Larje hesapesh / A ka gisht Çipuri në vrasjen e Edison faqedjegurit?!

0
7

Vlora u trondit ditën e sotme nga një tjetër vrasje mafioze, ku mbetën të vdekur në vend dy të rinj dhe u plagos lehtë në i tretë.

Të ekzekutuarit janë Aurest Rexho dhe Arjan Hasani, ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Armando Sulejmani, i cili dyshohet të jetë edhe objektivi i atentatit në zonën e Ujit të Ftohtë në hyrje të qytetit.

Sulejmani nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2016 i ka shpëtuar një tjetër atentati. Ai njihet ndryshe dhe me nofkën “Çipuri” dhe dyshohet se ka qenë anëtar i bandës së Gaxhait.

Çipuri ishte në kërkim nga autoritetet e drejtësisë, pasi dyshohet si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur, në tetor 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur, dhe i afërmi i tij, Dritan Begaj.

Bëhet fjalë për një atentat që pason një zinxhir vrasjesh dhe pritash, që kanë përfshirë familjen Llanaj dhe një grup tjetër, të përbërë nga disa persona me rrezikshmëri të lartë, duke nisur që në vitin 2015.

Një zënkë adoleshentësh pas një feste ditëlindjeje përfundoi me atë që konsiderohet “masakra e Çoles”, me tre të vdekur e tre të dënuar me burgime të gjata, njëri me të përjetshëm dhe dy të tjerë me nga 35 vjet.

Në 7 prill 2015, pas një konflikti të armatosur, mbeten të vdekur Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Limaj. Për këtë ngjarje u akuzuan dhe dënuan Aleksandër Llanaj, me burgim të përjetshëm, si edhe Bertil Aliaj e Ani Begaj me nga 35 vjet burgim.

Në tetor 2017, tre anëtarë të familjes Llanaj plagosen në zonën e Transballkanikes, pranë qendrës së Vlorës. Shënjestra ishte Ferdinand Llanaj, vëllai i të dënuarit përjetë, Aleksandër Llanaj.

Bashkë me Ferdinandin, në këtë atentat plagoset edhe djali i tij 8-vjeçar, si edhe miku i familjes, Dritan Begaj.

Edison Harizaj, i ekzekutuar në një atentat bashkë me mikun e tij Genti Caci

Një prej personave e dyshuar për këtë ngjarje është i plagosuri i ditës së sotme, Armando Sulejmani (Çipuri). Ndaj tij, gjykata e Vlorës ka nxjerrë masë sigurimi “arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Në verën e vitit 2018, një i ri nga Vlora, Albano Xhaferraj rrëmbehet në qytetin e Vlorës dhe prej tij nuk ka më asnjë gjurmë. Një person, i cili konsiderohet si “i penduar” i drejtësisë, ka pretenduar se Albano Xhaferraj është rrëmbyer dhe vrarë nga disa persona, bashkëpunëtorë të një tjetër emri të njohur të botës së krimit në Vlorë, Edison Harizaj.

Pak muaj pas këtij episodi, në nëntor 2018, vritet në periferi të Durrësit Edison Harizaj dhe miku i tij, Gent Caci. Ata gjendeshin në bordin e një Audi A8, kur dy makina u kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar për vdekje. Një ngjarje pa autor deri më tani.

Por burime nga policia, mendojnë se Çipuri të ketë eliminuar Edison Harizajn (faqedjegurin) për llogari të një bande tjetër të rrezikshme që operon në Belgjikë.

Gjithsesi, të gjitha janë dyshime që pritet të verifikohen nga policia, gjithnjë nëse zinxhiri i vrasjeve për hakmarrje nuk do të ndalojë…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here