha beson se socialistët kanë përdorur paratë e drogës për të blerë vota dhe për të bërë “kapjen e shtetit” – kontrollin e plotë të ekzekutivit, legjislaturës dhe gjyqësorit, i cili nuk ndjek raste korruptive të profilit të lartë.

 

Basha po i bën thirrje Ramës të japë dorëheqjen dhe të lejojë një qeveri tranzitore t’i  hapë rrugën zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në vjeshtë.

Opozita tha se ndaloi të punonte për legjislaturën, sepse ajo në thelb ishte injoruar.

“Ndryshimet që propozuam u hodhën poshtë pa diskutim. Sa herë që ministrat u thirrën për të raportuar para komisioneve parlamentare, ata refuzuan”, tha Basha për Al Jazeera.

Basha është shprehur se qeveria ka manipuluar zgjedhjet e vitit 2017 , që rinxorrën Ramën fitues.

OSBE, e cila monitoron zgjedhjet shqiptare, tha se ka patur intimidime të përsonave gjatë votimeve, numërim të dyfishtë dhe mashtrime në votim. Por të gjitha partitë pranuan rezultatin dhe Bashkimi Evropian (BE) nuk e vuri në dyshim atë.

“Pse ankohen për manipulimin e votave dy vjet më vonë, dhe vetëm para zgjedhjeve lokale?” tha kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, duke i kërkuar opozitës që të kthehej në parlament.

“Ata duhet të rikthehen në vendet e tyre. Në demokraci përfaqësuese, nëse nuk përfaqësoni, ju humbni autoritetin tuaj”.

Trazirat politike vijnë në një kohë që BE do të japë verdiktin për nisjen e bisedimeve në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë. Kriter kyç për këtë është që qeveria e Ramës të përfundojë një reformë gjyqësore, duke çrrënjosur gjyqtarët e korruptuar dhe duke siguruar një balancë të pushtetit ekzekutiv.

 Vend tranzit për ‘drogën e fortë’

Edhe Komisioni Europian, i cili mbështet tani hapjen e bisedimeve, e bën këtë të kushtëzuar me reformat gjyqësore të cilat do të burgosin kriminelë të fuqishëm, veçanërisht ato të përfshirë në tregtinë e drogës.

“Shqipëria mbetet burimi kryesor i trafikimit të kanabisit në Bashkimin Evropian”, dhe “konsiderohet gjithashtu një vend tranzit për droga të forta si heroina dhe kokaina”, tha raporti i fundit i Komisionit.

Shifrat tregojnë se problemi i drogës po shtohet. Katër vjet më parë, më shumë se gjysma e krimeve të rënda lidheshin me prodhimin dhe kultivimin e narkotikëve. Kjo është rritur në dy të tretat në 2016 dhe gati tre të katërtat në 2017.

Balla u shpreh në vitin 2016 se socialistët i dhanë fund një praktike që lejonte politikanët të emërojnë gjyqtarë “të cilët do të hetojnë dhe burgosin politikanët. Kështu që nuk ka kontroll nga qeveria apo parlamenti mbi sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Një çelës i reformës së socialistëve ishte kontrolli i pasurisë së gjyqtarëve. Të paktën 17 gjyqtarë të lartë nuk e kaluan testin. Disa dhanë dorëheqjen kur u thirrën në komisionin e verifikimit.

Kjo e ka lënë Shqipërinë pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale ose një Gjykatë Supreme.

Një tjetër sfidë e qeverisë është edhe ajo e pronave.

“Sfida jonë kryesore është zhvillimi i turizmit”, tha Balla.

“Kompanitë e mëdha, nga Gjermania, nga Italia … nuk mund të vijnë për të investuar në Shqipëri (nëse) nuk u garantohen tituj pronësie,” tha ai.

Basha nga ana tjetër u shpreh se ky është një shembull tjetër i ekonomisë partizane.

“Qeveria po komploton privatisht me një numër të vogël oligarkësh, të cilëve po i jep prona publike dhe private. Ata janë grabitqarë të qeverisë”.

Papunësia e lartë

Në qershor, socialistët gjithashtu përballen me një test për të matur popullaritetin e tyre në zgjedhjet lokale. Ata investojnë para publike në vepra të mëdha të infrastrukturës, duke përfshirë rrugët, shkollat ​​dhe spitalet. Por ka shenja se këto investime nuk u bëjnë përshtypje njerëzve që nuk mund të gjejnë punë.

Papunësia zyrtare qëndron në 13 për qind, pavarësisht rritjes prej katër për qind në letër.

Fitimet për frymë, nën 5.000 dollarë në vit, qëndrojnë në 29 përqind të mesatares së BE. Shqiptarët që shkuan jashtë dërgojnë 1.25 miliardë dollarë në remitancat – një e dhjeta e GDP-së- dhe shumë të tjerë po përpiqen të largohen, ligjërisht apo ilegalisht, në vend që të mbeten në një treg pune që ata e konsiderojnë politikisht të pjerrët.

Të gjitha partitë mbështesin anëtarësimin në BE, por ato ndahen në qëndrimet e tyre sa i takon shanseve që diçka e tillë mund të ndodhë.

“Ne e dimë se BE nuk do të hapë negociatat me një vend që shumë media evropiane e quajnë Kolumbia e Europës”, thotë Basha.

Socialisti Taulant Balla nga ana tjetër duket optimist:  “Duke parë si po shkojnë gjërat tani, është pothuajse e sigurt se me vazhdimin e këtyre reformave do të marrim një raport tjetër pozitiv nga Komisioni”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here