Pasi iku natën e 4 tetorit, kur ndodhi përplasja e përgjakshme në bllok me 1 të vdekur e dy të plagosur, Ervin Mata, mësohet se u arratis nga vendi që nga ai moment, dhe se për 5 muaj ai qëndroi në Kosovë. Këto kohë, mesa duket janë bërë negociatat e duhura me policinë e prokurorinë, që ai të kthehej. Dhe sot Gjykata e Tiranës, e ka lënë të lirë, vetëm dy ditë pasi ai u dorëzua në Polici.
Mbrëmjen e 4 tetorit, Ervin Mata ishte në shoqërinë e Mevjol Bilos, Fabjol Alushit dhe Geldo Hotit kur u konfliktua me Eldi Dizdarin jashtë ambjenteve të lokalit “Monopol”. Konflikti sipas burimeve nga Prokuroria lidhet me një mospgesë prej 30 mijë euro nga Ervin Mata për Eldi Dizdarin.
Por Dizdari, përveçse është treguar i ashpër me Ervin Matën i ka thënë atij që “tashmë borxhin ja ke Ervis Martinajt”. Sipas mesazheve që iu gjetën Ervis Martinajt në celularin e tij, Eldi Dizdari i ka thënë se Ervin Mata më tha që “nuk pyes as për ty as për Vis Martinajn”. Pikërisht ky debat ka bërë që dy grupet të takohen brenda lokalit “Monopol”. Nga njëri krah ishte Ervin Mata me ish-komandon Mevjol Bilo, Fabjol Alushit dhe Geldo Hoti, ndërsa nga krahu tjetër Ervis Martinaj, Eljo Hato, Fabjan Gaxha si dhe një person me nofkën “Sebastian”, që mendohet se ka qënë më parë Polic.
Largimi pas ngjarjes
Pas konfliktit dhe të shtënave të parët që dolën nga lokali “Monopol” ishin Ervin Mata, i shoqëruar nga ish-komandoja Mevjol Bilo dhe Fabjol Alushit e Geldo Hoti. Brenda lokalit mbeti i vrarë Fabjan Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato. Personi që dyshohet se i qëlloi është Mevjol Bilo. Pas Ervin Matës nga lokali del Ervis Martinaj dhe dy shokë të tij.
Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë me dije se Ervin Mata ka telefonuar një të afërm të tij për ta larguar jashtë Shqipërisë. Ky person dyshohet se e çoi drejt Kosovës, Ervin Matën. Gjatë kohës që ishte në kërkim Ervin Mata besohet se ka qëndruar në Kosovë, por vetë ai, nuk ka treguar të dhëna për vendin ku është fshehur.
“Isha i trembur prandaj ika. Më sulmuan, dëgjova disa të shtëna dhe vetëm jam mbrojtur. Nga frika ika nga aty dhe jam përpjekur të fshihem sepse nuk e dija se ç’po ndodhte. Pasi reflektova vendosa të dorëzohem vet në Polici”, – është shprehur Ervin Mata. Gjykata e liroi 31-vjeçarin vetëm për shkak se Prokuroria nuk e ka përcaktuar saktë rolin e tij në këtë ngjarje. Në kërkim për të ashtuquajturën “Masakra në ish-bllok” mbetet vetëm ish-komandoja Mevjol Bilo./Mapo