Policia e Shtetit ka marrë masa për të mos lejuar protestuesit që do të mblidhen sot përpara Kuvendit për të penguar punimet e seancës plenare. Në orët e para të mëngjesit, 200 forca policore janë vendosur jashtë godinës vetëm për ruajtjen e deputetëve, ndërsa në total në operacion janë angazhuar 1600 forca, përfshirëGardën, FNSH-në dhe Forcat “Shqiponja”.
Masat erdhën duke u shtuar, pas thirrjes së Grupit të PS për Ministrinë e Brendshme për të mos lejuar protestuesit t’i afroheshin godinës ku do të mblidheshin deputetët dhe për të garantuar sigurinë fizike të tyre. Një javë më parë, deputetë të mazhorancës u trembën nga protestuesit e shumtë që ishin mbledhur para godinës dhe tentuan t’i pengonin të hynin, por asnjë nuk u cenua.
Jo më larg se dje, kryetari i PD-së, Lulzim Basha parashikoi se “makineria e Edi Ramës është shkërmoqur dhe këtë e shohim në vendimin absurd për të mbrojtur parlamentin ilegjitim, nesër, me një regjim ushtarak, ku policë dhe ushtarë që detyrohen të sillen si policë, duan t’u mohojnë qytetarëve të drejtën për të protestuar, e drejtë kushtetuese, e drejtë themelore e qytetarëve.”