Tashmë është e sigurtë që Pirgu do të duhet të ketë një axhendë të shtuar koncertore për të rregulluar imazhin e dëmtuar të Shqipërisë pas ndodhive të sotme, ku do të duhet ti këndojë edhe cilësisë së munguar së jetës pas shqetësimit në rritje për cilësinë e ajrit në një vend ku në dukje protestat janë obligim për shëndetin e demokracisë.
Pamjet e sotme ulëritëse pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” ku për disa orë banorët luftuan me mish e me shpirt për të mbrojtur shtëpitë e tyre kundër arrogancës së Policisë së Shtetit dhe Përmbarimit, duhet të kenë arritur po aq larg sa shqetësimi i erës së gomave të djegura të protestës së opozitës që bezdisi tenorin me famë ndërkombëtare, Saimir Pirgu.
Kështu duhet të jetë të paktën nëse në peshore do të vendosnim cilësinë e jetës dhe ajrit, për ta pyetur Pirgun se sa koncerte do ti duhen tashmë për të relaksuar me zërin e tij zhurmën që duhet të ketë shkaktuar në opinionin ndërkombëtar, ngjarja e sotme ku Policia e një shteti të supozuar demokratik, u soll me qytetarët e tij si në një vend të Magrebit apo më keq të Botës së Tretë.